Makina bie në kanal, vdes shoferi
Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mesditën e së premtes në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë. Automjeti "Volkswagen Golf" me targa GJ 9034 A, ka dalë nga rruga duke fluturuar përbri kanalit të kullimit të ujërave në pjesën lindore të aksit rrugor Gjirokastër-Kakavijë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Dervician rreth 6 km në jug të qytetit të Gjirokastrës pranë një benzinate, kur mjeti që drejtohej nga Vaso Gulla si pasojë e shpejtësisë së madhe është mënjanuar në krahun e djathtë të tij duke përfunduar në kanal. Sipas policisë së Gjirokastrës, humbja e kontrollit të automjetit në momentin final ka rezultuar fatal për 42-vjeçarin, baba i një fëmije. Ndërkohë, specialistët e policisë po hetojnë shkaqet kryesore të ndodhjes së këtij aksidenti me pasojë vdekjen, duke marrë në konsideratë versionin ekzistues atë të humbjes së kontrollit.