E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli çertifikon zgjedhjet e 28 qershorit, pret anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Raporti vjetor i Bashkimit Evropian ka vlerësuar zgjedhjet e 28 qershorit si më të mirat e organizuara nga shteti shqiptar, duke përmendur progresin në infrastrukturën zgjedhore, por edhe përmbushjen e rekomandimeve për heqjen e regjimit të vizave. Shqipëria e standardeve evropiane tashmë klasifikohet si një realitet më i afërt me miratimin e kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim të plotë në BE

Komisioni Evropian, publikoi dje në Bruksel, Progres-Raportin vjetor për Shqipërinë, duke renditur dhe specifikuar në të, progresin e shënuar në kursin reformator të qeverisë “Berisha”, në krahasim me atë të vitit të kaluar. Në Progres-Raport, vlerësohen kriteret politike në vend, duke iu referuar zgjedhjeve të 28 qershorit, Komisioni Evropian, i vlerëson ato si të arrira dhe brenda standardeve ndërkombëtare.
“Progresi mund të vihet re mund të vihet re në zgjedhjet parlamentare, të cilat janë konsideruar se plotësuan shumë standarde ndërkombëtare, veçanërisht tek miratimi i kodit elektoral dhe përgatitjet për zgjedhje, si lista e votuesve”, thuhet në Progres-Raport.  
Progres-Raporti i KE-së, ka vërejtur një progres të ndjeshëm, porsa i takon kushteve që Shqipëria duhet të realizojë, për të përfituar nga regjimi i vizave.
Në të, vlerësohet ecuria e regjistrit të kompjuterizuar dhe pasaportave biometrike dhe njëherazi inkurajon qeverinë për plotësimin e kushteve të tjera, në mënyrë që KE të japë një mendim pozitiv. Sipas Progres-Raportit të KE, thuhet se qeveria shqiptare ka një mundësi reale, për të plotësuar kërkesat, në mënyrë që, KE të liberalizojë vizat deri në qershor të 2010-ës. 
Progres-Raporti për vitin 2009, thekson rolin e qeverisë dhe institucioneve të saj, në luftën kundër korrupsionit.
Në raport thuhet se angazhimi i autoriteteve për të luftuar korrupsionin ka qenë i mbështetur në zbatimin e vazhdueshëm të legjislacionit. Gjithsesi, KE sugjeron për një qasje më sistematike dhe strategjike, në luftën kundër korrupsionit, duke vënë në vendin e sistemeve të përgjegjshmërisë, administratën publike dhe gjyqësorin dhe transparencën në rritje, të tyre.
Për sa u takon kritereve ekonomike, KE vlerëson se ekonomia shqiptare ka bërë hapa madhore drejt një ekonomie tregu funksionale. Për ta bërë më të aftë, në mënyrë që t’u bëjë ballë presioneve konkurruese në një periudhe afatmesme dhe forcave të tregut brenda BE-së, KE i sugjeron Shqipërisë që vazhdojë reformimin dhe fuqizimin sistemit të saj ligjor, si dhe të trajtojë mangësitë në infrastrukturë dhe kapital njerëzor.
Raporti i 2009-ës, lexon në vija të tjera se reforma gjyqësore mbetet në fazat e vijimi të procesit, por që pritet të finalizohet brenda kuadrit të përcaktuar kohor. Gjithashtu, KE vëren se mungesa e vullnetit politik, kryesisht nga opozita, ka bërë të mundur mos miratimin e kuadrit të nevojshëm ligjor.
Progres-Raporti vlerëson në vijim se Shqipëria ka regjistruar përparim të ndjeshëm në fushën e doganave. Raporti i KE thotë gjithashtu se, në këtë aspekt vazhdon puna, për përmirësimin e infrastrukturës në 10 pikat e kontrollit kufitar, i cili filloi në janar 2009.
Stafi i administratës doganore është i trajnuar për rregullat e përdorimit të pajisjeve të skanimit. Raporti i KE-së kritikon mungesën e dialogut politik, duke i dhënë kështu, një shuplakë qëndrimit të palës opozitare   
Pamja e përgjithshme e marrëdhënieve BE-Shqipëri është inkurajuese. Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) me BE-në më 12 qershor 2006. Zbatimi i MSA-së, e cila hyri në fuqi sivjet, në përgjithësi po vazhdon normalisht. 
   
Kriteret politike
Zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 përmbushën shumicën e standardeve evropiane, por duhen bërë përpjekje të mëtejshme për të trajtuar problemet që u identifikuan. Kultura e dialogut mes partive politike kryesore u përkeqësua para zgjedhjeve.
Kjo ngadalësoi progresin në reformat kyçe, veçanërisht në ato në fushën e drejtësisë. Seanca e fundit e parlamentit nuk mundi të miratonte projektligje të rëndësishme për shkak të bojkotit të disa partive politike. Mbi të gjitha dialogu politik, një prioritet i partneritetit evropian duhet të rikthehet në vend.
Lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve u shënua progres në përmirësimin e infrastrukturës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. U hartua një listë e saktë zgjedhësish bazuar me regjistrin civil të ri, duke përmbushur në një shkallë të gjerë një nga prioritetet e partneritetit evropian. Shpërndarja e kartave të identitetit nisi në janar 2009 dhe u kompletua në pjesën më të madhe. Ditën e votimit nuk kishte probleme lidhur me kartat e identitetit. Parlamenti ka adoptuar një numër të madh ligjesh për të përafruar legjislacionin shqiptar me atë evropian, por miratimi për disa ligje të veçanta u shty për shkak të fushatës zgjedhore. Kapacitetet menaxhuese të parlamentit janë përmirësuar në përgjithësi. Parlamenti ende nuk e ka shqyrtuar çështjen e miratimit të rregullave të reja që kufizojnë sferën e imunitetit të anëtarëve të tij. Komisioni Evropian i Integrimit ka vazhduar të rrisë vetëdijen për çështjet evropiane. Në përgjithësi, progres u shënua në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të cilat konsiderohet se plotësuan shumicën e standardeve ndërkombëtare.

