E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD shpall dhjetë vende vakante në gjykata

Autori i Lajmit: Red.Këshilli i Lartë i Drejtësisë, (KLD) zhvilloi dje mbledhjen e radhës, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Gjatë kësaj mbledhjeje, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ndër të tjera, mori në shqyrtim çështjen e vënies në dispozicion të dhjetë vendeve vakante në gjykata të rretheve gjyqësore për të diplomuarit e Shkollës së Magjistraturës.
Vendet
Pas diskutimeve dhe evidentimit të situatës rreth vendeve vakante në gjykatat e shkallës së parë, vendosi të vërë në dispozicion të të diplomuarve nga Shkolla e Magjistraturës dhjetë vende vakante në gjykatat e rretheve gjyqësore si vijon; në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnje, dy vende vakante, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës, një vend vakant; në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, një vend vakant, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin, dy vende vakante, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë, një vend vakant, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec, dy vende vakante; në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë, një vend vakant.
Vendimi
Gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje por edhe në përgjithësi, në diskutimet për sa i përket emërimeve fillestare dhe transferimeve, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi që gjykatat e rretheve gjyqësore të përfshira në prefekturat e Tiranës dhe të Durrësit të konsiderohen si gjykata karriere dhe të shërbejnë për promovimin e gjyqtarëve që aktualisht punojnë në sistemin gjyqësor.Gjithashtu, gjatë mbledhjes së djeshme Këshilli shqyrtoi edhe kandidaturat për një vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë, dhe një vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës. Sipas një vendimi të mëparshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për këto vende vakante konkurruan vetëm ata gjyqtarë të gjykatave të suprimuara nga Dekreti i Presidentit të Republikës Nr. 5350, datë 11.06.2007, “Për krijimin e rretheve gjyqësore, caktimin e kompetencave tokësore dhe të qendrës së ushtrimit të veprimtarisë së tyre”, te cilët kishin paraqitur kërkesë.Në përfundim të votimit, Këshilli vendosi të transferojë gjyqtarin, Avni Sejdi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë dhe gjyqtarin, Flamur Kapllani në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës.

Ky lajm është publikuar: 29/09/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›