Brukseli: “Jemi të sigurt se Shqipëria s’do ta humbë statusin këtë vit”

Komisioneri i BE për Zgjerimin, Stefan Fyle ka shtuar dje optimizmin se kursi i reformave do të shpërblehet me akordimin e statusit të kandidatit në tetorin e këtij viti. Ai theksoi se institucionet evropiane kanë ndjeshmëri pozitive mbi zhvillimet në Shqipëri dhe besojnë se s’do të humbet më kohë për reformën zgjedhore dhe përparimin tek disa nga 12 rekomandimet e KE
Procesi i Integrimit Europian dhe ecuria e reformave kanë qenë temë e takimit mes ministres së Integrim ti Majlinda Bregu dhe komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, me Presidentin e Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore Eduard Kukan, Eurodeputetin Libor Roucek, kryetar i Grupit të Punës të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor, Raporterin e Parlamentit Europian për Shqipërinë Nicholaos Choundis, si dhe eurodeputetë të tjerë.
Ministrja i njohu eurodeputetët me ecurinë e procesit të reformave në Shqipëri, veçanërisht në kuadër të përmbushjes së 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit Evropian, nën orientimin e Planit të Veprimit të hartuar për këtë qëllim. Pas takimit me Komisionerin Fule, ministrja Bregu u shpreh për mediat se Komisioni Evropian vlerëson progresin e reformave në Shqipëri që prej muajit nëntor të vitit të kaluar.
Sipas saj, Plani i Veprimit i dorëzuar dje tek autoritetet e Bashkimit Evropian, është vlerësuar pozitivisht si një dokument që plotëson rekomandimet kryesore të KE, siç është gjithëpërfshirja. “Plani i Veprimit, të cilin e kemi dorëzuar pranë Komisionit Europian, është vlerësuar jo vetëm si një dokument pune i mirë, por edhe për faktin se gjatë rishikimit të tij është përmbushur ose plotësuar një nga sugjerimet edhe të Komisionerit Fyle, që është gjithëpërfshirja. Ky është lajm i mirë, motivues, që na jep mundësi të gjithëve që këtë frymë të bashkëpunimit të vendosur në nëntor mes forcave politike, ta përkthejmë në rezultate konkrete”, u shpreh ministrja e Integrimit.
Stefan Fule: Shqipëria s’ka kohë për të humbur, do ecë drejt integrimit/Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fule u shpreh dje pas takimit me ministren e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu se Shqipëria do avancojë me perspektivën e saj të integrimit. Fule përshëndeti miratimin nga qeveria të Planit të Veprimit të rishikuar, duke adresuar rekomandimet e Komisionit për Shqipërinë. Sipas Fule, Shqipëria duhet të verë në përdorim të gjitha kapacitete e saj, në mënyrë që të ecë përpara në rrugën e reformave përsa i përket plotësimit të kritereve politike, sundimit të ligjit dhe garantimi i të drejtave të njeriut. “Unë jam i bindur se Shqipëria nuk do të humbasë kohë dhe do të shkojë përpara me të gjitha aksionet e nevojshme, në mënyrë që të arrihet progresi i duhur në të gjitha fushat. Këto arritje duhet të përfshijnë konkluzionet e reformës zgjedhore dhe rishikimin e rregullores parlamentare, të cilat do t’i çelin rrugën një përparimi më të gjerë në fushat e tjera. Më lejoni të theksoj në këtë drejtim, rëndësinë e reformës së pronësisë nga të gjitha palët e interesuara dhe vazhdimin e një bashkëpunimi gjithëpërfshirës dhe konstruktiv në dialogun mes qeverisë dhe opozitës. Komisioni Evropian është i gatshëm të kontribuojë me mbështetje dhe udhëzime të nevojshme, për këtë çështje të rëndësisë kombëtare, siç është integrimi dhe lëvizjen e Shqipërisë përkrah vendeve të rajonit, në rrugën e integrimit evropian”- u shpreh Fule.