E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli: Shqipëria, pranë marrjes së statusit të vendit kandidat

27-06-2012 / Gazeta 55

Takimi parapërgatitor ndërparlamentar Shqipëri-BE: Në zgjedhjen e presidentit u respektua Kushtetuta

Në Parlamentin Evropian është mbajtur takimi parapërgatitor ndërparlamentar Shqipëri-BE, lidhur me zbatimin e pjesës së dytë të rekomandimeve që janë dhënë në raportin e vjetshëm. Me gjithë çmenduritë deklarative të opozitës, europarlamentarët kanë ruajtur optimizmin, duke paralajmëruar se këtë vjeshtë, do jepet lajmi i marrjes së statusit të kandidatit

Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria është në rrugën e duhur drejt përmbushjes së kushteve për marrjen e statusit të vendit kandidat në vjeshtë të këtij viti. Në takimin përgatitor mbi mbledhjen e pestë të Komitetit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, kreu i Njësisë për Shqipërinë në KE, Vassilis Maragos theksoi se përmbushja e Marrëveshjes politike të Nëntorit, zgjedhja e Presidentit dhe dorëzimi i një numri rezultatesh të prekshme në disa fusha, iu paraqitën autoriteteve shqiptare gjatë vizitës së Majit nga Komisioneri Fule, si një paketë minimale kushtesh për tu plotësuar për statusin.
Në këtë kontekst, Komisioni Europian është shprehur me nuanca pozitive për vlerësimin e pjesës së dytë të 12 rekomandimeve në opinionin për Shqipërinë, duke venë në pah natyrisht edhe mangësitë.
“Këto ishin tre çështjet kryesore të cilat Shqipëria duhet t’i përmbushë për të lëvizur në rrugëtimin e saj europian. Por ku qëndrojmë sot? Për zgjedhjen e Presidentit, mendoj se të gjithë në këtë sallë e kemi ndjekur nga shumë afër, dhe siç është përmendur nga disa zyrtarë të BE-së, Kushtetuta u respektua në përgjithësi. Por gjithsesi ka disa shqetësime për ndikimin që kjo zgjedhje ka pasur, apo mund të ketë në të ardhmen mbi dialogun politik të vendit. Ne besojmë se kjo është diçka mbi të cilën aktorët politikë duhet të përqendrohen, për të garantuar se do të ruhet me të vërtetë dialogu politik. Por kushti më kyç dhe më parësor, i cili do të ndikonte edhe mbi dialogun politik, por edhe pjesën e mbetur të reformave, është plotësimi i Marrëveshjes së Nëntorit. Dy çështjet kryesore u përmendën edhe nga ambasadorja dhe besoj se të njëjtin opinion ndajnë dhe të gjitha vendet anëtare, se ky është minimumi që duhet të bëjë Shqipëria në disa javët e ardhshme, për të ruajtur dialogun politik, por edhe për të krijuar kushtet për kryerjen e reformave të mbetura. Është e rëndësishme që aktorët politikë shqiptarë, si qeveria dhe opozita, nga pozicionet e tyre respektive pasi ne nuk asimilojmë përgjegjësitë e dy palëve, por të dyja palët kanë interesin dhe përgjegjësinë të punojnë së bashku për të mbyllur këto çështje që mbeten pezull. Kjo është absolutisht e domosdoshme dhe absolutisht thelbësore për ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së”, tha Maragos.
Si shembuj pozitivë Maragos përmendi zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe votimin e ligjeve me 3/5, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e palëve për çështjen e imuniteteve dhe ndryshimet ligjore për gjyqësorin dhe shërbimin civil.
“Ne patëm emërimin e Avokatit të Popullit përmes një procesi konsensual e kjo përbën një nga zhvillimet më pozitive në Shqipëri që prej vitit të kaluar, do të thosha unë, për mënyrën sesi u bë, për procesin gjithëpërfshirës, për personin që u zgjodh si Avokat i Popullit, si dhe për punën e bërë nga zyra e tij prej marrjes së detyrës. Këto muajt e fundit kemi parë një funksionim normal sipas meje të Parlamentit, që prej kthimit në shtatorin e kaluar të Partisë Socialiste në seancat plenare dhe në komisione, një zhvillim shumë pozitiv dhe që ka mundësuar vazhdimin e bashkëpunimit. Kjo mundësoi votimin e të gjitha ligjeve që kërkojnë 3/5, duke plotësuar një prej 12 kritereve”, tha ai. Europarlamentari Maragos shtoi më tej se, “strategjia e pronave është një ligj shumë i mirë. Sigurisht ne presim të shohim versionin përfundimtar, por ka angazhim të qartë për të trajtuar çështjen e pronave, siç është regjistrimi i pronës, që është një aspekt kyç, apo kompensimi i pronarëve që është një çështje shumë e ndjeshme si dhe legalizimi i pronave  të paligjshme, që është një problem i ndjeshëm juridik në Shqipëri”. Njëkohësisht, ai ka vlerësuar gjithashtu hapat që janë bërë në drejtim të të drejtave të njeriut.
