Gjelbërimi, deri në janar do të mbillen 3 mijë pemë
Kryebashkiaku Edi Rama, këtë herë nuk ishte vetëm. Ai ka pëlqyer që ,në vend të stafit të tij të punës, të shoqërohet në procesin e mbjelljeve të pemëve nga fëmijët e Kopshtit 24 në Tiranë. Dhe kjo, jo pa qëllim. Edukimi mjedisor fillon që në vogëli e për këtë arsye prania e fëmijëve në procesin e mbjelljes së pemëve ka rëndësi shumë të madhe. Ky akt mirësjelljeje nga kreu i bashkisë u ka dhënë mundësi të vegjëlve, të kuptojnë dhe të ndërgjegjësohen mbi rëndësinë e mbjelljes së pemëve, e po ashtu mbi vlerat e jashtëzakonshme që ka dhe përcjell një mjedis i kuruar, për rritjen e cilësisë së jetës së komunitetit dhe veçanërisht të brezit më të ri. Dje, Tiranës iu shtuan edhe 100 pemë të reja në krah të bulevardit “Bajram Curri”. Kryebashkiaku Edi Rama u bëri apel në fjalën e tij qytetarëve të jenë më të ndjeshëm ndaj mjedisit. “Sot ne duam t’u themi të gjithë prindërve se duhet të bëjmë shumë më tepër, të gjithë së bashku, për të pasur në Tiranën tonë të përbashkët më shumë pemë dhe duam t’u bëjmë thirrje të gjithë sipërmarrësve të Tiranës, që t’i bashkohen iniciativës sonë për të mbjellë nga një pemë për çdo njeri, nga një pemë për çdo punonjës të tyre, nga një pemë, e cila të simbolizojë bashkimin tonë për të mirën e fëmijëve tanë, për një të ardhme që të jetë me ajër të pastër, me shoqëri të shëndetshme dhe me jetë të gjatë”,- tha Rama. Aksioni për mbjelljen e pemëve në rrugët e Tiranës do të vazhdojë përgjatë gjithë muajit dhjetor dhe janar 2009. Gjatë kësaj periudhe do të mbillen 3 mijë pemë dekorative të llojeve të ndryshme si rrape, bli aromatik, gështenja, manjola dhe shkurre dekorative.