E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bruksel, Dialogu për vizat me Kosovën në janar

BRUKSEL-Burimet e Komisionit Evropian në Bruksel kanë konfirmuar të premten se dialogu për liberalizim të vizave me Kosovën, do të filloj më 19 janar të vitit të ardhshëm.

Kjo datë i është propozuar ministrit të Brendshëm të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, nga ana e komisionares për çështje të brendshme, Cecilia Malmstrom, raporton Radio Europa e Lirë.

Komisioni Evropian në këtë mënyrë ka vlerësuar se autoritetet e Kosovës kanë bërë një përparim të kënaqshëm për nisjen e dialogut, por gjatë procesit do të identifikohen edhe kushtet e tjera, që Kosova duhet t’i plotësoj për arritjen e synimit për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian.

Aktualisht, nga vendet e rajonit, vetëm Kosova nuk është e përfshirë në regjimin e udhëtimit pa viza për në zonën Shengen të Bashkimit Evropian. Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar disa herë se kanë përmbushur kushtet për fillim të dialogut dhe se tani presin vetëm udhërrëfyesin nga Brukseli.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›