Brukseli: Statusi kandidat, Shqipëria ka përmbushur kryefjalën e detyrimeve

Komiteti i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri ka miratuar deklaratën e përbashkët me 8 pika, ku përshëndetet zgjedhja e presidentit të ri, arritja e marrëveshjes për reformën zgjedhore, nisma për heqjen e imunitetit si dhe klima për përmbushjen e marrëveshjes së nëntorit të shkuar. Me këtë rezolutë, marrja e statusit shndërrohet në një pritshmëri thuajse të sigurtë, tetorin e këtij viti
Optimizmit të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu se Shqipëria ka përmbushur detyrimet kyçe, për marrjen e statusit të vendit kandidat në vjeshtë të këtij viti, i shtohet edhe vlerësimi i zyrtarëve të Brukselit, të cilët pohuan dje se, miratimi i reformës zgjedhore me konsensus, përbën një hap të rëndësishëm drejt realizimit të 12 rekomandimeve.
BE jep edhe sugjerimet përkatëse për kursin progresiv që duhet të ndiqet në muajt e mbetur, përmes një deklarate prej 8 pikash. Takimi i 5-të i Komitetit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian që u zhvillua në datat 11-12 korrik 2012 në Bruksel, nën drejtimin e Eduard Kukan për Delegacionin e Parlamentit evropian dhe Fatos Beja për Kuvendin e Shqipërisë, përfundoi me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët mes përfaqësuesve politik shqiptarë PD-PS dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Në konkluzionet e takimit BE-Shqipëri përshëndetet Presidenti i ri, Bujar Nishani për zgjedhjen dhe falënderon Presidentin në largim Bamir Topi për rolin e tij si ndërmjetës dhe këshillues për krizën politike.
“Nënvizojmë se roli i Presidentit është kyç në unitetin e kombit, për garantimin e stabilitetit dhe pavarësisë së institucioneve shtetërore në Shqipëri dhe për bashkimin e të gjitha forcave politike në përpjekjet e tyre për të përmbushur detyrimet në kuadër të procesit integrues në Bashkimin Evropian”, thuhet në konkluzionet e takimit të 5-të të Komitetit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian.
Vend të rëndësishëm në draft sugjerimet e Brukselit zë bashkëpunimi i forcave politike dhe realizimi i marrëveshjes politike të nëntorit 2011-të. Në këtë drejtim, BE vlerëson hapat për realizimin e 12 prioriteteve, ndërsa rikujton zbatimin e plotë të rekomandimeve të Komisionit evropian.
Komiteti nënvizon më tej se, reforma në drejtësi dhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar janë parakushte për progresin e të gjithë rajonit drejt Bashkimit Evropian.
“U kërkojmë autoriteteve shqiptare të vendosin në prioritet jo vetëm procesin legjislativ por edhe zbatimin e ligjeve duke u garantuar strukturave përkatëse burimet e nevojshme buxhetore. Nënvizojmë sa i takon kësaj çështjeje se një vëmendje e veçantë kërkohet për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit”, vijon deklarata.
Ndërkaq, Brukseli që ngjarjet e 21 janarit të ndiqen me hetime të pavarura dhe një procedurë gjyqësore të besueshme.
Në kushtet e krizës ekonomike në eurozonë, BE u kërkon autoriteteve shqiptare të mbajnë një disiplinë buxhetore dhe një konsolidim fiskal në mënyrë që të ruajnë stabilitetin makroekonomik dhe të krijojnë mjedisin e përshtatshëm për investimet dhe rritjen ekonomike.
Gjithashtu, komiteti nënvizon sërish se procesi i liberalizimit të vizave ka provuar se ishte një sukses dhe një element i rëndësishëm jo vetëm për institucionet por edhe për kontaktet njerëzore mes shqiptarëve dhe shtetasve evropiane. Pika e 8-të dhe e fundit i shkon rolit konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe marrëdhënieve ndëretnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë, krahas reformës zgjedhore, një prej rekomandimeve kyçe që Shqipëria duhej të përmbushte për marrjen e statusit të vendit kandidat është dhe reforma parlamentare. Për këtë arsye, Bashkimi Europian bën thirrje për përfundimin e reformës parlamentare.
Drejtor i përgjithshëm për zgjerimin në KE, Stefano Sanino u shpreh se “reforma e procedurës së Kuvendit është një reformë e rëndësishme”.
“Ne insistojmë sërish , që kjo reformë duhet përmbyllur. Sipas informacionit që kam, është bërë një punë e mirë për këtë reformë dhe jemi afër përfundimit të saj. Shpresojmë, që e njëjta frymë konstruktive do të mbizotërojë edhe për këtë reformë”, tha ai.
