Brukseli: “Plotësimi i 12 rekomandimeve, vizë për statusin e kandidatit”

Stefano Sannino, drejtori për Zgjerimin në Komisionin Evropian, në një letër zyrtare drejtuar autoriteteve të politikës shqiptare kujton se plotësimi i 12 rekomandimeve është hap i sigurt drejt marrjes në pranverë të statusit të kandidatit për në BE
Komisioni Europian i kërkon qeverisë shqiptare dhe Komisionit Parlamentar të Integrimit të bashkojnë përpjekjet në realizimin e planit të veprimit ekzistues në realizimin e 12 prioriteteve. Kjo i është kërkuar autoriteteve shqiptare nga drejtori për zgjerimin në Komision Europian, Stefano Sannino, nëpërmjet një letre dërguar ministres së integrimit Majlinda Bregu dhe kryetarit të Komisionit të Integrimit, Ditmir Bushati.
Në letrën e tij, Sannino evidenton punën e bërë deri më tani duke kërkuar që përpjekjet e deritanishme të vijojnë në përmbushjen e suksesshme të 12 prioriteteve e në veçanti atyre që kërkojnë konsensusin mes mazhorancës dhe opozitës.
“Është me rëndësi që Ministria e Integrimit dhe Komisioni Parlamentar për Integrimin, të rishikojnë dhe rifreskojnë Planin e Veprimit i cili duhet të marrë miratimin e Komisionit Parlamentar. Ky rishikim dhe rifreskim do të shërbejë në ndërtimin e një kalendari pune dhe masash për tu implementuar”, shkruan Sannino.
Saninno thekson në letër se për të gjitha hapat e ndërmarra nga pala shqiptare duhet të informohet Komisioni Europian në mënyrë periodike për të pasur më të lehtë monitorimin e progresit të këtij procesi për 12 prioritetet. Komisioni Europian shpreh gatishmërinë e ndihmës në aspektet teknike duke ofruar asistencë teknike dhe takime të ndërsjella për ato çështje thelbësore të këtyre prioriteteve.
Kjo letër e Stefano Sannino ka vënë në lëvizje Ministrinë e Integrimit dhe Komisionin Parlamentar të Integrimit. Kjo u reflektua edhe në fjalën e ministres së integrimit Majlinda Bregu gjatë mbledhjes së fundit në Tiranë të komitetit ndërparlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri – BE.
Ministria e Integrimit ka përgatitur metodologjinë e Planit Kombëtar të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit i cili do të jetë i përmirësuar krahasuar me planet e mëparshme. Ndërsa Komisioni Parlamentar për Integrimin Europian sot do të zhvillojë një seancë dëgjimore me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu dhe ambasadorin e BE-s në Tiranë Ettore Sequi ku do të diskutohet për implementimin e rekomandimeve që Sannino ka dërguar për tu marrë në konsideratë.