Ditari online/Lind disidenca në çadrat e Bulevardit
Shumë prej deputetëve grevistë kanë nisur të mbajnë ditaret e ditëve të vështira të grevës, por njëri prej tyre e ka vlerësuar ditarin edhe si arkiv të reagimeve e qendrimeve jozyrtare ditore të grevistëve. Ky ditar po mbahet në mënyrë të çuditshme online, në një faqe që ende është me akses të kufizuar vetëm për familjarët e deputetit, por që përcillet për lexuesit nga një abonent i vjetër i atij network-u
Risitë po shtohen me zgjatjen e vendimit të Edvinit për të mos lejuar daljen e grevistëve nga çadrat, për të mos folur në mënyrë të pavarur me gazetarët dhe për të mos u pyetur kur është koha për të hartuar listën e “të sëmurëve që duhet të shpallen rëndë e të çohen me kamera në spital”.
Por kësaj censure klasike për pjelljet politike të Edvinit i ka shpëtuar një moment i vogël, interneti. Duke e kujtuar si një moment të parrezikshëm e që zgjeron netëork-un e propagandës, ndër deputetët është hapur dritarja e disidencës, aq e përhapur tek falangat post-bolshevike, e që tani po mbin virtualisht edhe tek kazermat socialiste.
Dhe një ditar online, po spikat mbi të tjerët, për shkak të formës së përzgjedhur, për t’u shkruar si një tërësi e reagimeve disidente të kolegëve, gjatë ditëve të këtij internimi të papritur, në të cilin e gjetën veten, shumica prej deputetëve-grevistë. “ç’është kështu, thotë një deputet-biznesmen, endesha pa drekë nëpër pika furnizimi, për interes të lokalit që kam në zemër të kryeqytetit, kur dy djelmosha që këto kohë rrinë pas Edit, më rrasën një batanije në shpinë e më thanë “futu tek çadra këtu pranë”. Askush s’më lajmëroi, më trajtuan sikur të isha pronë private e kryetarit... Bile jo e kryetarit, por e këtyre djemve të rinj, që me sa duket s’kanë as vetë lidhje me kryetarin, por lidhjen e shkurtër e kanë vetëm me Endri Fugën”. Disidenca po forcohet tek deputetët dhe grevistët e periferisë, nënvizon “pronari” i ditarit, i cili u ka dhënë akses për lexim online, vetëm pjesëtarëve të familjes së tij...por siç thuhet, kur një gjë e dinë tre vetë (familja e deputetit-dëshmitar ka pesë anëtarë në fakt), e dinë 100 vetë. “Një deputete nga qarku i Elbasanit ka nisur të bërtasë nëpër çadër se e dinte grevën me më shumë variacion, por qenkë veç një kazermë ku duhet të sillesh si burrë, të vishesh si burrë dhe të urdhërohesh si grua”. Ky tip disidence ka gjetur mbështetje të gjerë, pasi edhe një deputete e qarkut të Korçës, e mbështeti me forcë e publikisht, duke regjistruar disidencën e parë publike, por që u fashit, sapo Ilir Beqjes iu kthye vëmendja nga bredhja nëpër kujtime, kryesisht kur ngrohte stolin e një ekipi basketbolli, “by... më by...” me Edi Ramën. Ilir Beqja është shpallur si syri dhe veshi i kryetarit, dhe në çadrën publike s’mund të ketë asnjë lloj disidence për Edi Ramën dhe PS-në.
Në publik jo, por online, pse jo? Bash kjo është filozofia që udhëheq deputetin tonë të urtë, i cili vijon ta furnizojë familjen e tij (dhe netëork-un që ajo ka krijuar) me informacionet për disidencën që po lind në çadrat e grevës. “ç’është kjo pikë e zezë, jemi kthyer si banka politike ku ul të pasmet Spartak Ngjela, thotë deputeti më i vjetër i çadrës jugore të Bulevardit. Mua më ka shkuar e gjithë karriera politike, duke e sharë si anarkist, allishverishs, lojcak, rrencak, frikacak, ardhacak e ikanak, e tani duhet të dëgjoj edhe pordhët e tij anglo-saksone”. Të njëjtin mendim, deputeti i vjetër ndante edhe me shkurtabiqin e Beratit, i cili megjithëse jo në grevë, në një veçim i tha fjalëpërfjalë se “s’durohet më kjo parti private, ku Erion Veliaj pyetet për çdo gjë, edhe se cilat deputete do të na rrinë pranë, edhe se cilët deputetë duhet të na rrinë ngjitur”.
Ditari online po pasurohet me shpejtësi me dëshmitë e disidencës që po lind ndër çadrat e grevistëve. Mbrëmë bile, u bë njëfarë rrëmuje kur hartohej lista se cilët do të shpalleshin të sëmurë ditën e nesërme, pasi propozimi “të rrisim numrin” mbizotëronte mbi fytyrën e ashpër të Gramoz Ruçit, që kishte marrë urdhër veç për “dy të lënduar”.
Të shohim si do të vijojë qëndresa sot (rrëfimi premtohet sërish nga ditari online i deputetit), megjithatë duket se nga çadrat publike më në fund do të mbijë ajo disidenca publike që u mbyt pa lindur mirë në Kongresin e fundit.