E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brixhit Bardo, letër kreut të Bashkisë për qentë e Përrenjasit

Aktorja Brixhit Bardo

Presidentja e fondacionit për kafshët: Sterilizimi, zgjidhja për ta.

Artistja nga Parisi: Vrasja e tyre, lajm që më ka tmerruar.

Personazhe botërore reagojnë për çështjen e asgjësimit të qenve në Përrenjas. Me anë të një letre të hapur drejtuar kryebashkiakut Bajazit Karriqi, e famshmja Brixhit Bardo ka deklaruar përkrahjen e saj në kauzën e nisur nga ARA, (Shoqata e Mbrojtjes së Kafshëve në Shqipëri). Aktorja franceze, në statusin aktual të presidentes së fondacionit Brigitte Bardot, në mbrojtje të të drejtave të kafshëve, ka nisur dje nga Parisi letrën e hapur. Zoti kryetar, jam e tmerruar nga ajo që mësova, që ju doni të vrisni qentë që vërtiten rrugëve të qytetit tuaj. Kështu e nis ajo letrën, sapo ka mësuar për situatën e krijuar në vendin tonë prej ditësh, pas njoftimit të Bashkisë së Përrnjasit për të eliminuar me vrasje qentë rrugaçë që lëvizin në qytet. Si është e mundur të marrësh një vendim të tillë, ndërkohë që keni një rol etik dhe një përgjegjësi para qytetarëve që ju kanë dhënë votën dhe para fëmijëve të tyre. Mendoni që një masë e tillë është zgjidhja për çështjen e qeneve që enden rrugëve dhe do te japë një imazh të bukur të pushtetit që keni në duar? Është e ditur, madje edhe shkencërisht, që masakra e qenve të rrugëve nuk ka qenë kurrë zgjidhja për menaxhimin e tyre. Qen të tjerë do të zënë vendin e atyre që ju doni të vrisni, shprehet Bardo. Përballë kësaj situate të krijuar, presidentja e fondacionit jep dhe përgjigje mbi mënyrat që do të shërbejnë si zgjidhje. Sterilizimi do të shmangte riprodhimin e qenve të rrugëve dhe do ti bënte më të adaptueshëm në shoqëri, e cila, jam e sigurt, do të dijë të kujdeset për to, thotë ajo në letrën e hapur. Ju kërkoj që të bashkëpunoni me shoqatën e mbrojtjes së kafshëve, ARA, dhe ti jepni qytetit tuaj një reputacion dinjitoz dhe të popullatës së saj krahine dhe jo ta njollosni me një praktikë skandaloze që prish imazhin e gjithë Shqipërisë. Presidentja e Fondacionit për Mbrojtjen dhe Kujdesin ndaj Kafshëve, krijuar prej gati 3 dekadash, e përfundon letrën e hapur ndaj kryebashkiakut të Përrenjasit se është në pritje të një përgjigjeje nga ana e tij. Reagimet për këtë çështje nisën pas njoftimeve publike nga ana e Bashkisë së Përrenjasit se nga data 5-20 prill do të niste fushatën e asgjësimit të qenve të rrugës, të cilët ishin bërë burim epidemie dhe rrezik për jetën e banorëve të qytetit. Kundërshtimin e parë e bëri Shoqata Shqiptare për Mbrojtjen e Kafshëve (ARA) e më pas dhe fondacionet ndërkombëtare.

10 dite kohë ka lënë Bashkia e Përrenjasit për çështjen e asgjësimit të qenve rrugaçë. Sipas saj, urdhri për vrasjen e tyre është pezulluar deri në marrjen e masave të tjera për këtë problem.

ARA
Shoqata Shqiptare për Mbrojtjen e Kafshëve, (ARA), do të padisë Bashkinë e Përrenjasit nëse ajo nis zbatimin e fushatës së paralajmëruar të asgjësimit me vrasje të qenve të rrugës. Sipas drejtoreshës ekzekutive të ARA-s, Pezana Rexha, më datë 20 prill, përfaqësues të shoqatës do të zhvillojnë takim me vendorët në Përrenjas për tu bërë të njohur projektin e tyre në lidhje me kafshët e rrugës. Rexha tha dje për gazetën se ARA po vazhdon misionin e saj në mbledhjen e fondeve për këtë çështje, por do të parandalohet me çdo kusht vendimi i Bashkisë për asgjësimin e qenve të rrugës. Madje, Bashkia e Përrenjasit është njohur me dokumentin që do ti përballë ata me padi konkrete. Sipas Rexhës, ARA është e gatshme ti ofrojë vendorëve të Përrenjasit çdo shërbim falas në këtë ndërmarrje. Gjithashtu, shoqata ka gati dhe dy projekte për Bashkinë e Përrenjasit, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›