Në vilën e Enverit ka festë
Jeta e re në ish-vilën e familjes Hoxha. Muzikë në kupë të qiellit dhe festime deri në orët e para të mëngjesit. Vila vazhdon të jetë e rrethuar ndërsa ka ndërruar personazhe, ku bujtës të mbrëmjeve festive janë krerët e shtetit aktual
Një burrë i krekosur mirë, me pallto të rëndë dhe më pas një ushtar i gardës mbërthyer në kopsë të fundit, me kallash kinez në krah, ta bëjnë me dorë së largu të mos avitesh shumë. Nga brenda vilës dykatëshe, muzika tollovitet deri tej në rrugë. Kuptohet që ka festë. Në hollin kryesor, aty ku familja Hoxha priste e përcillte miqtë, vihen re hije që dridhen dhe s’përdridhen. Burri me pallto, sakaq, si për të hequr qafe sa më shpejt, sajon një palo gënjeshtër aty për aty. “Ka festë. Djali i Berishës, Shkëlzeni, feston datëlindjen me miqtë”. Më pas kuis me të madhe. Gënjen si dreqi. E kupton që nuk u soll mirë dhe i fut dhëmbët menjëherë brenda. “Shiko se nuk është e vërtetë ajo që të thashë. Në vilë po organizohet një festë nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit”. Tani e ka seriozisht. Institucioni i Sigurimit Shëndetësor, në kujdesin e veçantë të zonjës Topalli, po kalon në mënyrë të këndshme një mbrëmje festive të prapambetur. Kryetarja e Kuvendit nuk është e pranishme, por kjo nuk do të thotë se mund të hysh kollaj në vilë. Lindita Gjoshi, përgjegjëse e shtëpisë, sakaq ia beh në krye të portës së vetme dalëse të ish-banesës së familjes Hoxha. “Më vjen keq, por nuk mundem t’ju lejoj të futeni brenda”. Me gjithë insistimin, zonja bën rezistencë. Duhet medoemos pajisja me leje, në të kundërt as mos e ço ndërmend të guxosh të cikësh këmbët në oborr. Vila ku diktatori dhe familja e tij jetoi për 40 vite me radhë, tani është rezidencë shtetërore dhe, si e tillë, ruhet në masa të larta sigurie, aq sa, gati-gati të kujton kohën kur ai ishte gjallë dhe në Bllok nuk pipëtinte asgjë. Të vetmit që kanë të drejtë të shkelin brenda janë kokat e larta të shtetit, duke filluar nga Presidenti, Kryeministri e deri të kryetarët e Kuvendit. Pak kush di të thotë me saktësi se çfarë ndodh në brendësi të asaj që njihet si vila e “xhaxhit”, diktatorit të fundit që qeverisi këtë copë truall. Ata që kanë pasur fatin të shkelin kohët e fundit, dëftejnë se nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe. Mobilimi i vilës doemos ka ndryshuar luk, por nga pikëpamja arkitektonike gjërat kanë mbetur po ashtu sikur e lanë me përdhunë. Thonë, me të thëna e kemi se vetë nuk kemi parë gjë, se e vetmja relike e mbetur kujtim nga familja e parë e regjimit, është krevati bashkëshortor i çiftit Hoxha, në katin e dytë. Në raste të veçanta, në vilë vijnë edhe vetë krerët e shtetit, të cilët preferojnë t’i presin miqtë nga larg në shtëpinë ku i ndjeri diktator udhëhiqte me dorë të fortë Shqipërinë Socialiste drejt sukseseve. I fundit, nuk dihet se kur, por kështu thonë, ka qenë Kryeministri Berisha, i cili ka trokitur gotat me verë me anëtarët e një delegacioni të mbërritur nga jashtë. Lindita thotë se në vilë punon një staf i tërë njerëzish që kujdesen për gjithçka, nga mirëmbajtja e oborrit e deri te shërbimi hotelier në banesë. Kuptohet, jeta nuk gjallon më si në kohën kur aty jetonte familja e parë e vendit, por sidoqoftë, vila vazhdon deri diku të ruajë elegancën dhe stofin e paprekshëm të dikurshëm. Njerëzit janë kuriozë të dinë mbi banesën ku jetoi lideri i tyre 50-vjeçar, të njohin rrënzat ku ai punoi apo mori vendime të rëndësishme për kohën, të gjykuara sot keq apo mirë.
