E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra ndaj çamëve, e vërteta e gjenocidit grek

Autori i Lajmit: Red.Kjo mund të quhet sintezë e raporteve të 60 viteve të fundit ndërmjet vendit tonë dhe fqinjit jugor. Kontaktet sociale, politike e diplomatike janë shoqëruar me ulje-ngritje të shpeshta, sidomos në dekadën e fundit të shekullit XX dhe vitet e para të shekullit XXI. Ndërmjet dy vendeve, tashmë demokratike, ekziston ende një "re e errët" që i pengon të zhvillohen normalisht; ligji i luftës që paradoksialisht ekziston ende edhe sot, i vendosur në vitin 1940, rrjedhojë negative e të cilit është pengesa për rikthimin e pasurisë popullsisë shqiptare me shtetësi greke që është përzënë nga toka e tyre pas Luftës së Dytë Botërore.
Kalendari diplomatik
Në 10 nëntor të vitit 1940 u miratua nga Parlamenti grek ligji 2636/1940 ose ndryshe ligji i luftës ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Po atë ditë, mbreti grek dekretoi këtë ligj, i cili hyri në fuqi që nga data 28 tetor 1940 (pra ishte një ligj me fuqi prapavepruese, neni 21, pika 1). Mbi këtë bazë, rreth 800 prona (ndër të cilat janë evidentuar 477 prona) të shtetasve shqiptarë, me vlerë 350 milion dollarë (apartamente, pyje, kullota, troje ndërtimi, toka bujqësore) u vunë nën administrimin e Ministrisë së Financave të Greqisë. Kjo ministri ua ka kaluar administrimin e këtyre pasurive personave të ndryshëm, kundrejt një shpërblimi prej rreth 15% të të ardhurave në vit.
10 shkurt 1947
Greqia nënshkron Traktatin e Paqes me Italinë. Në këtë traktat, Italia angazhohej të respektonte pavarësinë e sovranitetin e shtetit shqiptar dhe të shpallte të pavlefshme të gjitha aktet e marrëveshjet e rregulluara midis Italisë dhe autoriteteve të saj të vendosura në Shqipëri gjatë viteve 1939- 43.
7 qershor dhe më 9 korrik 1947
Në vijim të dekretit 2636/1940, kanë dalë dy dispozita nr.14882/3574 "Mbi përjashtimin e zbatimit të dispozitave të ligjit 2636/1940 mbi sekuestrimin konservativ përsa u përket atyre që kanë kombësi greke dhe shtetësi shqiptare. Në një trajtim të tillë u nënshtruan rreth 150 prona të personave me origjinë greke e shtetësi shqiptare, si dhe ata të origjinës ortodokse që nga grekët konsiderohen si me origjinë greke. Pronarëve të këtyre pronave u dërgoheshin deri në 50 dollarë në muaj nga të ardhurat e nxjerra nga pronat e tyre. Këta emra kalonin fillimisht në "filtrin" e Asfalisë, Drejtorisë për të huaj në Ministrinë e Rendit Publik, Prokurorisë, Komitetit Qëndror të përpjekjes Virio-Epiriote etj.
Në vitin 1948
Është miratuar dekret-ligji nr.1138, i cili ka ndryshuar nenin 21, pika 2 të ligjit 2636/1940. Në këtë dekret-ligj vendoset: "Marrja fund e këtij ligji bëhet me vendim të përbashkët të kryetarit të qeverisë, si dhe ministrave të jashtëm, të financave dhe të drejtësisë. Botuar në Fletoren Zyrtare
Në vitin 1965
Është dekretuar ligji nr.4506/1965, i cili shprehet…. "mbi ndalimin pa leje speciale të kryerjes së veprimeve juridike që kanë të bëjnë mer pasuritë në Greqi të atyre personave me origjinë greke, me banim në Shqipëri".
Më 6 maj të vitit 1971
U vendosën marrdhëniet diplomatike në nivel ambasadorësh. Nga kjo datë, duhet supozuar se gjendja e luftës ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë është hequr, pasi përjashtohet automatikisht gjendja e luftës në rastet kur vendosen marrdhënie të tilla.
Në Fletoren Zyrtare nuk është botuar heqja e këtij ligji.
Në vitin 1987
Ligji i luftës abrogohet nga qeveria e Papandreut, por nuk u ratifikua nga Parlamenti i asaj kohe. Ndërkohë, presidenti grek i asaj kohe deklaron se, edhe nëse abrogohet ky ligj nga Parlamenti, ai nuk ka fuqinë të dekretojë ndryshimin, pasi dekretimi i parë është kryer nga Mbreti, një pozicion shumë i ndryshëm nga ai i një Republike Parlamentare
Në mars të vitit 1996
Ndërmjet dy vendeve nënshkrohet Traktati i Mirëkuptimit, Fqinjësisë së Mirë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë. Ky traktat duhet të mbyllte çdo armiqësi dhe mosmarrveshje të trashëguara nga e kaluara. Në nenin 15 të tij thuhet se: "Secila nga palët kontraktuese duhet të përballojë mundësinë brenda kuadrit ligjor ekzistues të heqjes së pengesave për gëzimin e pasurive të shtetasve të njërës palë në territorin e palës tjetër". Nuk është ratifikuar nga Parlamenti grek, se ka komente kontradiktore rreth këtij fakti. Ajo që është kontradiktore gjithashtu në tekstin e këtij neni është fakti se megjithëse neni në fjalë i përket një traktati që me hyrjen në fuqi duhet të ketë epërsi mbi ligjet e brendshme që bien në kundërshtim me të, neni është formuluar në mënyrë të tillë, që të ruajë kuadrin ligjor ekzistues, pra pa e ndryshuar atë. Me një fjalë mund tua japim pronat, por sipas ligjeve ekzistues.
Në fund të vitit 1998
Qeveria greke nxorri një ligj mbi regjistrimin e pronave. Njëra nga dispozitat e ligjit në fjalë parashikon që pronat, të cilat në momentin e regjistrimit rezultojnë "pa pronar", i nënshtrohen shtetëzimit, në rast se për to nuk paraqitet reklamim (kundërshtim) brenda pesë vjetësh nga dalja e ligjit në fjalë.

Rastet
Analogjia me problemin çam
Nga ana juridike, nuk mund të konsiderohet armik një vend i pushtuar, i cili nën dirigjimin e pushtuesit i shpall formalisht luftë një vendi tjetër, pasi atij i mungon "animus beli" (shpirti i luftës)
Për këtë arsye, Sllovakia nuk u konsiderua vend armik i Bashkimit Sovjetik, megjithëse formalisht ajo i kishte shpallur luftë më 24 qershor të vitit 1941.

Origjina
Pse "i fsheh" çamët Greqia
Çamët myslimanë të Epirit" është ndoshta një prej botimeve më korrekte në gjuhën greke të historisë së popullsisë me origjinë shqiptare në Greqi. Autorja e këtij libri, historiania Elefteria Mada, ka shfrytëzuar për veprën e saj burime kryesisht të pavarura, larg nacionalizmave të tepruara të një pjese të madhe të kolegëve të saj historianë. Në hyrjen e librit, botim i Institutit për Studime Ballkanike, Selanik 2004, autorja thekson faktin se çështja e çamëve është një prej temave më pak të prekura në historinë e shtetit të ri grek. Dhe ajo, në mënyrë indirekte paraqet si arsye të fortë të kësaj sjelljeje (heshtjen), mungesën e vullnetit politik dhe historik grek për ta trajtuar problemin çam.

Ky lajm është publikuar: 28/09/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›