“Ka pasur lëvizje në drejtimin e duhur. Ne vërejmë një bashkëpunim shumë të mirë midis avokatit të popullit, një kampion i të drejtave të njeriut nga njëra anë dhe policisë nga ana tjetër. Policia ka një sistem shumë të mirë të trajtimit të rekomandimeve të avokatit të popullit. Një fenomen i ngjashëm ka filluar edhe në fushën e burgimit, por procesi aty është më i avashtë. Ka pasur progres për trajtimin e dhunës shtëpiake. Ka një qendër të financuar nga fondet e qeverisë për  viktimat e dhunës shtëpiake”, vlerësoi Maragos. Gjithashtu, Maragos ka përmendur përpjekjet që janë bërë për përmirësimin e kushteve të të burgosurve, duke ju lejuar atyre, që të lëshojnë celulat e burgut për një kohë të caktuar. Ai ka vlerësuar strategjinë për të drejtat e fëmijëve, mbi bazë të të cilës janë krijuar njësitë e mbrojtjes së fëmijëve pranë autoriteteve lokale. Por Shqipëria nuk ka bërë aq sa duhet në drejtim të të personave me aftësi të kufizuara. Gjithsesi, problemi kryesor mbeten reformat zgjedhore, parlamentare dhe heqja e imunitetit, që kërkojnë konsensus. “Qeveria shqiptare dhe opozita nga pozicionet që kanë, pa dashur të asimilojmë qëndrimet e tyre, kanë një përgjegjësi që të punojnë bashkë për të përmbyllur çështjet e hapura. Kjo është esenciale për Shqipërinë në mënyrë që vendi të eci përpara në periudhën në vijim”, vuri në dukje përgjegjësi për Shqipërinë në Komisionin Evropian. Sipas Komisionit Evropian, Shqipëria ka parametra pozitivë për situatën ekonomike, por vendi duhet të bëjë kujdes me kontrollin e borxhit dhe deficitit për tu mbrojtur nga efektet negative të krizës dhe dobësitë e brendshme.
I pranishëm në takimin përgatitor të Komitetit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri (punimet e të cilit mbahen në 12 korrik), kryetari i delegacionit për ballkanimin Perëndimor në PE, Eduard Kukan tha se delegacioni shqiptar do përbëhet nga 13 deputetë, me përfaqësim të plotë nga të dy palët.
“Kemi informacion se do të vijë një delegacion i plotë nga Shqipëria, prej 13 deputetësh, 13 është numër ters, por këtu asnjëri nuk është supersticioz, pra, do të jetë përfaqësim i plotë nga të dy palët, e shpresoj të jetë një mbledhje normale. Besoj se situata po përmirësohet tani, prandaj ne duhet të mbajmë një takim standard. Standard do të thotë se do të jetë publik, do të zgjasë 2 ditë, e nuk do të ketë shkurtime, dhe rekomandimet e miratuara bashkërisht do të përfshihen në axhendën e takimit. Ky është takimi normal”, tha Kukan.
Komiteti ndërparlamentar mbahet më 11 dhe 12 korrik në Bruksel, datë që përkon me përfundimin e afatit të reformës zgjedhore.

Kreu i Njësisë për Shqipërinë në KE, Vassilis Maragos
“Problemi kryesor mbeten reformat zgjedhore, parlamentare dhe heqja e imunitetit, që kërkojnë konsensus. Qeveria shqiptare dhe opozita nga pozicionet që kanë, pa dashur të asimilojmë qëndrimet e tyre, kanë një përgjegjësi që të punojnë bashkë për të përmbyllur çështjet e hapura. Kjo është esenciale për Shqipërinë në mënyrë që vendi të eci përpara në periudhën në vijim”

Kryetari i Delegacionit të PE për Evropën Juglindore, Eduard Kukan
“Do të vijë një delegacion i plotë nga Shqipëria, prej 13 deputetësh, pra do të jetë përfaqësim i plotë nga të dy palët, e shpresoj të jetë një mbledhje normale. Besoj se situata po përmirësohet tani, prandaj ne duhet të mbajmë një takim standard. Standard do të thotë se do të jetë publik, do të zgjasë 2 ditë, e nuk do të ketë shkurtime, dhe rekomandimet e miratuara bashkërisht do të përfshihen në axhendën e takimit”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›