Në datat 23-25 tetor në Durrës zhvillohet veprimtaria e arteve marciale “Gladiator 2009”
Rreth 200 sportistë amatorë dhe profesionistë të arteve marciale, do të marrin pjesë në veprimtarinë ndërkombëtare “Gladiator 2009”, e cila do të organizohet nga 23-25 tetor në qytetin e Durrësit. Drejtuesi i shkollës së arteve marciale “Bijtë e shqipes”, Fatmir Bardhoci, në cilësinë e organizatorit të kësaj veprimtarie, tha sot se "në këtë aktivitet, që organizohet në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, do të marrin pjesë mjaft sportistë shqiptarë, të cilët ushtrojnë artet dhe sportet marciale në Kosovë, Zvicër, Itali, Maqedoni, Gjermani, SHBA, etj. Sipas Bardhocit, veprimtaria “Gladiator 2009” synon të ringjallë dhe të përhapë mes të rinjve traditën e sporteve marciale. “Aktori i njohur i ekranit, Jean Claude Van Dame, 14 herë kampioni i botës në kick thai boks, Azem Maksutaj, si dhe kampionët Kreshnik Qato dhe Xhavit Bajramaj, janë disa nga të ftuarit e kësaj veprimtarie, e cila zhvillohet për herë të parë në vendin tonë", tha organizatori Bardhoci. Mësohet se ceremonia e hapjes së “Gladiator 2009” do të zhvillohet më 23 tetor në amfiteatrin antik të Durrësit, ku do të organizohen disa takime sportive, me pjesëmarrjen e kampionit italian Marco Nacchia, ndërsa në dy ditët në vazhdim ndeshjet do të zhvillohen në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të qytetit.
...