E Diel, 1 Nëntor 2026

Bruksel, Gjunkshi takime me homologë të NATO-s

Vazhdon në Bruksel takimi i shefave të mbrojtjes të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere. Axhenda e Takimit paraqitet intensive dhe me mjaft interes, pasi krahas vlerësimit të ecurisë së operacioneve të NATO-s, përfundimet e këtij takimi do të jenë njëkohësisht edhe referencë e rëndësishme për Samitin e Çikagos që do të zhvillohet në muajin Maj 2012.
 

Takimi zhvillohet vetëm tri javë para Samitit në Çikago dhe vetëm një javë pas takimeve të Ministrave të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes. Pra me qëllimin që gjatë dy ditëve të takimit për të vlerësuar mbi progresin e bërë dhe për të kontribuar për suksesin e Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive interesi dhe përgjegjësia për takimin shtohen edhe më tepër.
 

Punimet në Komitetin Ushtarak u zhvilluan përmes një dialogu efektiv dhe konstruktiv. Diskutimet afirmuan një kuptim të përbashkët për vështirësitë me të cilat përballet sot Aleanca, por edhe një qasje të përbashkët se si të shkojë përpara.
Pas sesionit të parë të Komitetit Ushtarak me Sekretarin e Përgjithshëm, u kalua në prioritetet operacionale ku spikati debati për operacionin në Afganistan.
 

Pavarësisht nga një numër sfidash taktike në kohët e fundit, zyrtarët më të lartë ushtarak shprehën optimizmin për ecjen në rrugën e duhur. Duke u ndalur në Forcat Afgane të Sigurisë Kombëtare, përfaqësues të komandës së ISAF, por edhe shefat e mbrojtjes vlerësuan se Forcat Afgane të Sigurisë është duke marrë rolin udhëheqës dhe duke u bërë më efektive.
Ata zhvillojnë mbi 40 për qind të gjitha operacioneve dhe rreth 50% e popullsisë jeton tashmë në zonat nën komandën dhe kontrollin e tyre.
 

Admirali Stavridis, SACEUR, dhe Gjenerali John Allen, Komandanti i ISAF paraqitën një panoramë të qartë të ecurisë operacionale.
Shefat e Mbrojtjes vlerësuan dhe mbështetën angazhimet e ISAF dhe shprehën vullnetin për suksesin e operacionit.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Gjunkshi, duke shprehur konsideratë për ISAF, njëkohësisht theksoi vullnetin në emër të Forcave tona të Armatosura, për një angazhim sa më efektiv operacional në Afganistan.
Në sesionin e Takimit NATO me Rusinë/Ukrainën/Gjeorgjinë u shqyrtuan mundësitë për të përmirësuar bashkëpunimin reciprok nisur nga perspektiva ushtarake.
Në këto sesione delegacioni shqiptar mbështeti arritjet dhe u shpreh për hapësirat që këto formate të ngrihen në një nivel më dinamik.
Në ditën e dytë, Shefat e Mbrojtjes në formatin e Komitetit Ushtarak, shqyrtuan angazhimet e NATO-s në zona të tjera rajonale, duke përfshirë një vlerësim të veçantë në mësimet e nxjerra nga Libia.Të gjitha këto u paraqitën prej komandës Operacionale të NATO-s(ACO).
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Gjunkshi, shprehu vlerësimet respektive për angazhimet e aleancës, si dhe për kontributin e Forcave të Armatosura në suksesin e tyre.
 

Nëpërmjet një debati, në nivel strategjik u trajtuan ruajtja e kapaciteteve dhe aftësive në përballje me sfidat ekonomike.
Edhe në këtë debat, fokusi u hodh në "Smart Defense", në "Defence Package" dhe në "Ballistic Missile Defense",nën filozofinë, që NATO mund të arrijë të ketë nivelin e ambicies në kushte aktuale dhe të perspektivës - të bazuar në ndarje sa më të drejtë të barrës dhe përgjegjësive.

Në fund të takimit, Komiteti në formatin e Shefave të Shtabit, zhvilloi diskutimin mbi implementimin e strukturës së re të NATO-s, ku tashmë vendi ynë ka shprehur vlerësimet dhe angazhimet e veta.
 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi vlerësoi procesin dhe shprehu angazhimin e vendit tonë në kuadrin e nismave strategjike duke theksuar seriozitetin dhe përkushtimin.

Gjatë ditëve të zhvillimit të Takimit të 167 të shefave të mbrojtjes, Gjeneral Major Gjunkshi, pati edhe një numër takimesh me homologët e NATO-s dhe trajtoi çështje me interes reciprok.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›