Fokus/ Xhihadi i kolonel Gedafit kundër Zvicrës, një rrezik për t’u marrë seriozisht
Sa herë ka pasur konflikte ndërkombëtare, Zvicra ka qëndruar gjithmonë neutrale, por në dy vitet e fundit duket se është përfshirë (pa dëshirë), në atë që diktatori libian, kolonel Gedafi, e ka quajtur xhihad "lufta e shenjtë" ndaj të pafeve të Bernës. Gjithçka ka filluar në korrik të vitin 2008, kur Hanibal Gedafi, i biri i udhëheqësit libian, u arrestua së bashku me gruan e tij Aline, të akuzuar për keqtrajtim të një çifti, në një hotel luksoz në Gjenevë. Mirëpo Gedafi i vogël u lëshua vetëm dy ditë më pas, kur depozitoi si garanci rreth 500 mijë $, dhe u detyrua të largohet menjëherë nga Zvicra. Këtu filluan tensionet midis dy vendeve. Për hakmarrje, Libia ndaloi dy biznesmenë zviceranë, duke i mbajtur gati dy vjet në burg në Tripoli, zyrtarisht për shkelje të ligjit për lejen e qëndrimit. Njëri prej tyre u kthye muajin e kaluar në Bernë, ndërsa tjetri është ende në burg. Tripoli zyrtar i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike mes dy vendeve, duke anuluar të gjitha vizat për qytetarët zviceranë, dhe duke bllokuar firmat e sipërmarrjet e mëdha zvicerane të veprojnë në territorin e tyre. Bile duke reduktuar edhe numrin e fluturimeve të drejtpërdrejta drejt Bernës. Për muaj të tërë Ambasada e Zvicrës në Libi ndodhej e braktisur, pasi ish-ambasadori Daniel von Muralt vendosi të dalë në pension parakohshëm, në mes të një krize të plotë diplomatike.
Një vit më vonë, kërcënimet e Muamar Ghedafit kundër Zvicrës janë një konfirmim konkret. Në vitin 2009, Libia tërhoqi të gjitha llogaritë që gjendeshin në bankat e Zvicrës, rreth 5 miliardë dollarë - sipas publikimit vjetor të Bankës Kombëtare zvicerane. Nëse para këtij incidenti të fundit, Tripoli ishte partneri kryesor në Afrikë i Zvicrës, vetëm një vit më vonë eksportet zvicerane kanë rënë në Libi rreth 70 përqind. Zemërimi i Gedafit nuk ka ndaluar edhe pas vizitës së Presidentit të Zvicrës, Hans-Rudolf Merz, i cili ka shkuar personalisht në Tripoli për të pajtuar dy vendet. Në samitin e G-8, të mbajtur në qytetin e dërrmuar nga tërmetet ne Aquila, në qershor të vitit të kaluar, lideri libian Gedafi e quajti Zvicrën “një mafie botërore dhe jo një shtet”, duke e akuzuar atë për financim të terrorizmit ndërkombëtar. Ndërsa disa muaj më vonë, Libia ka bërë edhe një akuzë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që u mblodh më 15 shtator të vitit 2009, për të “diskutuar çmontimin e territorit zviceran”, - siç tha në atë kohë në TV nga parlamentarja dhe Zv/presidentja e komisionit për Punët e Jashtme, Christa Markwalder. Koloneli i zi Gedafi ka marrë hartën gjeografike të Zvicrës duke e ndarë në shumë pjesë: Kantoni “Ticino” t’i shkojë Italisë, kurse kantonet romande dhe frankofone Francës dhe ato të Zvicrës gjermanisht-folëse Gjermanisë.
Gjithsesi zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Farhan Haq, siguroi qeverinë zvicerane dhe komunitetin ndërkombëtar, duke thënë se propozimi i Libisë ishte refuzuar sepse shkonte kundër Kartës së OKB-së, Tripoli, megjithatë ende ka një kërcënim të hapur ndaj Zvicrës, dhe ndoshta edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Veç të mendoni, që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së zgjodhi presidentin e 64 të sesionit, libianin Ali Treki, i cili e filloi punën në shtator. Ali Treki ka qenë ministër i jashtëm në vitet ‘70, por edhe më vonë, në fillim të viteve ’80, kur njerëz të mbrojtur nga kolonel Gedafi hidhnin në erë aeroplanë, aeroportet, sinagoga dhe klube. Madje edhe në karrigen e “pushtuar” nga besniku i tij, lideri i Libisë, pas vizitës në pallatin e qelqtë, shkroi në arabisht e anglisht: “Ne jemi këtu. Muhamar Gedafi”.
