Pse duhet të mbështeten bagëtitë e imta në Shqipëri
Është shumë e thjeshtë për ta kuptuar ... Historikisht vendi ynë ka qenë një vend pastoral për shkak të terrenit më shumë se 70 % kodrinor e malor, ku kullotat që kanë shërbyer si rezerva më e madhe ushqimore, përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të territorit të vendit, duke favorizuar në mënyrë të pashmangshme zhvillimin e blegtorisë, në veçanti të asaj të imët. Ndryshe nga llojet e tjera të blegtorisë, për bagëtitë e imta nuk ka pikë dyshimi se ato kanë karakter kombëtar.
Si rezultat i kapacitetit të lartë dhe cilësive të shkëlqyera, para së gjithash qumështore të bimësisë së këtyre kullotave, blegtoria shqiptare, veçanërisht bagëtitë e imta, kanë gjetur terrenin e duhur e të përshtatshëm për zhvillimin e tyre në shekuj, duke qenë kësisoj njëherësh edhe bashkëudhëtarët e zhvillimit shoqëror dhe historik e pse jo edhe politik të vendit tonë në shekuj. Nuk është rastësi që elementi kryesor që bie në sy në përkrenaren e Skënderbeut , është vendosja historike e kokës së dhisë në krye të saj. Sipas historianit Kristo Frashëri, përkrenarja është punuar me metal të bardhë, pajisur me një rrip (ruban) të larë me ar. Në majë është vendosur një kokë dhie me brirë, punuar në bronz të larë në ar. Midis të tjerash kjo mund të shpjegohet me kultin e dhisë së egër, simbolin e zanave shqiptare, të cilat sipas legjendës, jetojnë edhe sot në bjeshkët e larta, përfshirë edhe atë të Gjela Gjoshit, mali që qëndron mbi krye të Qidhnës së Dibrës.
Tradita, kultura dhe artizanati malor/Po kështu, kush ka jetuar në zonat e thella malore, nuk mund të mos kujtojë me admirim e kënaqësi të veçantë kur në një muzg të ftohtë dimni, vije nga rruga e gjatë midis maleve e hyje në një odë të rregulluar bukur me shijet e kohës, e cila ngrohej nga oxhaku i sapo ndezur për miqtë. Kujtoj se ndezja (dhezja) e zjarrit, shumë shpejt shoqërohej me një kafe turke e një gotë raki, të cilat ishin zanat vetëm i të zotit të shtëpisë, sepse që këtu fillonte mikpritja sipas traditës së malësorit. Zakonisht një pjesë e mirë e orendive, shtrojeve dhe zbukurimeve të interierit të odave apo sobave siç i thoshin në malësitë e veriut të vendit, përfshi këtu edhe Kosovën; në përbërje të tyre kishin bagëtitë e imta, duke filluar me brirët e dashit, shiltet e trasha anash në të dy krahët e oxhakut, qilimat e bukur shumëngjyrësh që shtroheshin në dyshemenë e drunjtë e vareshin edhe në muret e brendshme të trasha të kullave prej guri. Aty mund të shikoje gjithfarë lloj veshjesh të tjera të bukura, si jelekë, çorape, triko e xhubleta që punoheshin me lesh dele ose dhie të cilësisë së lartë. Bile me çorapet e burrave, zakonisht sa më kujtohet, me 5 palë të tilla të vendosur në dy rreshta në dyshemenë me dërrasa, ndër odat e malësisë, mbasi kishin hangër darkë, burrat në ditë dimni luejshin kapuçash, një lojë e bukur e traditës, e cila shoqërohej me batuta e mahi (shaka) shpesh deri herët në mëngjes. Nuk mund të harrojmë këtu vendin e bagëtive të imta, në krijimin artistik të kangëve e valleve popullore, në folklorin e thellë të traditës së malësisë, në rapsodinë e zgjuar dhe bejtet e rapsodit popullor, këtij shprehësi të hollë të ndjenjës dhe filozofisë kombëtare në vargje improvizuese jo vetëm në odat e burrave, por edhe në kuvendet e malësisë. Me po kaq vlera të pazëvendësueshme ishte edhe kuzhina autoktone e malësisë, me qumështin e deles e të dhisë, djathi i shijshëm bio, i xanun me mullën e qingjit qumështor, maza e t’amlit të skuqun me miell misri të bardhë; mishi i qingjit dhe i kecit të njomë, apo edhe kosi i deles, kajmak, i xanun në sheka druni 1-2 kilëshe që barinjtë e vjetër e mbanin në qoshet e ftofta të staneve.
