Brukseli jep pas dy ditësh propozimin për liberalizimin e vizave

Raporti i KE shqyrtohet të martën nga Komisioni për të Drejtat Civile dhe çështjet e Brendshme në Parlamentin Evropian
Komisioni Evropian pritet të zyrtarizojë të martën propozimin për hyrjen e Shqipërisë në “Schengen”, gjatë shqyrtimit të raportit nga Komisioni për të Drejtat Civile dhe çështjet e Brendshme në Parlamentin Evropian. Në raportin prej 44 faqesh, në lidhje me liberalizimin e vizave, vlerësohet përparimi i Shqipërisë në miratimin e disa ligjeve të rëndësishme, por njëherazi theksohet edhe domosdoshmëria e vijimit të reformave nga institucionet shqiptare, deri në marrjen e vendimit përfundimtar.
Shqipëria ka shënuar progres në të 4-r blloqet, duke miratuar plotësisht pjesën dërrmuese të kuadrit ligjor. Po ashtu, kancelaritë perëndimore kanë përpiluar edhe udhëzimet përkatëse për planin e veprimit, pas propozimit të vizave, e cila pasohet me marrjen e vendimit më 2 qershor të këtij viti. Në raport Komisioni Europian thekson se një nga ligjet të cilat janë miratuar me vonesë janë si ligji për mbrojtjen ndaj diskriminimit i cili u miratua në shkurt 2010, plani i aksionit ndaj korrupsionit i cili u miratua në mars 2010, ligji anti-mafia i cili u miratua në dhjetor 2009 dhe hyri në fuqi në janar 2010, plani i ri i aksionit kundër drogës u miratua në mars 2010, ligji i ri për bashkëpunimin gjyqësor me autoritetet e huaja për çështje kriminale i cili u miratua në dhjetor 2009 dhe hyri në fuqi në shkurt 2010 dhe në fushën e azilit, rregullat për apel u qartësuan me udhëzim ministror në mes të shkurtit 2010. Pra, sipas raportit të Komisionit Evropian, janë një shumësi ligjesh të rëndësishme, që tashmë kanë hyrë në fuqi.
Komisioni Evropian thekson gjithashtu se mos prezenca e opozitës në sallën e Kuvendit, ka përcjellë një mesazh jo fort të këndshëm për Brukselin, pasi apeli i institucioneve ndërkombëtare ka qenë për një bashkëpunim të thellë mes forcave politike.