E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britanikët, fitues për Bulevardin e ri të kryeqytetit

Share

Këtë pamje do të marrë zona veriore e Tiranës pas 15 vitesh, të paktën sipas maketit të prezantuar sot. Zgjatimi i Bulevardit kryesor dhe të gjitha ndërtimet që do të kryhen deri në Lumin e Tiranës, do ti referohen masterplanit të studios britanike Grimshaw. Juria ndërkombëtare e përzgjodhi atë si projektin më të mirë, por edhe më pak të kushtueshmin. Ndryshe nga finalistja tjetër DAR Group, studio britanike nuk ka pranuar të japë shifrën e përafërt të projektit. Megjithatë, burime zyrtare pranë Bashkisë bëjnë të ditur se Grimshawi iu afrua kostos së kërkuar, 100 deri 130 euro për metër katror. Arkitektët britanike deklarojnë se pikat e forta të projektit që i bëri fitues janë ndërtimet e ulëta, sipërfaqet e mëdha të gjelbra dhe tre qendrat përgjatë Bulevardit. Sipas masterplanit fitues, bulevardi prej 1.8 kilometrash i gjatë do të ketë një gjerësi prej 60 metrash. Në të dy krahët e tij janë parashikuar ndërtesa dhe shtëpi të ulëta. Objekti më i lartë në projekt është Pallati i Drejtësisë, i cili do të jetë në qendër të sheshit të drejtësisë. Dy sheshet e tjera janë ai i kulturës, me kinema, galeri e objekte të tjera arti dhe sheshi tregtar me qendra biznesi e dyqane. Tre qendrat e Bulevardit janë ndërthurur me hapësira pushimi dhe sipërfaqe të gjelbra deri në të dy krahët e lumit të Tiranës. Në fund të këtij viti, firma fituese pritet të sjellë projektin e detajuar teknik dhe në fillim të 2013 parashikohet nisja e punimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›