E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania votoi për ndryshimin e madh

Vota Rezultatet e zgjedhjeve priten të dalin orët e para të mëngjesit të sotëm

Më shumë se 44 milionë britanikë me të drejtë vote u janë drejtuar dje kutive të votimit për të vendosur se kush do ta drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme. Më shumë se 50 mijë qendra votimi u çelën në orën 07.00 të mëngjesit për t’u mbyllur në orën 22.00 të mbrëmjes me orën lokale. Një pjesë e mirë e votuesve i dërguan votat e tyre me postë. I pari lider që ka votuar ditën e djeshme ka qenë kreu i konservatorëve David Cameron. Në orën 10.30 ai ka shkuar në qendrën e tij të votimit në Spelsbury, Oxfordshire. “Ndihem mirë. Nuk kam ç’të them tjetër”, tha ai teksa u buzëqeshte fotografëve në hyrje të qendrës së votimit. I dyti ishte Kryeministri Gordon Brown, që bashkë me gruan Sarah votuan në Skoci, ndërsa në fund kreu i liberal-demokratëve Nick Clegg, që hodhi votën e tij në Sheffield, bashkë me gruan Miriam. Parlamenti i ardhshëm ka 650 vende në këto zgjedhje të cilësuara si më të fortat në historinë e vendit. Rezultatet e zgjedhjeve priten të dalin në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Numri i kandidatëve që garon për to është 4149. Sipas sondazheve të fundit, asnjë prej partive kryesore nuk pritet të fitojë shumicën absolute. Më i fundit i bërë nga Guardian/ICM, ka treguar se konservatorët janë në avantazh kundrejt laburistëve me tetë pikë, një rezultat që mund t’u garantojë konservatorëve mazhorancën në dhomën e Komunëve. Megjithatë, ashtu siç thuhet prej kohësh në sondazhe, asnjë nga tre partitë e mëdha, Laboristët, Konservatorët apo Liberal-Demokratët, nuk do ta fitojë shumicën e vendeve në Parlament për të formuar të vetëm qeverinë. Nëse konservatorët e Cameron dalin të parët me numrin më të madh të vendeve të fituara në Parlament, atëherë padyshim që do kërkojnë të bashkëqeverisin me liberal-demokratët dhe Nick Clegg, që nga intervistat e fundit duket se do e pranojë ftesën e Cameron. Partia që ka numrin më të madh të personave që mund të ndryshojnë mendje në momentet e fundit duket se është ajo liberal-demokrate. Kështu tregon një sondazh i “ComRes” për ITVNews/The Independent. 71 për qind e të intervistuarve kanë pranuar se do të marrin pjesë në votime, rreth dhjetë për qind më shumë në krahasim me vitin 2005, ku votuan 61 për qind e anglezëve. Deklarata e liderit konservator në orët e fundit të fushatës elektorale ishte: “Do të luftojmë për çdo votë. Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme të një gjenerate”, ndërsa Kryeministri Brown tha: “Jam i vendosur dhe i bindur se po luftojmë për të ardhmen e Britanisë”. Në fund, Nick Clegg u shpreh: “Na jepet mundësia t’i bëjmë gjërat ndryshe. Parlamenti i ri do të mblidhet më 18 maj, ditë kur do të bëhet edhe betimi i deputetëve të rinj”.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›