Brown:Gjeni zgjidhje për EULEX-in

Kryeministri britanik, Gordon Brown, i ka inkurajuar krerët e institucioneve të vendit që të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejtë për vendosjen e misionit EULEX në Kosovë. Një zëdhënës i kryeministrit britanik ka deklaruar se Britania është e angazhuar për një Kosovë të pavarur dhe një Ballkan të qëndrueshëm. "Nuk mbështesim njërin apo tjetrin plan por duam që të gjithë të diskutojnë dhe të jenë konstruktiv për një zgjidhje në mënyrë që EULEX-i të shtrihet ne Kosovë" ka thënë zëdhënësi. Ndërsa, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës gjatë takimit me kryeministrin britanik kanë përsëritur qëndrimin e tyre se misioni EULEX mund të vendoset në bazë të pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës së Kosovës. Vizita e tyre në Londër konfirmon mbështetjen e Britanisë për Kosovën.