Tjetër reformë e rëndësishme, ku Shqipërisë i kërkohet që të japë rezultate konkrete është forcimi i shtetit ligjor. Në këtë kuadër, Bashkimi Evropian pret aprovimin e heqjes së imuniteteve për zyrtarët e lartë.
“Kjo është një reformë jashtëzakonisht e rëndësishme. Hapat që janë ndërmarrë shkojnë në drejtimin e duhur. Bëhet fjalë për heqjen e imunitetit, për Gjykatën e lartë. Amendamentet janë përgatitur me ndihmën e Bashkimit Evropian. Ajo që presim, është që këto hapa të konkretizohen”, vuri në dukje Vassilis Maragos, përgjegjës për Shqipërinë në KE.
Mazhoranca dhe opozita shprehin besimin, se të dyja këto reforma do të përmbyllen në kohë, por kanë një këndvështrim të ndryshëm për rezultatet konkrete.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm ku insiston Bashkimi Evropian, është ajo e të drejtave të njeriut. Në këtë aspekt janë përmendur të drejtat e romëve apo të komunitetit LGTB.
“Ne patëm të gjithë frikë kur dëgjuam deklaratën e ardhur nga ministria e mbrojtjes lidhur me paradën gay në Shqipëri, por në vijim ishim shumë të kënaqur me reagimin e kryeministrit ndaj kësaj deklarate. Në shumë vende të tjera, debatet për ‘parada gay’ apo manifestime të tjera kanë përfunduar shumë keq”, vlerësoi eurodeputetja Marije Cornelissen.
Sipas Brukselit, Shqipëria ka realizuar deri tani një pjesë të mirë të rekomandimeve. Bashkimi Evropian shpreh besimin, se Shqipëria do të dijë të përmbyllë reformën parlamentare dhe atë lidhur me shtetin ligjor me të njëjtën frymë konstruktive si për reformën zgjedhore.
Deklarata e përbashkët e Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri
1. Komiteti përshëndet Presidentin e ri të Shqipërisë Z. Bujar Nishani për zgjedhjen dhe falënderon Presidentin në largim Bamir Topi për rolin e tij si ndërmjetës dhe këshillues për krizën politike. Nënvizojmë se roli i Presidentit është kyç në unitetin e kombit, për garantimin e stabilitetit dhe pavarësisë së institucioneve shtetërore në Shqipëri dhe për bashkimin e të gjitha forcave politike në përpjekjet e tyre për të përmbushur detyrimet në kuadër të procesit integrues në Bashkimin Evropian.
2. Komiteti mirëpret vazhdimin e përpjekjeve të të gjitha forcave politike për të zbatuar marrëveshjen e nëntorit 2011 dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes blloqeve politike që prej takimit të mëparshëm të Komitetit në dhjetor 2011. Megjithatë, Komiteti konstaton se ishte zhgënjyese që shansi për të përmirësuar bashkëpunimin mes forcave politike u dëmtua seriozisht gjatë zgjedhjes së Presidentit.
3. Komiteti mirëpret hapat për përmbushjen e 12 prioriteteve dhe ribën thirrje për zbatimin e rekomandimeve të plota të Komisionit evropian duke u ndalur veçanërisht tek përmbushja e reformës zgjedhore dhe reformës së procedurave parlamentare.
4. Komiteti nënvizon sërish se procesi i liberalizimit të vizave ka provuar se ishte një sukses dhe një element i rëndësishëm jo vetëm për institucionet por edhe për kontaktet njerëzore mes shqiptarëve dhe shtetasve evropiane. Mirëpresim mënyrën se si qeveria shqiptare po i menaxhon problemet e vogla që hasen ende në këtë proces.
5. Komiteti nënvizon se reforma në drejtësi dhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar janë parakushte për progresin e të gjithë rajonit drejt Bashkimit Evropian. U kërkojmë autoriteteve shqiptare të vendosin në prioritet jo vetëm procesin legjislativ por edhe zbatimin e ligjeve duke u garantuar strukturave përkatëse burimet e nevojshme buxhetore. Nënvizojmë sa i takon kësaj çështjeje se një vëmendje e veçantë kërkohet për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.
6. Komiteti nënvizon se është thelbësore që ngjarjet e Janarit 2011 të ndiqen me hetime të pavarura dhe një procedurë gjyqësore të besueshme.
7. Komiteti u kërkon autoriteteve shqiptare të mbajnë një disiplinë buxhetore dhe një konsolidim fiskal në mënyrë që të ruajnë stabilitetin makroekonomik dhe të krijojnë mjedisin e përshtatshëm për investimet dhe rritjen ekonomike. Siç është parë në të kaluarën, nënvizohet fakti se zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk duhet të influencojnë tek planifikimi buxhetor.
8. Komiteti vlerëson rolin e Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve ndëretnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor