E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brokaj: “PS dhe PD jo veto për Reformën Zgjedhore”

Autori i Lajmit: Suela TopiLëvizja Socialiste për Integrim kritikon dy partitë më të mëdha për sa i përket çështjes së Reformës Zgjedhore. Nënkryetari i LSI-së, Sabit Brokaj, deklaroi dje se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike po përdorin veton në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Sipas tij, është e papranueshme që partitë e vogla të mos kenë përfaqësim në komisionin bipartizan. Ai përsëriti shqetësimin e ngritur edhe herë të tjera nga radhët e partive të vogla opozitare për lënie jashtë diskutimeve apo negociatave, kur bëhet fjalë për çështje madhore. Kjo ishte edhe arsyeja që partitë e vogla braktisën dy ditë më parë mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore ndërkohë që kanë kërkuar më shumë predispozitë për bashkëpunim nga ana e dy partive më të mëdha. Brokaj pohoi gjithashtu se Kodi i ri Zgjedhor duhet të shënojë eliminimin e fenomenit të “Dushkut” ndërkohë që duhet të sigurohet edhe pajisja me karta identiteti e shqiptarëve, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të mos kemi përsëri probleme për verifikimin e votuesve.
Kritika
“Lëvizja Socialiste për Integrim është thellësisht e shqetësuar për një fillim jo të mirë të procesit të Reformës Zgjedhore, si rezultat i përdorimit të vetos PS-PD, dhe në një proces ku nuk parashikohet përdorimi i saj në momentin e miratimit të rregullores së funksionimit të Komisionit të Reformës Zgjedhore”, - tha Brokaj. Sipas tij, vetoja PS-së dhe PD-së, për të kontrolluar detyrimisht stafin teknik të ekspertëve të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, tregon qartë se tashmë dy partitë kërkojnë monopolizimin e këtij procesi dhe të përjashtojnë nga ky proces partitë e tjera parlamentare, forca e të cilave është tashmë e provuar edhe gjatë proceseve zgjedhore. Numri dy i LSI-së pohoi se është e papranueshme që partia e tij dhe partitë e tjera parlamentare, të cilat parashikohet që të mos përfaqësohen me ekspertë pranë këtij komisioni, të pranojnë një ligj zgjedhor në të cilin nuk janë pjesë në përgatitjen e tij. Përfaqësuesit e LSI-së pranë këtij Komisioni propozuan shtimin e numrit të ekspertëve, duke u dhënë mundësi partive të tjera të majta dhe të djathta, që nëpërmjet ekspertëve të tyre të kontribuojnë në hartimin e një ligji me një konsensus sa më të gjerë.
Kërkesat
Brokaj pohoi më tej se kodet zgjedhore të hartuara nga komisionet bipartizane kanë prodhuar zgjedhje të kontestuara dhe me mundësi të mëdha manipulimi, sepse këto kode janë amenduar në momentet e fundit para zgjedhjeve. “Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë se me këtë fillim problematik të punës së këtij komisioni, nuk do të kemi sukses në zgjedhjen e atyre problemeve thelbësore që ka kodi si eleminimin e fenomenit “Dushk”, pajisjen me karta identiteti të qytetarëve si dhe mundësia e emigrantëve shqiptarë për të ushtruar të drejtën e votës në vendet ku janë residentëe”, - sqaroi Brokaj. Tri ditë më parë partitë e vogla braktisën Komisionin e Reformës Zgjedhore për shkak se dy partitë e mëdha nuk pranun ekspertët e partive të vogla. Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi ka akuzuar partitë e mëdha se po përjashtojnë nga procesi partitë e vogla. “PD dhe PS nuk pranojnë ekspertët e partive të vogla”, - ka pohuar Gjinushi. Ai i ka bërë thirrje PS-së që të mos bëhet pjesë e një skenari që nuk zgjidh problemin. Kritika ndaj partive të mëdha kanë ardhur dhe nga kryetari i PDS-së, Paskal Milo. “PS dhe PD po bëjnë një marrëveshje për të bërë një reformë zgjedhore sipas nevojave të tyre”, - ka theksuar dhe Milo.

Ky lajm është publikuar: 29/09/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›