E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe tek PS po shtohet ndjesia e turpit për 2 vite bllokimi të statusit të kandidatit

07-12-2011 / Redaksionale

Vjeshta e këtij viti ka sjellë për të gjithë ne, një Parti Socialiste “të normalizuar”, brenda binarëve të demokracisë. Me një llaf, duket se është shëruar prej dalldisë radikale, që i solli këtij vendi, dy vite tensione: plot protesta, greva urie dhe demonstrata të dhunshme, me pasoja të tmerrshme. Humbëm për motive politike, në 24 muaj beteja të ashpra, dy herë radhazi trenin ekspres për në Europë. Me sapo kuptojmë, nëse liberalizimi i vizave do të varej prej konsensusit të palëve politike – me shumë mundësi do të ishim akoma këtu duke gjetur fajtorin. Falë perëndisë ishte një proces teknik, arritje standardesh administrative, që qeveria “Berisha” ia doli t’i plotësojë në kohë. Prandaj është thënë gjithmonë në këto faqe gazete, që opozita socialiste e udhëhequr prej Ramës, ka penguar integrimin në strukturat Euroatlantike. Këtë e kanë kuptuar shumë qytetarë dhe vetë Partia Socialiste është ndërgjegjësuar për këtë problem, aq sa ka deklaruar ditën e djeshme “Do bëjmë gjithçka që të mos refuzohet statusi për të tretën here”. Siç duket në dy vitet e shkuara PS-ja nuk paska bërë sa duhej që të mos refuzohej statusi i vendit kandidat.        
Sigurisht, Edi Rama, ka kuptuar që agjenda radikale e mban larg shumicës së qytetarëve, të cilët kërkojnë një paqe sociale dhe kërkojnë tek politika një aleat për të zhvilluar jetën dhe biznesin e tyre. Dhe tentativa populiste për heqjen e “Tvsh” për disa produkte ushqimore është në kuadër të tentativës për t’u paraqitur sa më i pranueshëm për disa shtresa shoqërore. Ky propozim fanatik është në kundërshtim me pozicionimin “Kundër”  e opozitës dhe Ramës për rritjen e pagave dhe pensioneve, të cilën  e kundërshtuan nga pozicionet e një partie multi-milionere.
Po kështu vizitat e tij, në Kosovë dhe Maqedoni, ishin të kërkuara sidomos për të fituar sadopak metra në distancën kilometrike që e ndan nga pranim/adhurimi, me kryeministrin Berisha në viset shqiptare. Prandaj në Kosovë i gjithë operacioni ishte të kundërshtonte idenë e një PS-je “filogreke”, “filosllave”, të krijuar ndër vite nga politika e buzukëve të Fatos Nanos. Kurse në Maqedoni ai veshi një kostum “faqezi” duke u prezantuar si një nacionalist i racës superiore, që të tjerët janë “barbarë”. Ai shfrytëzoi në Tetovë një skenë për të luajtur rolin e patriotit inkandeshent. Ndërkohë fitonte ndonjë lek me shitjen e librit “Kurban”.  
Siç kuptohet këto tre muaj, i kanë shërbyer Ramës, të heqë devizën e luftës guerrile dhe të veshë kostumin e sjelljes civile, paçka se propozimet në parlament janë të ndryshkura. Propozimi i PS-së në disa amendamente mbi Buxhetin 2011, si për shembull: për heqjen e “TVSh”  për një sërë produktesh bazë është pak të thuash një pjellë demagogjike, pasi i bashkon uljen  e  shkallësh tatimore për disa mallra e shërbime të caktuara me logjikën e taksimi progresiv për të ardhurat e individëve për të zëvendësuar taksimin e sheshtë në fuqi prej 3-4 vitesh në Shqipëri.
Taksa e tatimit të vlerës së shtuar, përndryshe TVSH, është thjeshtë një taksë indirekte që paguhet nga të gjithë pa përjashtim për lëvizjen e mallrave në treg. Me një llaf sa herë një mall (që ka specifika të ndryshme) kalon nga një dorë në një dorë tjetër paguhet taksa fikse e tatimit të vlerës së shtuar. Kuptohet vetiu që taksa paguhet jo drejtpërdrejt sa herë që konsumojmë një mall. Është një taksë e përdorur kudo dhe kurdo, për të ekuilibruar të ardhurat e shtetin, që më pas rishpërndahen në shërbime ndaj qytetarëve, në spitale, shkolla, rrugë dhe asistenca sociale. Mbi të gjitha duket sikur PS-ja e ka lëshuar në tym propozimin sepse deri më tani s’ka asnjë nismë konkrete.  Propozim i  PS-së nuk mbante parasysh  faktin se TVSh-ja mbi këto mallra është i vetmi instrument “kontrolli” mbi tregtinë dhe tregtarët nga ana e shtetit: çdo tregtar në momentin që blen mallin, paguan TVSh dhe në momentin që e shet, mbledh TVSh dhe në fund të çdo muaji ka me shtetin o një kredi, sepse ka blerë mall më shumë se çka shitur, ose një borxh, sepse duhet t’i japë shtetit diferencën e TVSh-së të paguar me atë të mbledhur në shitjen e mallit.
Sido që të jenë propozimet e opozitës, ato janë të mirëpritura, pasi japin shans qytetarëve të peshojnë sjelljen e qeverisë dhe kundërpeshës së saj, opozitës, larg zhurmës së bilbilave, urisë së grevës, djegies së gomave, etj. Sigurisht kanë më shumë shanse të kuptojnë personazhet e politikës, që ndryshojnë qëndrime, sa herë interesi personal parakalon mbi atë kombëtar. Edi Rama duhet të punojë shumë për të hequr imazhin destruktiv të opozitës. Diatriba politike do të  jetë në një klimë “normale”, për aq sa kohë Ramës nuk do t’i kthehet tiku nervor i protestës pakauzë.    

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›