Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Meta: Edi Rama t’i kthehet dialogut, të heqë dorë nga barrikadat
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaron se Edi Ramës i është ofruar në tryezë zgjidhja e ngërçit politik, por si zakonisht ka refuzuar çdo nismë të mazhorancës për dialog. Gjatë një konference për shtyp, Meta u bëri thirrje drejtuesve të Partisë Socialiste që nuk janë pjesë e grevës së urisë, të reflektojnë dhe të tregojnë më shumë përgjegjësi, në një moment kaq të rëndësishëm për vendin kur të gjithë kanë zgjedhur alternativën e integrimit evropian. Gjithashtu, Meta theksoi se është e nevojshme të hiqen barrikadat artificiale sepse ekzistojnë hapësirat e mjaftueshme për dialog dhe për t’u dhënë një zgjidhje demokratike kërkesave të opozitës, gjithnjë në respektim të kushtetutës së vendit dhe parimeve të shtetit të së drejtës.
Në këtë kontekst, duke theksuar rëndësinë e ushtrimit të përgjegjësisë maksimale, Meta bëri thirrje për rivendosjen e dialogut të shpejtë për ta kaluar këtë situatë, e cila nuk është në interesin e askujt.
“Do doja të shfrytëzoja këtë mundësi për t’iu drejtuar drejtuesve të Partisë Socialiste, atyre që janë jashtë grevës, që të marrin më shumë përgjegjësi për të tejkaluar këtë situatë, e cila nuk mendoj se i shërben dikujt në këtë vend. Duhen evituar alternativat të cilat janë bërë publike për të zgjedhur midis jetës apo vdekjes, sepse unë besoj se të gjithë në këtë vend kanë zgjedhur alternativën e integrimit evropian, ku besoj se kjo është një zgjedhje edhe e Partisë Socialiste. Besoj se duke qenë një moment i rëndësishëm për vendin, por edhe një moment kur të gjithë duhet të investojnë në mënyrë pozitive unë jam i bindur se ekzistojnë hapësira të mjaftueshme për t’i zgjidhur dhe për t’i trajtuar në mënyrën më demokratike dhe më transparente, por edhe duke respektuar kushtetutën e vendit, kërkesat dhe pretendimet e Partisë Socialiste edhe të opozitës. Ndaj do t’i ftoja edhe një herë të marrin më shumë përgjegjësi, në një moment kur nga ana e mazhorancës dhe Qeverisë është bërë i qartë vullneti për dialog. Natyrisht kjo duhet të ndodhë duke evituar përpjekje që kërkojnë të krijojnë barrikada të panevojshme, ndërkohë që mundësitë e dialogut jo vetëm që nuk kanë shteruar por e theksoj, që ka hapësira të mjaftueshme duke kombinuar transparencën dhe respektin për kushtetutën e vendit”, u shpreh Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta.