E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brokeback Mountain, censurohet dashuria e dy djelmoshave

Çensura / RAI nuk transmeton të plotë filmin fitues të çmimeve Oscar. Versionit televiziv i janë prerë skenat e dashurisë mes dy protagonistëve gay. Pas protestave drejtuesit premtojnë transmetimin e versionit origjinal

Transmetimi në RAI DUE i filmit Brokeback Mountain ka ngjallur debate në Itali për përdorimin e censurës nga televizioni shtetëror. Filmi shumë i përfolur për trajtimin e një historie dashurie mes dy kaubojsh ka shqetësuar më së shumti komunitetin homoseksual italian. “Brokeback Mountain” edhe pse ka fituar Luanin e Artë në 2005-ën, pikërisht në Itali, në Festivalin e Venecies, dhe më pas 3 çmime Oscar, dhe4 Globe të Artë, në versionin e servirur për publikun e televizionit i ishin hequr skenat e dashurisë homoseksuale. Një rast i diskutueshëm që çon në lindjen e shumë polemikave mbi përdorimin e censurës në programet televizive. Edhe pse për momentin më i shqetësuari është Aurelio Mancuso, presidenti i shoqatës “Arcigay”.

Komuniteti homoseksual pyet se kush vendosi të transmetojë në Rai filmin “Brokeback Mountain” të cunguar nga një çensurë që përdorej vetëm në vitet ’50. “Kujt i shkoi në mendje se puthjet dhe përkëdheljet mes dy meshkujve do të shqetësonin publikun e rritur?”,- pyet Mancuso.

Indinjimi shkon edhe më tej, pasi kreu i “Arcigay” i ka kërkuar Rai-it të shpjegojë publikisht incidentin. Ky komunitet i kërkon Komisionit të Vigjilencës në RAI të ndërhyjë sepse shërbimi publik televiziv nuk mund të mbështesë homofobinë e harlisur italiane. Për këtë kërkojnë që filmi të ritransmetohet në versionin e tij të plotë.

RAI ka reaguar duke thënë se nuk ka censuruar asnjë pjesë por ndodhën një sërë rastësish që penguan transmetimin e plotë të versionit origjinal të “Brokeback Mountain”. Stacioni televiziv shtetëror bleu të drejtën e transmetimit të filmit nëpërmjet Rai Cinema.Në mënyrë që filmi të mund të transmetohej në çdo orar dhe jo vetëm në programet e mbrëmjes shoqëria që solli filmin në Itali “preu” disa pjesë. Ishte kjo kompani që i dorëzoi RAI-t kopjen integrale të filmit dhe kur RAI vendosi të transmetojë filmin përdori këtë kopje pa e verifikuar më parë nëse versioni ishte origjinali apo integrali. Drejtori i RAI DUE është zotuar që të replikojë duke transmetuar versionin kinematografik të filmit, pa asnjë pjesë të prerë.

Disa ditë më parë ish parlamentari Vladimir Luxuria kishte hamendësuar se filmi do të ritransmetohej i pacensuruar. Ai shprehet se këto prerje i ishin dukur të çuditshme, sidomos një javë pas transmetimit të filmit “Transamerica”, i cili nuk ishte censuruar aspak.

Drejtori i RAI-t shprehet se kjo çensurë nuk varej aspak nga rrjeti televiziv por kamundësi që filmi të kishte ardhur në RAI DUE i prerë, nga Rai Cinema. “Të shohësh të cunguar një film që ka fituar Luanin e Artë dhe Oscar është njësoj si të shohësh Monalizën pa kokë”,- ka shtuar Luxuria.

Por shpjegimi i qartë i RAI-t nuk mjafton për të ndalur polemikat politike. “Është groteske që RAI në një film që ka fituar çmime të ndryshme ndërkombëtare, dhe që nuk do të binte madje as me forcë nën “sëpatën” e taksës porno të qeverisë, të censurojë skena analoge më ato që transmetohen në pjesën më të madhe të programeve të mbrëmjes”,-thekson Benedetto Della Vedova, president i Partisë së Reformatorëve Liberal. Nëse censura nuk është e motivuar nga natyra “hard” e skenave, por nga natyra homoseksuale e marrëdhënies që paraqitet, të konsideruara pornografike në vetvete, do të dilet nga kufijtë e groteskut dhe do të kalohet në diskriminim.

Të presësh një film të kësaj natyre është më keq sesa të mos e transmetosh. Della Vedova ka shtuar se është momenti që presidenti i përgjithshëm i RAI-t Petruccioli, t’i përgjigjet kësaj pikëpyetjeje dhe të shpjegojë zgjedhjet e televizionit publik italian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›