Gjyqtarët: Na duhet imuniteti
120 gjyqtarë, të cilët janë anëtarë në Unionin e Gjyqtarëve deklarohen pro kufizimit të imunitetit, por në mënyrë kategorike kundërshtojnë heqjen e plotë të imunitetit.
Pas përfundimit të një takimi për çështjen e imunitetit, kryetari i Unionit të Gjyqtarëve Ervin Metalla thotë për Top Channel arsyet se përse kundërshtohet heqja totale e imunitetit të gjyqtarëve dhe çdo të thotë propozimi për kufizim imuniteti.
Heqja e imunitetit do ta ekspozonte gjerësisht pushtetin gjyqësor ndaj risqeve që cenojnë pavarësinë e tij, ndërhyrjes së pushteteve të tjera. Ndërsa kufizimi i imunitetit për veprat penale që lidhen me detyrën, mundet të krijojnë ekuilibrin e nevojshëm. Kur flas për kufizim të imunitetit kam parasysh, që për disa vepra penale, për një kategori të caktuar të veprave penale, siç është korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës, ndjekja penale ndaj gjyqtarëve të mund të fillojë pa qenë nevoja për autorizimin paraprak të KLD-së. Kjo do të thotë që autoritetet proceduese, të mund të kryejnë veprime hetimore, me përjashtim të atyre veprimeve që cenojnë lirinë e gjyqtarit dhe paprekshmërinë e banesës, tha Metalla.
Aktualisht, gjyqtarët kanë imunitet të përgjithshëm ose thënë ndryshe pacenueshmëri personale, që do të thotë se ndaj tyre nuk mund të fillojë një procedim penal, pa marrë fillimisht një autorizim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Koncepti i imunitetit për gjyqtarët hyri për herë të parë në vitin 1992 gjatë ndryshimeve në dispozitat përkatëse, ku dhe u parashikua në nenin 10, se gjyqtaret e Shkallës së Parë dhe të Apelit kanë imunitet dhe se lëvizja e tyre nga detyra mund të bëhet vetëm nga organi kompetent.
Ndërkohë që ndryshimet e fundit për imunitetin e gjyqtarëve janë shënuar në 2008, në të cilin përcaktohet se Gjyqtari i Shkallës së Parë dhe ai i Apelit mund të ndiqet penalisht, por me kushtin që autorizimi për fillimin e procedimit penal të miratohet nga KLD. Mes të tjerash, në këtë ligj është shtuar dispozita në të cilën thuhet se gjyqtari mund të ndalohet apo arrestohet vetëm nëse kapet ne kryerje e sipër të një krimi, apo menjëherë pas kryerjes së tij./TCH