E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takim i ëmbël i hidhur me Sylvia Plath

Premierë absolute me vargjet në shqipe dhe me zë të poetes Sylvia Plath. Ema Andrea bashkë me Yllka Mujon dhe Loredana Gjeçin shfaqin “Tri Gra – një poemë për tri zëra”

Sylvia Plath ka premierën sonte në sallën e Akademisë së Arteve. Sot deri të mërkurën, çdo ditë në orën 19.00. Në program është një poemë që Plath e kish përgatitur për radio e cila titullohet “Tri gra”. Ema Andrea ka ftuar veten, Yllka Mujon dhe Loredana Gjeçin për të sjellë me zë poeten amerikane.

Ky emër njihet fare pak në Shqipëri. E botuar në ndonjë antologji apo revistë letrare diku, ky është rasti i parë kushtuar tërësisht asaj për t’i bërë jehonë një autoreje të rrallë, një talenti genuin, të zbuluar pas vdekjes, pas vetëvrasjes, helmimit me gaz, në moshën 30-vjeçare. “Por do doja që kjo të mos vihej në dukje”, ndërhyn Andrea e cila në këto katër vite është përkulur dhe ka përpirë gjithë veprën e Plath-it, poezitë, poemat, “Arielin”, “Babain”, dhe sidomos ditarin e saj që Ema është gati ta shumëfishojë dhe qarkullojë si të ishte libër i ndaluar.

Ka më shumë se një vit që aktorja dhe regjisorja e teatrit është shprehur me gjysmë zëri që do donte të sillte në skenë poezinë e Sylvia Plath-it.

Me kompaninë “Teatri i ri” dhe me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Tiranë ia bërriti kësaj dite, në bashkëpunim me Astrit Canin dhe Shpëtim Kelmendin, ata që kanë përkthyer në shqipe këtë autore dhe poemën e inskenuar që do të shohim në Akademinë e Arteve, “Tri Gra”.

Ema thotë se është konceptuar me shprehësi fizike dhe tingujsh natyralë të cilët vijnë edhe live. “Është diçka midis sureales dhe natyrales si koncept skenografik dheinterpretim, sepse janë tri gra përpara aktit të lindjes: njëra e dështon fëmijën, njëra e braktis dhe njëra e lind. Në këtë dilemë janë të gjitha raportet që ato ridimensionojnë me botën, me meshkujt, me fëmijët dhe me jetën. E njoh këtë autore prej katër vitesh, e njoh nga gjuha italiane gjithë veprën e saj. Kam bashkëpunuar me Astrit Canin dhe Shpëtim Kelmendin për ta njohur Silvian po edhe pse gjeta dy njerëz që e dashuronin atë poete sikurse dhe unë.”

Sylvia Plath (1932-1963).

Sipas të dhënave biografike që jep Bill Gilson, Sylvia Plath u lind në një familje të shtresës së mesme në Xhamajka Plejn, Masaçuset. Botoi për herë të parë në moshën tetë vjeç. E ndjeshme, inteligjente, e prirë drejt përsosjes në gjithçka që përpiqej të bënte, ajo ishte, në dukje, bija model. Ndoqi Smith College më 1950 dhe deri atëherë kishte botuar mjaft vargje.

Vdekja e të atit i la gjurmë të pashlyeshme dhe i kushtoi atij poezinë “Babai” që veçohet ndër të tjera. Pas kthimit për pak kohë nga Kolegji britanik në Nju Jork tentoi të vrasë veten. Përvojën neurotike dhe ndjesitë e luhatjeve nga ëndrra në realitet, e përshkroi në romanin autobiografik “The Bell Jar”, i botuar më 1963. Pasi e mori veten – shërimi i saj i përkohshëm nënkuptonte ndërhyrjet me elektroshok dhe psikoterapi - Sylvia i kthehet me sukses letërsisë dhe studimeve pas bursës që fitoi për në Kembrixh.

Më 1956 martohet me poetin anglez Ted Hughes, dhe më 1960, kur ishte 28 vjeç, u botua në Angli libri i saj i parë, “The Colossus”. Çifti u vendos për pak kohë në një fshat në Dejvën, por dy vjet pas lindjes së fëmijës së tyre të parë, martesa u prish.

Dimri i acartë 1962-63, e gjeti Sylvian në një apartament të vogël në Londër, me dy fëmijë, të sëmurë dhe pa të holla. Duket se vështirësia në jetën e saj i forconte nevojën për të shkruar, dhe në përgjithësi punonte ndërmjet orës katër dhe tetë të mëngjesit, para se fëmijët të zgjodheshin, dhe ndonjëherë e mbyllte brenda ditës një poezi. Në poezitë e saj të fundit duket sikur një vete më e thellë dhe më e fuqishme t’i ketë rrëmbyer kontrollin; vdekja është dhënë si një ngashnjim fizik dhe mizor dhe si një dhimbje trupore që bëhet pothuasje e prekshme.