Qeveria
E ngritur mbi programin e punës së qeverisë së mëparshme, programi i qeverisë së re i jep prioritet integrimit evropian, rritjes së mirëqenies dhe politikave sociale.
Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar së bashku me reformën në drejtësi, vazhdon të mbeten prioritetet e qeverisë. Janë marrë një sërë masash për përmirësimin dhe monitorimin e koordinimit ndër-strukturor për angazhimet e MSA-së.
Në prill iu krijua një Komitet Ndërministror për integrimin evropian me qëllim forcimin e rolit koordinues të Ministrisë së Integrimit. Në këtë ministri është shënuar progres në rritjen e kapaciteteve administrative dhe në plotësimin e vendeve bosh të punës.
Implementimi i MSA-së është vendosur si prioriteti kryesor i integrimit evropian në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit dhe Integrimit.
Në përgjithësi Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në forcimin e strukturave qeverisëse duke iu adresuar angazhimeve të MSA-së, çka përbën një prioritet kyç për partneritetin evropian.

Kriteret ekonomike
Ekonomia shqiptare ka bërë hapa të mëtejshëm përpara drejt një ekonomie tregu funksionuese. Në mënyrë që të jetë e aftë t’u bëjë ballë presioneve konkurruese në një periudhe afatmesme dhe forcave të tregut brenda BE-së, Shqipëria duhet të reformojë dhe fuqizojë sistemin e saj ligjor, si dhe të trajtojë mangësitë në infrastrukturë dhe kapital njerëzor.
Gjatë gjithë vitit 2008, rritja ekonomike vazhdoi të përshpejtohej, por u ngadalësua në vitin 2009 për shkak të ndikimit të krizës ekonomike e cila rezultoi në rënien e eksporteve, dërgesave të emigrantëve, dhe të kredisë.
Politika monetare vazhdoi te ishte e shëndoshë dhe u ruajt qëndrueshmëria e çmimeve, ndërkohë që deficiti buxhetor u rrit kryesisht për shkak të veprave të mëdha publike në infrastrukturën rrugore.
Ristrukturimi dhe privatizimi i sektorit energjetik eci përpara, por mungesa e sigurisë në furnizimin me energji vazhdon të pengojë zhvillimin ekonomik.
Në mënyrë që ekonomia t’u bëjë ballë presioneve konkurruese dhe forcave të tregut të BE-së, Shqipëria duhet të reformojë dhe fuqizojë sistemin e saj ligjor, si dhe të trajtojë mangësitë në infrastrukturë dhe kapital njerëzor.

Antikorrupsioni
Qeveria ka ndërmarrë masa të koordinuara në luftën kundër korrupsionit në disa fusha, duke reduktuar kontaktet direkt mes sektorit privat dhe administratës. Masat përfshijnë reduktimin e burokracisë dhe përmirësimin e procedurave.
Progres është bërë në sektorin e arsimit, ku mund të veçohen provimet e pranimit në universitete , të cilat përdorin një sistem anonim për të kufizuar hapësirat për korrupsion. Progres është bërë edhe në përmirësimin e legjislacionit në përputhje me Konventën e Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit.
Nga 13 rekomandime nga Grupi i Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit, janë dy rekomandime që lidhen me financimin e partive politike që duhet të shqyrtohen.
Progres është bërë me rezultatet e Njësisë së Përbashkët të Hetimit  ndaj krimit ekonomik dhe korrupsionit.
Në përgjithësi Shqipëria ka vazhduar luftën kundër korrupsionit, i cila është një prioritet i rëndësishëm i partneritetit evropian. Është miratuar kuadri i duhur ligjor dhe janë ngritur strukturat përkatëse.

Të drejtat e njeriut, të drejtat civile dhe politike
Shqipëria ka ratifikuar shumicën e instrumenteve evropiane për të drejtat e njeriut .Ajo gjithashtu ka ratifikuar Protokollin jo të detyrueshëm të Konventës së Kombeve të bashkuara për të drejtat e fëmijëve në përfshirjen e fëmijëve në konfliktet e armatosura.
Shqipëria ka një kuadër ligjor të përshtatshëm për garantimin, promovimin dhe fuqizimin e të drejtave të njeriut.
Lidhur me parandalimin e torturës dhe keqtrajtimit dhe luftës kundër pandëshkueshmërisë, Shqipëria ka shënuar progres veçanërisht në eliminimin e abuzimit fizik me të burgosurit.
Agjencitë e zbatimit të ligjit kanë ndjekur raste të keqtrajtimeve dhe disa oficerë policie janë larguar nga detyra    
 
Standardet evropiane
Në raportin vjetor të Komisionit Evropian, konstatohet se Shqipëria ka përparuar me përafrimin e legjislacionit, politikave dhe kapaciteteve të saj me standardet evropiane. Tani, i duhet të shtojë përpjekjet e saj për zbatimin e këtyre ligjeve dhe politikave.
Në fusha si lëvizja e lirë e mallrave, politikat e energjisë dhe të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, ka vazhduar progresi i shënuar vitet e mëparshme
Përparimet kanë qenë të kufizuara në fusha të tjera si e drejta e pronësisë intelektuale, politikat audiovizuale, bujqësia dhe kontrollet veterinare/fitosanitare.
 Gjithashtu, janë të nevojshëm rezultate të prekshme për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›