Tension në Maqedoni, digjet objekti i një shqiptari
Fshati Luboten i banuar me popullsi shqiptare vazhdon të mbetet ende i bllokuar, njofton mediat në Maqedoni. Pasi një hapje të pjesshme të rrugës që të çon drejt qytetit, mbrëmë rreth orës 18:00 sërish një grup maqedonas, rreth 70 persona kanë bllokuar rrugën duke bërë të pamundur lëvizjen e lirë të qytetarëve të kësaj ane.
Me fyerje nacionaliste dhe urrejtje ndaj shqiptarëve kanë bllokuar rrugën e vetme të cilën lubotenasit e shfrytëzojnë për tu lidhur me qytetin.
Policia aktualisht është duke mbajtur të rrethuar të gjitha hyrje- daljet për në këtë fshat me qëllim mbrojtjen e banorëve dhe moslejimin e shpërthimit të ndonjë incidenti ndëretnik.
Ndërkaq, banorë shqiptarë të lagjes Radishani kanë pohuar për gazetën Zhurnal se mbrëmë është djegur një dyqan, pronë e një shqiptari në këtë lagje.
Gjithashtu, burime të Zhurnal-it njoftojnë se turma e të rinjve maqedonas ka tentuar të hyjë edhe nëpër disa shtëpi të pakta të shqiptarëve dhe ndërhyrja e policisë ka qenë e vonshme, megjitahtë turma nuk është lejuar që të futet në pronën e shqiptarëve.
Banorët kanë kërkuar që deri në orën 8:00 të mëngjesit të pastrohet rruga dhe të mundësohet lëvizja e lirë, në të kundërtën do të ketë rritje të tensioneve.
Shqiptarët e kësaj ane kanë theksuar se e kuptojnë situatën në të cilën gjenden familjet e personave të vrarë, por është e pakuptimtë dhe e patolerueshme që pa u ditur vrasësit të merren vendime dhe të përhapet urrejtja ndaj shqiptarëve.