E Diel, 1 Nëntor 2026

Britania u kërkon ndjesë fëmijëve migrantë

Sipas BBC-së kryeministri britanik, Gordon Brown do të kërkojë ndjesë për dërgimin nga Britania të disa mijë fëmijëve në Australi, gjatë shekullit të kaluar.
Fëmijëve, nga familje të varfëra ose pa prindër, iu ishte premtuar një jetë më e mirë, por shumë prej tyre janë ankuar për abuzime fizike e seksuale në shtëpitë e përkujdesjes dhe fermat ku qenë vendosur në Australi.
Fëmijët, dikur migrantë, prej kohësh bëjnë thirrje që t'u kërkohet zyrtarisht ndjesë për skemën e migrimit e cila u zbatua deri në vitin 1967.
Në bazë të skemës së migrimit, fëmijë të bardhë të klasës punëtore largoheshin nga vendi për të ndihmuar në popullimin e ish-kolonive britanike.
Të hënën qeveria australiane pritet t'u kërkojë ndjesë britanikëve të dërguar në Australi në bazë të programit për migrimin e fëmijëve, shtatë mijë prej të cilëve jetojnë.
Disa prej migrantëve thonë se është pikërisht ky vendim i autoriteteve australiane që e ka bërë me turp qeverinë britanike dhe e ka shtyrë të kërkojë ndjesë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›