Nga manjat i medias në manjat të censurës, modeli-metamorfozë që propozojnë Karlo Bollino dhe edvinistët e shtypit
Zakonisht, ata që flasin shpesh për moralin janë nga më amoralët. Sikurse ata që flasin për medien e lirë, janë nga më të zellshmit inkuizicionistë të shprehjes lirisht të fjalës. Të kuptohemi, Karlo Bollino nuk është Torquemada modern, por me pozitën themeluese e drejtuese (de facto) të televizionit privat “News24”, i afrohet shumë atij, në deformimin e konkurrencës së shtypit të përditshëm. Konsumohet kështu një “krim mediatik”- terminologji krahasuese jo më imorale sesa slogani soc-komunist “krim elektoral”.
Megjithatë jo të gjithë ndoshta e dinë se Karlo Bollino ka qenë një gazetar i Ansa-s (Agjencia Telegrafike Italiane) i profilizuar si korrespondent në Izrael, e që befasisht i kapërceu të gjitha etapat e meritokracisë dhe u katapultua si editor i seksionit shqip të gazetës italiane “La Gazzetta del Mezzogiorno”, sekson i një testate të vjetër e me shumë emër e traditë në Itali. Karlo Bollino ka një karrierë 15 vjeçare në gazetari duke bërë korrespondentin e jashtëm, në arealin e Mesdheut,: në fillim në Shqipëri, pastaj, me ANSA-n në Izrael. Kur u kthye në Itali pas 16 vitesh eksod nëpër Mesdhe, atij iu dha edhe çmimi për karrierën “Caravella del Mediterraneo”. Në 30 maj të 2009 në qytetin e Barit, pranë Hotel Sheraton Nicolaus Hotel, ku u bë konkursi i parë ndërkombëtar “Giornalisti del Mediterraneo" (gazetarët e Mesdheut) të promovuar nga shoqata e "Terra del Mediterraneo” (Tokat e Mesdheut), ky çmim për karrierën i shkoi si Karlo Bollino-s, drejtor i gazetës “‘Gazzetta del Mezzogiorno”, por një çmim tjetër e fitoi çuditërisht edhe një gazetare e gazetës së botuesit Koço Kokëdhima, Elsa Demo. Nuk dihen motivet reale të promovimit të kësaj gazetareje, por në internet argumentohet “për motive të larta në seksionin dedikuar Papa Gjon Palit të II-të” (!!!). Lehtësisht mund të lexohet ngritja artificiale e një gazetareje të frontit popullor edvinist.
Por vlerësimi si karavelë e Mesdheut, nuk e ka ndaluar të ri-ngrejë në Shqipëri Institutin e Censurës “Bollino-rosso”, duke u shndërruar në një inkuizicionist të lirisë së medias dhe botuesi i gazetës “55” dhe testata e tij e ka provuar në vetë të parë. Gazetarët e grupit edvinist “Bollino-rosso” u ankuan për lirinë e medias në Shqipëri në forumin e organizuar prej vetë tyre, paçka se ata janë shndërruar në shembullin më të mirë të shantazhit e të censurës në vend. Janë dhe mbeten 24 karatë inkuzicionistë të orës së parë deklamative, pasi së pari, 100 përqind e mediave edviniane janë në pronësi të biznesmenëve që janë klientë në bashkinë e Tiranës. Aty gazetarët angazhohen përditë në hyjnizimin e komunizmit e të figurave të krimit të organizuar, ndërkohë që zbatojnë një censurë publike ndaj shtypit dhe mendimit politik të së djathtës. Padroni i “Bollino-rosso” Karlo, ka urdhëruar pa iu trashur zëri një censurë publike në emisionin e mëngjesit, në televizionin e tij, ndaj gazetës “55”, si dhe ndaj drejtorit të saj. Edhe rastet e tjera publike të censurës regjistrohen vetëm në mediet që janë nën kontrollin publik të Edi Ramës.
Afërmendsh se kemi të bëjmë me realizimin - prej bakejve mediatikë - të një dëshire personale të kryesocialistit Edi Rama.
Sidoqoftë s’është rasti që fokusi të përqendrohet vetëm tek Karlo Bollino, i cili e ka mbjellë të keqen e censurës, por tashmë formalisht thotë se gjendet jashtë dhe se shqiptarët mund të përpiqen që të çlirohen nga virusi. Ka edhe të tjerë që kanë mekatet e tyre në ritualizimin e kodit të censurës, çka e kanë provuar në kurriz edhe intelektualë, si Fatos Lubonja, por edhe eksponentë të tjerë të publicistikës në Shqipëri. Por si finale, duhet theksuar se denoncimet për censurë, në 100 përqind të rasteve, vijnë nga mediat e Edvinit, të cilat s’mund të bëjnë asnjë “lëshim”, meqenëse punojnë ekskluzivisht për interesat e drejtpërdrejta të kryetarit të Partisë Socialiste.