E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatkeqësi endemike: Politikanët që përgënjeshtrojnë veten, në çdo faqe të librit!

12-12-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Në çdo faqe të “Kurbanit” mund të gjesh falsifikime. Shtrembërimet e së vërtetës i gjen kudo. Personat me emër të nderuar në intelektualizmin e tyre të  njëmendët, poshtërohen brutalisht, vetëm se ishin pjesëmarrës në një forum intelektualësh, në të cilin u ftua edhe autori i mëvonshëm i “Kurbanin”. Por ky di vetëm të shkarravisë, jo të ballafaqohet drejtpërdrejt. Natyrisht nuk mori pjesë në këtë konferencë të intelektualëve. Sepse ato që ka shkruar në “Kurbanin” do të bënin ilaritet në atë mbledhje në të cilën  intelektualët ishin të pranishëm, pa dallime partiake. Ai e gjen veten në  „ambientin e tij“ ndërmjet intelektualësh që e kanë humbur besueshmërinë e tyre. Prandaj në librin e tij përmenden për mirë dy klerikë të shquar që nuk jetojnë, Spartak Ngjela dhe Kurt Kola dhe nja dy të tjerë (f. 315).
S. Ngjela ka deklaruar, jo shumë kohë më parë, se i kishte fituar zgjedhjet në rivalitet me Ramën për kryetarin e bashkisë, por ia kishin vjedhur votat. I merrej goja të përmendte Ramën, por nënkuptohej. Se ai ishte kandidati përballë. Po atëherë përse u bë aleat me atë që ia kishte vjedhur votat? Përse nuk kishte protestuar siç po proteston tani, në krah të Ramës? Nga ana tjetër Rama ka përgjegjësi për atë pohimin e Ngjelës se do ta rrëzonin Berishën (apo Saliun, duke ndjekur shembullin e Edvinit). Brenda dy ditësh! Është e habitshme sesi një person, që e quan veten njeri të ligjit, të jetë anarkist gjer në këtë shkallë! Përsa i përket ish-kryetarit të Shoqatës Kombëtare të ish-të Përndjekurve Politikë, ai mbeti i vetëm pas ish-kryetarit të PS-së. Mjafton të përmendim një aktivitet që kërkonte ta bënte për Kosovën para sheshit më të madh të mitingjeve të Tiranës. Iu mblodhën aq veta, sa mund t’i mbante një dhomë me përmasa mesatare! Aktiviteti dështoi!
Por, ama, pesë nga njerëzit më të shquar të asaj mbledhjeje, “Kurbani” i E. Ramës i përshkruan me ngjyrat më të errëta, me mllefin më të shpifur, me urrejtje të papërmbajtur. Secili prej tyre, në mënyrë të pavarur, i tha intervistueses, se s’e kishte lexuar “Kurbanin”. Njëri tha se do t’i vinte keq për lekët që do të nxirrte nga xhepi, qoftë po të shitej edhe me një çerek çmimi! E injoruan autorin…
Merret me mend se ç’mund të thotë ky autor për Dr. Berishën. Kryeministrin e quan kurdoherë në mënyrë përkeqësuese, Saliu, Saliu. Madje edhe kandidatin e tij të drejtpërdrejtë, z. Lulzim Basha, Edi e quante Lulzim Saliu! Ndërsa si kryeministri, ashtu edhe L. Basha, por edhe zyrtarët e tjerë e quanin atë „z. Edi Rama“. Neve, gazetarëve të së djathtës, na lind e drejta ta quajmë Edin siç i quan ai personalitetet tona: Në mënyrë të parespektueshme, Edi ose Edi Rama. Për reciprocitet. Ne s’jemi zyrtarë të lartë. Por kjo nuk do të thotë të mos ruajmë ndërsjellësinë. Pra e cilësojmë me të njëjtën monedhë.
***
Tani kujt do t’i besojë lexuesi i këtyre shprehjeve me “futja katundit” të një libri që është përgënjeshtruar, që të nesërmen, në mënyrë kategorike nga z. Mit’hat Havari, i cili ishte ngarkuar me rikonstruktimin e parkut “Rinia” dhe me fshirjen e kioskave në lumin Lana apo Edvinit? E. Rama, në aluçinacionet e tij, shkruan pa pikë galeje, siç do t’i interesonte, paçka sesi përdhunohet e vërteta. M. Havari në atë kohë ishte ngarkuar nga kryeministri i kohës si shef i operacionit, kurse Rama ishte ngarkuar për rregullimin e barit! Edhe të donte, ky i fundit nuk posedonte në atë kohë fadroma dhe mjete të tjera vepruese. Përse nuk e replikoi zotin Havari, por vetëm e përbuzi si njeri fjalëshumë dhe me teka!
Autorit të këtij libri të lajthitur nuk i shkon që të akuzojë ish-kryeministrin e tij (ai që i dha funksionin e kreut të operacionit, M. Havarit) për “lëvizje djathtas” (f. 397). Sepse vetë Edvini mund të akuzohet, po sipas logjikës së tij, për lëvizje majtas, nëse besojmë se ai ka pas qenë, dikur, antikomunist i sinqertë (!). Kush përgjigjet për Rezolutën e Këshillit të Europës, për dënimin e krimeve të komunizmit? Cili është ai që ka ekzaltuar E. Hoxhën në 16-vjetorët e Pezës?
Në f. 80 ai i del në mbrojtje nënkryetarit të atëhershëm të bashkisë, që hapi  në mënyrë të papërgjegjshme digën e liqenit artificial. Si pasojë u përmbyt e gjithë Tirana e Re e pjesës jugore, me dëme të pallogaritshme në frigoriferë, në automjete e në pasuri të tjera. Qytetarëve të dëmtuar iu premtua rimbursim. Dëmtuesi ia mbathi për në Greqi. Ndërsa tani sa nuk thuhet, në dy rreshta, se dëmtuesit ishin në të drejtën e Zotit!
E kemi thënë dhe e themi: Ky libër do të ndjekë fatin e të parit (“Refleksioneve”). Po t’i bashkosh së bashku, i dyti përgënjeshtron të parin! Kjo është “koherenca” e E. Ramës!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›