E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rinjtë e Gërdecit, në ndihmë të komunitetit

Të rinjtë e Gërdecit dhe ata të familjeve të ardhura në Durrës aktivë në ndihmë të komunitetit dhe ambienteve publike. Jo vetëm integrimi, por dhe angazhimi në aktivitete të përbashkëta në dobi të komunitetit ka bërë që dhjetëra të rinj të përqafojnë nismën e ndërmarrë nga një qendër komunitare në Durrës në Javën e Rinisë. Prej disa ditësh në qytetin e Durrësit po zhvillohen një varg aktivitetesh në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë. Krijimi i një kulture globale te rinia nëpërmjet aksioneve publike, të mësuarit nga njëri-tjetri, lidershipit dhe arritjeve në grup. Ky është qëllimi i javës që i është dedikuar brezit të ri, një javë e mbushur me aktivitete të organizuara nga qendra komunitare "Sot për të Ardhmen", projekt i shoqatës: "Në Dobi të Gruas Shqiptare" e cila është anëtarësuar në rrjetin mbarëbotëror të organizatave dhe grupimeve rinore. Në përvjetorin e saj të 9-të, Dita Ndërkombëtare e Rinisë që shërben në komunitet, festohet nga të rinjtë kudo në botë. Ata organizohen në grupe duke kontribuar në mënyrë vullnetare për komunitetet në të cilat ata jetojnë, apo komunitetet në nevojë. Majlinda Gjoni, punonjëse sociale e qendrës "Sot për të ardhmen" thotë për gazetën se janë miliona të rinj që marrin pjesë në Javën Botërore të Rinisë që shërben në komunitet dhe kjo konsiderohet si ngjarja më e madhe e shërbimit në botë. Gjatë kësaj jave në Durrës është bërë shpërndarje e informacionit, sensibilizim në qendër të qytetit të Durrësit dhe pranë dy shkollave të mesme "Naim Frashëri" dhe "Leonik Tomeu", të rinjtë janë angazhuar në pastrimin dhe mbledhjen e mbeturinave të zonës së plazhit, ndërsa dy ditët e fundit aktivitetet kanë pasur karakter sportiv. Në këto veprimtari, sipas Gjonit, u përfshinë dhe shumë të rinj vullnetarë nga zona e ish-Kënetës dhe nga disa prej shkollave të mesme të Durrësit. Kampionate të volejbollit dhe minifutbollit janë organizuar në sektorin "Hekurudha" të plazhit. Të rinjtë e Gërdecit dhe fshatrave të tjera të prekura nga shpërthimet e 15 marsit, të cilët janë strehuar në shtëpitë e pushimit të ministrive të Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, si dhe të rinjtë e qendrës "Alternativa Profesionale" janë vënë përballë njëri-tjetrit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›