Krevati i diktatorit, relikja e fundit e vilës
Me tulla të kuqe e veshur me gurë mermeri të latuar nga jashtë, vila shikohet ende si misteri i fundit i Tiranës, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga të huajt që kalojnë. Në kompleksitet është e njëjta, ashtu sikurse 63 vjet më parë, kur familja Hoxha vendosi përfundimisht të ngrysë jetën aty. Në brendësi, të vetmet objekte që janë ndryshuar janë mobiliet, të cilat janë zëvendësuar me të kohës, ndërkohë që në kat të dytë hesht në dhomën e gjumit krevati i çiftit Hoxha. Nuk ka asnjë gjurmë tjetër. Familja Hoxha nisi të jetonte në vilë në vitin 1945, menjëherë pas ardhjes në pushtet të komunistëve, dhe iku që aty, tani pa të parin e shtëpisë, në fund të viteve ‘80, kur ra nga froni. Edhe oborri nuk është se ka ndryshuar shumë. Të njëjtat pemë dhe në anë trëndafilat që prashiten çdo mëngjes nga kopshtarët e vilës.
Dje
Ishte një super-qytet brenda qytetit. Në të jetonin pjesa më e madhe e anëtarëve të Byrosë Politike, pasi disa prej tyre e kishin refuzuar si, Adil Çarçani apo Kadri Hazbiu. Sipas inxhinierit Skënder Kosturi, dyqani që ndodhej në Bllok nuk gjendej në asnjë vend të Shqipërisë. Aty gjendeshin pothuajse të gjitha ushqimet që i gjeje në Perëndim. Po ashtu edhe farmacia. Vetëm në të mund të gjeje ilaçe që vinin nga jashtë për të gjitha sëmundjet. Mënyra se si ruhej ajo zonë nuk të linte shumë mundësi për liri dhe kjo i bënte më të ndrydhur ata banorë. Materialet dhe mobilimi i shtëpisë vinin nga jashtë nëpërmjet drejtorisë së pritjes. Nga ana tjetër, sipas Kosturit, “Të gjithë ata që kanë dalë që aty kur “binin nga fiku” si,Beqir Balluku, Koço Theodhosi, dilnin të pushkatuar. Shumë të rrallë ishin ata që shkarkoheshin dhe nuk përfundonin keq”
Sot
Me tulla të kuqe, e veshur me gurë mermeri të latuar nga jashtë, vila shikohet ende si misteri i fundit i Tiranës, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga të huajt që kalojnë. Në kompleksitet është e njëjta, ashtu sikurse 63 vjet më parë, kur familja Hoxha vendosi përfundimisht të ngrysë jetën aty. Në brendësi, të vetmet objekte që janë ndryshuar janë mobiliet, të cilat janë zëvendësuar me të kohës, ndërkohë që në kat të dytë hesht në dhomën e gjumit krevati i çiftit Hoxha. Nuk ka asnjë gjurmë tjetër. Familja Hoxha nisi të jetonte në vilë në vitin 1945, menjëherë pas ardhjes në pushtet të komunistëve, dhe iku që aty tani pa të parin e shtëpisë, në fund të viteve ‘80, kur ra nga froni. Edhe oborri nuk është se ka ndryshuar shumë. Të njëjtat pemë dhe në anë trëndafilat që prashiten çdo mëngjes nga kopshtarët e vilës. Sot, pas 18 vitesh, nuk gjen më një person në hyrje të kësaj zone që të kërkojë emrin dhe vendin ku do të shkosh. Tani mund të gjesh vetëm dyqanet me veshjet më të shtrenjta, lokalet më luksoze, me çmimet e produkteve më të kripura në qytet. Dhe jo vetëm. Mund të gjesh zyra, biznese, banka, etj. Kjo sipërfaqe e Tiranës vazhdon ta ruajë atë hijeshi që e ka karakterizuar. Që të blesh një banesë në Bllok, duhet me patjetër të jesh ca i kamur.
Si u ndërtua Blloku
Pjesa jugore e Tiranës, që tani quhet “Tiranë e Re”, ishte tokë bujqësore. Pas krijimit të shtetit shqiptar dhe vendosjes së Tiranës si kryeqytet, u pa e nevojshme që nëpunësit të vinin dhe të jetonin aty ku ishin dikasteret më të rëndësishme të vendit. Pikërisht më vitin 1927-n, doli një ligj i posaçëm, i cili e kthen ish-Bllokun e sotëm në zonë qeveritare. Skënder Kosturi, inxhinier ndërtimi dhe njohës shumë i mirë i zonës rrëfen se, pasi u bë plani rregullues, qeveria e kohës u bleu pronarëve tokën bujqësore me 0,30 franga për çdo metra katrorë dhe më pas ua shiti nëpunësve me 2 franga metri katrori. “Zona filloi të ndërtohej në vitin 1927 dhe përfundoi më vitin 1944. Të gjithë nëpunësit, të cilët kishin një punë në shtet banonin në atë zonë deri në vitin 1945, kur ajo zonë u “blindua”, pasi në të u vendos të jetonin anëtarët e Byrosë Politike”. Inxhinier Kosturi shpjegon se i gjithë Blloku ishte me tunel poshtë, i cili lidhej me Gardën e Republikës.