Përveç pak mijëra krerëve të gjallë të importuar në raste festash fetare, sasia e mishit të ngrirë nga bagëtitë e imta, të importuar në vendin tonë gjatë 5 - 6 viteve të fundit, nga rreth 870 ton të ardhur në vitin 2006, në vitin 2011 nuk shkon më tepër se 200 ton; kuptohet se në një sasi prej rreth 39 mijë ton gjithsej mishi të frigoriferit të importuar vitin e fundit, sasia prej 200 ton e mishit të të imtave thuajse është e papërfillshme, në një treg që konsumon mbi 46 mijë ton mish nga prodhimi vendas i këtyre bagëtive. Ndërkohë sa i takon qumështit të deles e dhisë, as që bëhet fjalë se mund të importohet në vendin tonë si i freskët, apo edhe në formë të përpunuar të djathit, kosit, etj. Kësisoj mishi dhe qumështi i bagëtive të imta edhe pas hapjes së vendit ndaj Europës, duket se është produkti më i pakonkurrueshëm, ose më mirë me thënë më pak i konkurrueshëm i gjithë prodhimit bujqësor e blegtoral vendas.
Disa konkluzione për më tej/Nisur nga struktura, pesha specifike dhe tradita e prodhimit blegtoral në vendin tonë, bagëtitë e imta në fund të vitit 2011 sipas të dhënave të përafërta operative, rezultojnë se në numrin total të krerëve të shprehur në njësi gjedhi, përbëjnë 28 - 30 % të tyre. Gjithashtu ato prodhojnë respektivisht gati 13 dhe 31-32 %, të sasisë së qumështit dhe mishit të freskët në shkallë vendi. Prodhimi i tyre në të ardhmen ka tendencë të rritet si rezultat i ndikimit pozitiv të politikave të ndjekura nga Ministria e Bujqësisë vitet e fundit si dhe mbarështimit e menaxhimit gjithnjë e më të mirë të vetë fermerëve, të cilat synojnë të rrisin daljen në treg të më shumë fermave me një numër të konsiderueshëm krerësh, minimalisht me mbi 100, 200 krerë plleja e më tepër. Vetëm intensifikimi i numrit të krerëve brenda një ferme me bagëti të imta do të mundësojë zhvillimin në thellësi të blegtorisë së imët në vendin tonë, për ta kthyer atë në traditën e para 80 - 90 viteve, kur Shqipëria sipas Dr.Samimit numëronte mbi 4.5 milion krerë, në një popullsi jo më të madhe se 800 mijë banorë. Këtij numri bagëtish, Dr.Samimi kur vinte puna për të llogaritur numrin e krerëve në shkallë vendi, thoshte se asaj që deklaronte bujku i duhet shtuar edhe 15 %. Kjo do të thotë se çdo banor në vitet 30 - 40 të shekullit të kaluar ka patur në pronësi të tij mesatarisht 5-6 krerë, e konveruar në mish me rreth 100 kg peshë të gjallë për frymë, nga afërsisht 30 që llogaritet në ditët e sotme. Asokohe në malësi thuhej se kur malësori nuk kishte kripë, merrte 100 krenë dele, e binte në Shkodër ose në Gjakovë për me i këmbye me një thes kripë guri! Mund të zgjatemi më tej me argumente të tjerë në ndihmë të titullit të shkrimit tonë, por mendoj se argumentet e mësipërm janë të mjaftueshëm se përse shteti shqiptar duhet që krahas projekteve madhore të ullirit dhe arrorëve, nuk duhet të vonojë edhe mbështetjen e bagëtive të imëta dhe racave autoktone të tyre në mbarë vendin.