E Diel, 1 Nëntor 2026

Bruceloza, fillojnë vaksinimet në të gjithë qarkun

 

Pas 10 vatrave dhe disa vdekjeve vitin e shkuar, masa për eleminimin e infektimit nga bruceloza

 

ELBASAN-Vatrat e regjistruara një vit më parë për sëmundjen e brucelozës kanë bërë që Drejtoria e Bujqësisë dhe veçanërisht Inspektorati Veterinar të nisë një fushatë për vaksinimin e bagëtive në të gjithë qarkun e Elbasanit. Kjo sëmundje që ka regjistruar edhe një numër të madh vdekjesh sidomos në zonën më të prekur siç është ajo e Gramshit transmetohet nga kafshët tek njerëzit nëpërmjet mishit dhe qumështit. Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Shkëlqim Elezi, konfirmoi se vaksinimi i kafshëve është një proces në vazhdim në të gjithë qarkun dhe nga verifikimet bëhet e ditur se asnjë bagëti në rang qarku nuk konsiderohet i prekur nga kjo sëmundje. Mësohet se një vit më parë në zonën e Gramshit janë regjistruar mbi 10 vatra të brucelozës, e cila ka shkaktuar disa të vdekur, pjesa më e madhe e tyre emigrantë të ardhur nga Greqia. Gjithashtu Inspektorati veterinar ka marrë një sërë masash për parandalimin e sëmundjes së TBC- së tek bagëtitë. "Situata është mbajtur nën kontroll dhe tashmë janë hartuar edhe planet e punës për vitin 2008" . Rritja e sigurisë ushqimore dhe mbrojtja e shëndetit publik ka qenë në vëmendje të punës sonë",- theksoi Elezi, ndërsa veçoi kontrollet në tregun e bukës për sa i përket çmimit të lëndës së parë. Nga kontrollet e ushtruara gjatë këtij viti, inspektorët e DRBUMK kanë vendosur mbylljen e dy subjekteve për mungesë të kushteve higjieno-sanitare, librezë shëndetësore etj. "Kontrolle janë ushtruar dhe në pikat e tregtimit të artikujve ushqimorë, ku vetëm ditët e fundit janë bllokuar dhe asgjësuar rreth 50 kv produkte ushqimore, të cilave u kishte kaluar afati i përdorimit", përfundoi Elezi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›