Më 11 shkurt, 1963 Sylvia Plath u vetëhelmua me gaz në moshën 30-vjeçare. Dy vjet më vonë u botua “Ariel” një përmbledhje e poezive të saj të fundit; kjo u pasua nga “Crossing the Water” dhe “Winter Trees” më 1971, dhe, më 1981 u botua nga i shoqi i saj Ted Hughes “The Collected Poems”.

Lexuesi shqiptar, më saktë publiku spektator, e takon Sylvia Plath-in 45 vjet pas vdekjes. Takimi bëhet me një poemë që sipas Ema Andreas të çon tek takimi me femrën që nuk ka frikë dhe do të rizbulojë. “Është nënë, është femër, është grua, është intelektuale. Edhe pse i përket një epoke gjysmë shekulli larg, për mua Sylvia Plath është një lëvizje për të rizbuluar botën tënde.”

Ema vlerëson pasurinë gjuhësore dhe sidomos tek “Tri gratë”, personazhet që kanë një lëvizje të brendshme, që ridimensionohen bashkë me marrëdhëniet e tyre. Zbulon femrën në një dimension sa natyral, instiktiv, të vërtetë aq edhe hyjnor. “Për mua ky është një prezantim ndryshe me spektatorin. Është një shfaqje e mbushur me ndjesi, është një ftesë për rizbulim, jo për mesazhe.”

Duke iu rikthyer edhe njëherë biografisë që Sylvia Plath-it që u rrit si poete në atmosferën britanike, Ema shton se është abuzuar shumë me atë që mund të quhet shembull nga miti i vdekjes së poetit, për më tepër i ri. Ka pasur gra që e kanë marrë si shembull edhe aktin e saj përfundimtar, fundin e saj, vetëvrasjen, të cilin regjisorja refuzon ta quajë akt dëshpërimi apo zgjidhje që i jep jetës një njeri me probleme.

Në fakt ajo mbetet për të një njeri që e dashuron jetën. Kush i ka lexuar librat e saj ka gjetur këtë dashuri. Sot është dita që Ema Andrea gjënë e bukur që quhet Sylvia Plath dëshiron ta ndajë me të tjerët dhe në një të ardhme të afërt të shohë të botuar në shqipe një libër të sajin. Si fillim po i japim lexuesit një fragment nga poema “Tri gra” përkthyer nga origjinali nga Cani-Kelmendi.

Shfaqja poetike bashkon për të dytën herë Andrean me aktoren sa herë e shumëpritur, Yllka Mujo dhe të renë me një të ardhme përpara, Loredana Gjeçi.

Regjia muzikore realizohet nga Genti Rushi, nën tingujt e Ediola Islamaj dhe Klediriola Malolli (violinë) dhe Herida Duro (violë).

Skenografia është e Ilir Kasos, ndërsa kostumet të Bebeka Allës.

Zëri i parë

Jam e qetë. Jam e qetë. Një qetësi që i paraprin diçkaje të tmerrshme

Minuti i verdhë para se të mëshojë era, kur gjethet

Kthejnë përmbys pëllëmbët, zbehtësinë e tyre. Sa qetë është këtu!

Çarçafët, fytyrat janë të bardha dhe të ndalura, si orët.

Zërat tërhiqen dhe sheshohen. Hieroglifet e tyre të dukshme

Sheshohen në erëpritës pergameni për të mbajtur erën larg

Ç’sekrete pikturojnë në gjuhë arabe, kineze!!

Jam e pagojë, e murrët. Jam një farë që po mugullon.

Ngjyra e murrme është uni im i vdekur, dhe është e ngrysët:

Nuk dëshiron të jetë më tepër, as më ndryshe

Tash muzgu më kaplon me blu, si një Madonë

Oh, ngjyrë e largësisë dhe e harrimit!

Kur do të vijë çasti që Koha të kriset

Dhe përjetësia ta gëlltisë, dhe unë të mbytem pa shpëtim?

Flas me vete, veç me vete, e veçuar -

E lyer dhe e zhyer me disifektantë të bujshëm, gati për fli

Pritja nderet e rëndë mbi qepallat e mia. Rëndon si gjumi,

si një det i gjërë. Larg, larg ndjej dallgën e parë tek tërheq zharg

Drejt meje barrën e saj të torturave, baticë e pashmangshme.

Dhe unë, një guackë, që lëshoj jehonën në këtë plazh të bardhë,

përballë zërave që dhunojnë, elementi i tmerrshëm.

Marrë nga poema “Tri gra”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›