Brukseli, gati të mbyllë dialogun me Shqipërinë për heqjen e regjimit të vizave
Komisioni Europian ka përcaktuar edhe reformat e fundit që duhet të ndërmarrë Shqipëria para se të firmosë me Brukselin një marrëveshje për heqjen e plotë të regjimit të vizave. Dokumenti i cili do të jetë udhërrëfyesi i këtij procesi, do t’i dorëzohet sot në Bruksel Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Në fillim të muajit mars të këtij viti, zëvendëspresidenti i atëhershëm i Komisionit Evropian Franco Frattini, hapi zyrtarisht në Tiranë bisedimet për liberalizimin e vizave. Pas këtij angazhimi, i cili përfshin edhe vendet e tjera të Ballkanit për heqjen e të gjitha pengesave për udhëtim në vendet Shengen, ndaj qytetarëve të këtyre vendeve, Brukseli ka përcaktuar në mënyrë të detajuar detyrimet që Shqipëria duhet të përmbushë. Dokumenti është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe pritet t’i dorëzohet zyrtarisht ministrit të Jashtëm Shqiptar Lulëzim Basha. Ai është i ndarë në katër blloqe kryesore që përmbledhin fushat ku kërkohet ndërhyrje dhe përcakton në mënyrë të qartë atë çka Shqipëria dhe autoritetet e saj duhet të realizojnë, thuhet në një raportim të Zërit të Amerikës, seksioni i gjuhës shqipe. Lidhur me dokumentet e udhëtimit, ajo që kërkohet është thjesht prodhimi e pajisja e qytetarëve shqiptare me pasaporta biometrike, marrja e masave për të garantuar integritetin dhe sigurinë e procesit të shpërndarjes, programe trajnimi për zyrtarët dhe autoritet që do të merren me to, raportimin në Interpol të pasaportave të humbura apo të vjedhura. Përsa i përket çështjes së Administrimit të Kufijve, Komisioni kërkon përshtatjen dhe zbatimin e legjislacionit që rregullon lëvijen e personave të kufitë e jashtëm, masa buxhetore dhe administrative që të sigurojnë infrastrukturë efikase, pajisje dhe teknologji si dhe programe trajnimi me policinë kufitare, doganierët dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë. Shqipërisë i kërkohet ngritja dhe zbatimi i mekamizmave për kontrolin e flukseve migratore, mbajtjen e të dhënave si për emigracionin e ligjshëm ashtu dhe atë ilegal apo ngritjen e strukturave për analizimin e tyre. Po ashtu kërkohet përmirësimi edhe në hetimin e rasteve te trafiqeve të organizuara. Rendi Publik dhe Siguria janë një tjetër fushë ku kërkohen ndërhyrje të reja. Në dokument theksohet se Shqipëria duhet të zbatojë strategjinë e luftës kundër krimit të organizuar me një plan veprimi që të ketë afate të përcaktuara kohore e të mbështetet nga burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare. E njëjta gjë kërkohet edhe për luftën kundër trafikut të qënieve njerëzore apo kundër korrupsionit. Lufta kundër pastrimit të parave dhe konfiskimit të pasuriove të kriminelëve apo dhe zbatimi i strategjisë kombëtare kundër trafikut të drogës janë çështje të tjera ku po kërkohet bashkëpunimi i administratës shqiptare. Në dokument nënvizohet nevoja e bashkëpunimit të strukturave gjyqësore dhe të prokurorisë me shtetet anëtare të BE dhe vendet e rajonit apo dhe një ndërveprim efikas edhe mes vetë strukturave të brendshme shqiptare. Kërkesat e detajuara të Komisionit Europian paraprakisht janë mirëpritur nga autoritetet shqiptare dhe vetë kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar dje në Lushnje ecurinë e reformave, duke e përkufizuar kushtëzimin thjesht në një “çështje kohore derisa të prodhohen pasaportat biometrike”. Në dokument, shpejtësia e lëvizjes drejt liberalizimit thuhet se do të varet nga progresi i bërë nga secili vend në përmbushje të “detyrave të shtëpisë”. I gjithë progresi do të vëzhgohet nga afër prej Këshillit dhe Komisionit Europian. KE-ja do të raportojë rregullisht për ecurinë në zbatimin e kërkesave, thuhet në raportimin e djeshëm të VOA-s. Në mbyllje të procesit, për të cilin optimistët shprehen se do të shoqërohet në fund të këtij viti me një vlerësim politik për reformave, që do të sjellë edhe marrjen e statusit të vendit kandidat, Komisioni Europian do t’i propozojë Këshillit të ministrave, pas konsultimit me Parlamentin europian marrjen e vendimit për heqjen e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë që udhëtojnë në njërin nga vendet e zonës Shengen.