Socialistët shpallin kamikazët si strategji politike shantazhi
Duke deklaruar një tregti politike me vetësakrifikimin e një numri anëtarësh, Edi Rama po synon zyrtarizimin e një formacioni politik që do të përdorë edhe kamikazët si mjete për marrjen e pushtetit. Deklaratat duhen marrë në konsideratë, jo të lihen si shfaqje të dëshpëruara të një të dështuari politik
Edi Rama ka shkuar shumë larg me deklarimet se alternativat politike që ai ofron janë alternativat mes jetës dhe vdekjes. Në mënyrë disi periferike e përmendi dje këtë sakrilegj edhe zv/kryeministri Ilir Meta, por në mbrëmje, në një intervistë televizive, Rama e zyrtarizoi vendimmarrjen e tij për të sjellë në politikën shqiptare kamikazët si performancë e metodë politike për marrjen e pushtetit. “Ata që janë në grevë janë të vendosur deri në fund” dhe në rast se ata mbarojnë (sëmuren, apo larg qoftë, u ndodh edhe më e keqja), janë gati të tjerë t’u zënë vendin, bile edhe trupi im do të vihet në dispozicion”, deklaroi Edi Rama në fraza krejt të dënueshme sipas ligjit dhe kushtetutës së vendit... Por s’është ky shqetësimi i parë. Shqetësimi kryesor është zyrtarizimi i kulturës së kamikazëve si një metodë politike për të bërë shantazh e për të marrë pushtetin. Tradita e samurajve të mesjetës në Japoni, e ripërtërirë vetëm në botën islamike si një version i “Luftës së Shenjtë” nuk ka gjetur vend në Evropë dhe mullahu politik Edi Rama është i pari që e artikulon. Përdorimi i vdekjes së bashkëpunëtorëve për të marrë pushtetin, ka skandalizuar dje eurodeputetët në Bruksel, por po nis të tërheqë vëmendjen edhe të opinionit shqiptar, disi i ngadaltë në përkthimin e artikulimeve të tilla të tmerrshme. Kamikazët politikë dhe përdorimi i vdekjes nuk është më një legjendë urbane, por një artikulim politik i Edi Ramës, një tentativë për të luajtur me mendjet e me zemrat e shqiptarëve. Rezultati i parë do të ishte një emocion negativ që do të krijohej në Bruksel dhe një rreshtim i frikshëm i Shqipërisë si një vend potencial për veprime destabilizuese, ndoshta edhe me frymëzime terroriste, ndërkohë që stabiliteti institucional në vend do të shndërrohej shumë i brishtë, kur partia më e madhe e opozitës do të shpallte si platformë të vetën shantazhuese vetësakrifikimin e një numri anëtarësh. Më tej vjen përdorimi i këtij akti edhe për dëmtimin e jetëve të kundërshtarëve politikë dhe Edi Rama s’e pati për gjë të keqe ta jepte këtë mesazh duke përmendur trupin e tij, si një mundësi për të arritur këtë “kauzë”. Platforma e kamikazëve duhet ndalur menjëherë në artikulimin e ditës, para se ajo të kthehet në një platformë zyrtare, të regjistrojë viktimat e para dhe të rreshtojë vendin në listën e vendeve që potencialisht mund të qeverisen nga formacione politike me frymëzime terroriste. Meqenëse nuk kemi precedentë kaq të rrezikshëm, s’është shumë e qartë sjellja e strukturave të sigurisë ndaj deklaratave të tilla, por këto janë punë që duhet t’i dinë vetë këto struktura. Puna e opinionit publik është të denoncojë këtë mullah të politikës shqiptare, e më pas vjen edhe puna e formacioneve politike që pranojnë sistemin demokratik dhe izolojnë këtë virus që s’duhet lejuar të fitojë qytetarinë.