E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli premton statusin e kandidatit nëse opozita ndërpret bojkotin

02-07-2011 / Gazeta 55

Baronesha Ashton si dhe presidenca polake e BE-së konfirmojnë momentin pozitiv të nëntorit me marrjen e statusit të kandidatit, nëse klasa politike miraton 12 pikat e rekomanduara nga Brukseli dhe opozita ndërpret bojkotin e saj absurd.
Berisha: Anëtarësimi i shpejtë në BE, projekt kombëtar

Polonia mori dje zyrtarisht Presidencën 6 - mujore të Bashkimit Evropian, duke përcjellë mesazhe të ngrohta për vendet potencialisht kandidate në bashkimin Evropian, mes të cilave edhe Shqipëria. Me rastin e marrjes së Presidencës së radhës së BE-së nga ana e Polonisë, ambasadorja e Polonisë në vendin tonë, Irena Tatarzynska e shoqëruar nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, zhvilloi dje një takim me kryeministrin Sali Berisha. Pasi u uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Berisha u rikonfirmoi ambasadorëve se anëtarësimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në BE është dhe mbetet projekt madhor kombëtar dhe se qeveria shqiptare është totalisht e angazhuar dhe e vendosur të ndërmarrë çdo reformë për realizimin sa më shpejt të këtij projekti, si interesi më i mirë i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ambasadorja e Polonisë, Irena Tatarzynska, e falënderoi përzemërsisht kryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i rikonfirmoi atij se Polonia dhe qeveria polake janë dhe mbeten mbështetës të fuqishëm të Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare në të gjitha përpjekjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, ambasadorja Tatarzynska theksoi se një nga shtyllat e programit të Presidencës polake së radhës së BE-së është dhe mbetet vijimi i procesit të zgjerimit, si dhe mbështetja dhe ndihma ndaj Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në përpjekjet e tyre dhe përgatitjen për anëtarësim sa më të shpejtë.
Më tej, ambasadorja Irena Tatarzynska i bëri kryeministrit një ekspoze të prioriteteve të Presidencës polake të radhës së BE-së, të cilat përmblidhen në 3 shtylla kryesore të përcaktuara si; shtylla e parë e fokusuar në thellimin e integrimit evropian si burim zhvillimi dhe rritje ekonomike për mbarë Bashkimin Evropian, shtylla e dytë e fokusuar për një Evropë gjithnjë e më të sigurt dhe shtylla e tretë e prioriteteve të BE-së përfshin vizionin e një Evrope të hapur, përfshi këtu edhe promovimin e mëtejshëm të zgjerimit të BE-së, si politika që i shërbejnë BE-së por edhe vendeve të tjera.
Në këtë kontekst, Presidenca polake e radhës së BE-së do të synojë thellimin e tregut të brendshëm evropian, duke synuar njëkohësisht edhe realizimin e objektivave financiarë, që do të bëjnë të mundur tejkalimin e efekteve të krizës globale.
Fusha të tjera prioritare përfshijnë politikat në lidhje me sektorin energjetik, bujqësinë dhe sigurinë ushqimore, promovimin e kapaciteteve intelektuale, duke nxitur inovacionin dhe dijen universitare dhe të gjithanshme, të cilat do t’i shërbejnë botës intelektuale, në veçanti asaj të të rinjve, por dhe si një burim për rritje të mëtejshme ekonomike.
Kreu i qeverisë Berisha e falënderoi ambasadoren e Polonisë në Shqipëri Irena Tatarzynska për këtë ekspoze dhe i shprehu urimet më të përzemërta dhe bindjen tij të thellë se Presidenca polake e radhës e Bashkimit Evropian do të jetë një presidencë e suksesshme.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›