E Hënë, 2 Nëntor 2026

Oketa e Biberaj, takim me Volfarth

Share

Drejtuesit e partisë më të re në vend, FRD, Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj, janë takuar gjatë ditës së sotme me kreun e OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth.

Ky takim shënon çeljen e dialogut të FRD-së me komunitetin ndërkombëtar në emër të njohjes së miqve dhe partnerëve të Shqipërisë me angazhimin e FRD-së si forca më e re politike në vend, thuhet në një njoftim të FRD-së.

Në takim u shkëmbyen mendime rreth pikësynimeve strategjike të FRD-së për krijimin e klimës së nevojshme politike dhe bazën ligjore për të siguruar pavarësinë e institucioneve kushtetuese, në respektim të parimit themelor të demokracisë për ndarjen dhe balancimin e pushteteve, pa të cilat nuk arrihen dot as rezultatet e dëshiruara në luftën ndaj korrupsionit.

FRD ka theksuar në takim edhe angazhimin e kësaj force për të zgjidhur përfundimisht problemin e pronësisë si dhe atë të dëmshpërblimit e të integrimit të ish-të përndjekurve politikë, thuhet në njoftimin e partisë më të re politike në vend.

Në takim janë diskutuar gjithashtu edhe dy çështjet kryesore politike në vend: reforma zgjedhore dhe zgjedhja e presidentit të ri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›