Brukseli: Edi Rama, përgjegjësi i vetëm për shëndetin e grevistëve

Komisioneri për zgjerim Stefan Fule, e ka theksuar prerë dje se “Edi Rama është përgjegjësi i vetëm për shëndetin e grevistëve të urisë”. Ai i kërkoi liderit të opozitës të jetë në lartësinë e pozicionit të tij, ndërkohë që ka deklaruar se kjo krizë e papërshtatshme nuk do të ndikojë në marrjen e vendimit të qershorit, për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë
Ndërkombëtarët i kanë dhënë dje një kritikë të fortë grevës së urisë së depuettëve e militantëve të PS-së. Në takimin e parë të Komisionit të Asociimit dhe Stabilizimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, zhvilluar në Bruksel, përfaqësues të institucioneve europiane janë deklaruar kundër grevës së urisë së Partisë Socialiste.
Më i ashpër ka qenë Komisioneri Europian për zgjerimin Stefan Fule. Ai tha se i ka bërë të qartë kreut socialist Edi Rama, se do të mbajë përgjegjësi personale për shëndetin e njerëzve të ngujuar në grevë urie.
“Situata politike fatkeqësisht është një çështje tjetër. Unë fola me kryeministrin Berisha dhe liderin e partisë socialiste, duke ju bërë një thirrje më shumë për të gjetur një zgjidhje për ta bërë Parlamentin funksional, për t’i dhënë mundësinë Komisionit Evropian që të jetë më shumë pozitiv për opinionin që përgatit për Shqipërinë. Greva e urisë po e keqëson situatën dhe unë ia bëra të qartë zotit Rama, se ai do ketë një përgjegjësi personale për shëndetin e personave që ndodhen atje”, u shpreh Komsioneri Fule.
Sipas eurodeputetëve, bojkoti dhe protestat e opozitës dëmtojnë imazhin e vendit dhe bllokojnë integrimin e Shqipërisë ne Bashkimin Europian.
Komisioneri Europian për Zgjerimin Shtefan Fyle sqaroi se liberalizimi i vizave dhe opinioni për statusin kandidat, ku luan rol dhe mosfunksionimi i duhur i parlamentit, janë dy çështje të ndara.
“Politika e vizave nga njëra anë dhe situata politike dhe përgatitja e opinionit për statusin kandidat nga ana tjetër janë dy procese të ndryshme. Lidhur me liberalizimin e vizave, ka një udhërrëfyes me detyra shtëpie të qarta dhe mund të them, se Shqipëria ka bërë një progres shumë të madh për plotësimin e udhërrëfyesit. Janë disa çështje që mbeten për tu plotësuar, por mendoj, se ne mund të bëjmë një vlerësim pozitiv dhe shpresoj një rekomandim pozitiv për vizat”, sqaroi më tej Fule.
Për heqjen e vizave kriteret janë teknike dhe nuk është shtuar asgjë e re nga ç’përmbante fillimisht udhërrëfyesi për këtë proces.
“Nuk kemi shtuar asgjë dhe rregullat e lojës nuk kanë ndryshuar, janë po të njëjtat që u përcaktuan që në fillim. çështja është se mbeten pak gjëra ende. Bazuar në vlerësimin tonë, ju nuk keni zbatuar plotësisht të gjitha kriteret e kërkuara. Ne po e bëjmë të qartë këtë gjë, që përpara se të merret vendimi, të gjitha këto çështje që kanë mbetur duhet te jenë përmbushur, por kjo nuk duhet të mahnisë askënd, sepse ishin pjesë e udhërrëfyesit qysh prej fillimit”, u shpreh Fule.
Deklaratat Komisioneri europian për zgjerimin i bëri pas takimit të komitetit ndërparlamentar, Shqipëri-BE, e Asociim-Stabilizimit.
Vlerësim maksimal dha Komisioneri për Zgjerim, për rritjen ekonomike të vendit.
“Kam mirëpritur hapat e parë të ndërmarrë deri tani nga Shqipëria për të informuar qytetarët e saj për lëvizjen pa viza. Duhet të nënvizoj rëndësinë e këtij hapi për të evituar ndonjë përsëritje të ndodhur së fundi në disa vende të rajonit. Mendoj se duhet të jemi optimistë dhe se Shqipëria duhet të vijojë me ndërmarrjen e reformave të tjera dhe të adresohet në ndërmarrjen e reformave më të gjera për të luftuar ekonominë informale. Ka pasur rritje të ekonomisë në këto dy vitet e fundit dhe parashikohet rritje dhe në të ardhmen, krahasuar kjo me vendet fqinje dhe ato evropiane. Kjo është mbresëlënëse dhe duhet ta pranojmë. Shqipëria duhet të vendosë të zbatojë një strategji për reformën në drejtësi, sepse duhen më shumë përpjekje që proceset gjyqësore të mos zvarriten tej afateve ligjore, si dhe të respektohet parimi i paanshmërisë, transparencës, pavarësisë dhe besueshmërisë. Kjo është dhe një nga kërkesat e hershme dhe në kuadër të Stabilizim Asociimit me Shqipërinë”, tha Fule.
Megjithatë Komisioneri për Zgjerim theksoi rëndësinë e vazhdimit me reformat, siç është ajo në gjyqësor, që siç theksoi ai, duhet të veprojë në mënyrë më efiçente. çështje të tjera që u diskutuan ishin edhe hapat që janë ndërmarrë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku ministrja e Integrimit, theksoi se qeveria shqiptare po punon rreth reformave dhe ka plotësuar në një kohë të shkurtër shumë prej tyre. Ajo që sipas Komisionerit për Zgjerim përbën shqetësim, është situata politike, e cila kohët e fundit është përkeqësuar.