Tensionet midis Tripolit dhe Zvicrës kanë vazhduar të përshkallëzohen në muajt e mëvonshëm. Në shkurtin e kaluar, në fakt, Berna përpiloi një listë të ashtuquajtur “lista e zezë” me emrat e 188 qytetarëve të Libisë, të përjashtohen sa më shpejt nga Konfederata Zvicerane, duke përfshirë edhe kolonelin Gedafin dhe vajzën e tij Aisha, Kryeministrin Al Baghdadi, Ministrin e jashtëm Musa Koussi, Presidenti aktual të OKB-së Ali Treki, ministra dhe krerë të tjerë të industrisë. Si kundërpërgjigje, Libia ka pezulluar licenca (të cilat janë revokuar vetëm pak ditë më parë), vizat për qytetarët e vendeve Shengen, dhe vlefshmërinë e vizave të lëshuara për të gjithë evropianët, përveç britanikëve. “Masa reciproke” sipas gazetës libiane “Oea” të lidhur me djalin e Gedafit, por edhe Brukseli nuk ka hezituar për të etiketuar si të “njëanshme dhe jo-proporcionale” këto masa: në një shënim të Komisionerit të Punëve të Brendshme, Cecilia Malmstrom.
Së fundi, Gedafi ka përfituar nga referendumit që u bë në Zvicër, që ka sanksionuar ndalimin e ndërtimit të minareve të reja, çka i a hedhur benzinë të mëtejshme zjarr. Më 25 shkurt ai ka kombinuar nja takim me të tmerrshmin “Sheikh Yusuf el-Qaradawi”, udhëheqësi shpirtëror i “Vëllazërisë myslimane egjiptiane”, të cilët janë bërë të njohur për oponencën e dhunshme ndaj karikaturave daneze, duke lëshuar thirrje për xhihad, që po ngjan se është një luftë e “shenjtë” kundër armikut sionist, kundër agresorit të jashtëm dhe kundër Zvicrës.
Këto janë fjalë të lëshuara në qytetin libian, Bengali: “Zvicra është një vend mëkatar plot të pafe, që shkatërron xhami. Xhihadi me çdo mjet të mundshëm duhet të deklarohet kundër Zvicrës. Ata pikturuan Profetit Muhamed në gazetat e tyre në mënyra nga më të neveritshmet. Bojkotoni produktet e saj, fluturimet e saj, anijet dhe ambasadat e saj. Veç bojkot për këtë komunitet mëkatar dhe të pafe, që sulmon xhamitë e Allahut. çdo mysliman kudo në botë, duke bërë biznes me Zvicrën, shndërrohet në një të pafe që vepron kundër Islamit, Muhamedit, Allahut dhe Kuranit”.
Por, përpara kësaj kryqëzate, bashkësia ndërkombëtare, me Perëndimin në krye, po mbetet krejtësisht indiferente. Imagjinoni se reagimi më i mprehtë erdhi nga OKB-ja, që e ka selinë e vet kryesore në Gjenevë, e cila theksoi në mënyrë publike se “këto deklarata janë të papranueshme”. Bashkimi Europian (BE) është kufizuar thjesht në etiketimin se është “për të ardhur keq”, ndërsa në fund të marsit në kongresin e Lidhjes Arabe, të mbajtur në Libi, ministri i Jashtëm spanjoll dhe Presidenti aktual i BE-së, Miguel Angel Moratinos shprehu pakënaqësinë e tij ndaj Zvicrës dhe listës së zezë, duke i harruar dy pengjet zvicerane të burgosur prej dy vjetësh në Tripoli. Amerika, nga ana tjetër ka një traditë që e konsideron politikën e Gedafit, si një shaka të zakonshme. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, P.J. Crovley, duke komentuar propozimin e Libisë për copëtimin e Zvicrës dhe leksionet e Gedafit mbi gjeografinë, preferoi të mos prononcohej dhe të zhdramatizonte situatën: “Kam dëgjuar shumë fjalë, jo domosdoshmërisht kanë një kuptim”, tha ai. Por ndoshta Crovley nuk e priste reagimin e kreut të Libisë, i cili në një reagim nga Tripoli, pas vërejtjeve të tij, tha në mënyrë fyese se planifikonte ta zgjeronte xhihadin edhe në Amerikë, duke goditur së pari marrëdhëniet e biznesit me kompanitë e naftës amerikane që operojnë në Libi. E çuditshmja është se më tej, Crovley kërkoi falje për komentet “tepër” ironike dhe Uashingtoni dërgoi emisarin e vet në Libi për të diskutuar mbi çështjen.
Shumë ekspertë kanë refuzuar ta marrin seriozisht rrezikun që Tripoli paraqet në skenën ndërkombëtare. Por ngjan se llogaritë janë bërë gabim. Sipas gjurmuesit francez të Islamit, Malek Chabel, faktet e fundit nuk mund të nënvlerësohen. Përveç akuzave të përsëritura të racizmit, të përkrahura gjithmonë nga Lidhja Arabe, Tripoli ka lënë të lirë shkurtin e shkuar, më shumë se 200 anëtarë të Grupit të Luftës Islame, fort i afërt me Al-Kaidan, një grupim që s’e ka fshehur kurrë synimin për të krijuar një regjim islamik në vend. Nuk është absurde të mendohet se eksperienca e këtyre terroristëve, të burgosur pas gjykimeve të padrejta e kolektive, mund të përdoret jashtë vendit, ndoshta në xhihadin e planifikuar kundër Zvicrës. Edhe për këtë, siç shpjegon Chabel, Perëndimi do të ishte i “papërgjegjshëm” nëse vazhdonte të injoronte kërcënimet e Gedafit.