E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli: Statusi gjithnjë e më afër, kujdes reformat. Rama: Bashkë me opozitën

TIRANË-Brukseli i jep porositë kryeministrit të ri të Shqipërisë Edi Rama. Zyrtarët e lartë të BE-së shprehën mbështetjen e tyre për qeverinë e re, duke kërkuar konsolidimin e progresit në reformat kyçe, në mënyrë që Shqipëria të mund të marrë statusin kandidat në muajin dhjetor.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama, presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy deklaroi se nuk ka asnjë dyshim që e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian. Duke theksuar se statusi për Shqipërinë është gjithnjë e më afër, presidenti Van Rompuy inkurajoi qeverinë e re që të konsolidojë arritjet e vendit.

“Diskutimet tona u përqëndruan në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Kryeministri Rama theksoi se integrimi evropian për vendin është një prioritet kyç dhe imediat. Rama na sqaroi për çështjet ekonomike si dhe sfidat për sundimin e ligjit. Ne kemi parë me vëmendje reformat kyçe për 12 muajt e kaluar, është e rëndësishme për Shqipërinë që të konsolidojë këtë progres. Qeveria duhet të vazhdojë të ndërtojë këto arritje dhe të sigurojë një dialog gjithëpërfshirës me opozitën. Progresi varet tërësisht mbi arritjet e këtyre reformave. Konfirmoj mbështetjen time për përpjekjet e qeverise shqiptare në rrugën e integrimit. Statusi kandidat po vjen gjithnjë e me afër. Nuk ka dyshim që e ardhmja e Shqipërisë është brenda BE dhe ju inkurajoj të vazhdoni në këtë drejtim. ”- deklaroi Van Rompuy. 
Ndër të tjera, Presidenti i BE-së vlerësoi vendosmërinë e “qeverisë Rama” për thellimin e bashkëpunimit me vendet fqinje. 

Nga ana e tij, kryeministri Rama e garantoi presidentin e BE-së për bashkëpunim me opozitën dhe fryma konstruktive në parlament do të jetë gjithnjë e më e fortë. Kryeministri theksoi se qeveria e re shqiptare do të punojë për një Shqipëri Europiane.
Ndërkaq, kryeministri u shpreh po ashtu shumë i kënaqur për marrëveshjen Kosovë – Serbi, pasi sipas tij është në interes të të gjithë rajonit.

BARROSO: MERITONI STATUSIN NË DHJETOR, POR KUJDES REFORMAT
Presidenti i Komisionit Europian Manuel Barroso zhvilloi një takim me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Bruksel ku kanë diskutuar mbi detyrat e mëtejshme që e presin Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian. 

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, Barroso shprehu disa vlerësime për punën e bërë deri tani nga ana shqiptare, ndërsa theksoi se Komisioni Europian pret nga politika shqiptare bashkëpunim, dialog, konsensus. Barroso vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit në Shqipëri, ndërsa drejtoi apelet për Shqipërinë.

“Në përgjithësi Shqipëria mund të marrë statusin në muajin dhjetor. E ardhmja e Shqipërisë është në BE. Shqipëria është e përkushtuar për të përmbushur statusin e vendit kandidat. Me kryeministrin Rama diskutuam të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, theksoi Barroso.

“Zjedhjet shkuan vërtet mirë, shkuan në mënyrën më të mirë të mundshme. Eshtë shumë e nevojshme përkushtimi i shqiptarëve gjithashtu dhe dialogu është shumë i rëndësishëm për suksesin e Shqipërisë, gjithashtu është e nevojshme një bashkëpunim i përbashkët, përkushtimi në disa çështje kryesore: Bashkëpunimi mes opozitës dhe mazhorancës. Por ka dhe një cështje që kërkon një vëmendje të veçantë, nuk ka kohë për të humbur reformat duhet të vazhdojnë, dhe rezultatet e tyre të ndihen tek qytetarët shqiptarë”, tha Barroso.

Po kështu, Barroso theksoi se kriter për integrimin në BE është dhe përmirësimi i ekonomisë, dhe se ‘Komisioni evropian mendon se kjo është një çështje e rëndësishme e historike e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e BE-së”.

RAMA
Kryeministri i vendit Edi Rama, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve shqiptarë në lidhje me mundësinë e përmbushjes së 12 kritereve, të cilat do ti hapnin dritën jeshile Shqipërisë drejt BE-së, vlerësoi se statusi kandidat është i mundur dhe qeveria do të bëjë më të mirën edhe me mbështetjen e KE-së, por dhe suportin e opozitës shqiptare.

“Procesi i integrimit nuk po fillon tani, por ka një kohë të gjatë që ka filluar, ne duhet të bëjmë punën tonë dhe objektivat tona janë të arritshme, dhe kemi besim se do arrijmë objektivat tona. Ne besojmë se duhet të punojmë fort për të arritur qëllimin tonë. Do të negociojmë dhe jemi të bindur se vendi jonë do të arrijë një nivel të ri. Ne do të bëjmë më të mirën me mbështetjen e KE-së, por dhe suportin e opozitës dhe Shqipërisë dhe shpresojmë të dëgjojmë lajmet të mira”, u shpreh Rama. 

Shefi i qeverisë theksoi se vota e 23 qershorit ishte votë për ndryshim, si dhe mundësi më e madhe për tu bërë pjesë BE-së.

“Populli shqiptar votoi dhe vendosën për të qenë pjesë e BE-së. Shqiptarët nuk votuan për të ndryshuar një kryeministër me një tjetër, por votuan për të ndryshuar Shqipërinë”, tha Rama. 

FYLE TAKON RAMËN: TË VIJOJË PROCESI I REFORMAVE TË LIDHURA ME BE
Komisioni Europian zbardh takimin mes komisionerit për zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fule dhe kryeministrit të ri të Shqipërisë, Edi Rama. Komisioneri Fyle inkurajoi qeverinë e re që të vazhdojë procesin e reformave të lidhura me BE, në një mënyrë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

"Bashkëpunimi konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës do të jetë thelbësore për të trajtuar sfidat në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian", - tha Komisioneri Fule.

"Është gjithashtu e rëndësishme për të biseduar me të gjitha palët e interesuara, brenda vendit, në rajon dhe vendet anëtare"- tha ai.

Duke konfirmuar se statusi i vendit kandidat për Shqipërinë është brenda mundësive të saj, ai inkurajoi veprimet e nevojshme për të adresuar prioritetet kyçe të mbetura të vitit 2010.

“Shqipëria do të duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar” -deklaroi Fyle. Komisioneri për zgjerimin theksoi se Komisioni Europian është duke finalizuar raportin e progresit, vlerësimin për progresin e arritur në vend gjatë 12 muajve të fundit, që do të publikohet muajin që vjen.

(e.m/d.b/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Basha: Brukseli mesazh Ramës për bashkëpunim me PD, uroj të kthehet me mend në kokë Rama në Bruksel: Berisha 'nacionalizëm' me fqinjët. Integrim shqiptarëve, PD të marrë pjesë Fyle takon Ramën: Të vijojë procesi i reformave të lidhura me BE Rasmussen: Drejt së ardhmes, jo pas. Rama: Do mbajmë lart reputacionin e NATO-s VIDEO: Barroso: Meritoni statusin në dhjetor, por kujdes reformat. Rama: Bashkë me opozitën

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›