Brukseli rekomandon masa për të frenuar ekstremizmin e dhunshëm që po mbin në Evropë
Duke shprehur shqetësim lidhur me prirjet në rritje të ekstremizmit anembanë Evropës, sidomos protagonizmin e Agimit të Artë në Greqi, KE propozon masa të ndryshme për vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që këto lëvizje të mos shndërrohen në një model social
Ekstremizmi në Evropë është rritur në një nivel të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore, tha Komisioni Evropian të martën (29 janar). "Është koha që të pranojmë të vërtetën rreth prirjeve në rritje të ekstremizmit në Evropë, që e bën atë një nga kryesoret, në mos kryesoren, sfidë të sigurisë për Evropën," tha Komisionerja për Çështjet e Brendshme të BE-së Sesilia Malmstrom në një konferencë në Bruksel. "Ekstremizmi i dhunshëm mund të ngrihet brenda çdo ideologjie dhe kërcënimi sot vjen kryesisht nga brenda shoqërive tona," shtoi ajo. "Lëvizjet në rritje populiste, nacionaliste dhe ksenofobe anembanë Evropës janë një shqetësim për të gjithë ne," tha Malmstrom, duke vënë në dukje se ekstremistët "depërtojnë mjediset tona në internet dhe në një shkallë në rritje, edhe politikat evropiane". Zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara në Greqi vitin e kaluar pas muajsh të thellimit të krizës ekonomike treguan gjithashtu rritjen e ndikimit të partisë neo-naziste Agimi i Artë të vendit, që u ngrit nga skajet për të fituar 18 nga të gjithë 300 vendet në parlamentin kombëtar. Qindra grekë dhe emigrantë u bashkuan në një protestë kundër partisë në Athinë më 19 janar, tre ditë pasi një punëtor 27-vjeçar pakistanez u sulmua dhe u ther me thikë për vdekje nga dy burra, në atë që policia e ka përshkruar si një vrasje raciste. Keqbërësit u dyshuan të jenë anëtarë të Agimit të Artë ose mbështetës të saj. Këto grupe e lëvizje radikale shpesh shërbejnë si shtretër të nxehtë për dhunën e motivuar ideologjikisht, sipas Malmstromit. "Nuk them se këto lëvizje janë drejtpërsëdrejti përgjegjëse për sulmet terroriste, por duhet të pranojmë se japin oksigjen dhe rritin pranimin për pikëpamjet ekstremiste," theksoi ajo. "Nuk do të jemi në gjendje të kundërshtojmë ekstremizmin e dhunshëm në qoftë se nuk kundërshtojmë propagandën e atyre që mbështesin pikëpamjet ekstreme, ksenofobe dhe raciste". Pjesëmarrësit në konferencën e së martës diskutuan një seri prej 15 hapash të posaçme për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Masat janë hartuar nga Rrjeti i Ndërgjegjësimit për Radikalizimin, i krijuar në shtator 2011 nga KE, që bashkëpunon dhe lehtëson veprimtaritë e të përfshirëve në të. Propozimet janë mbështetur në kuptimin se pjesa më e madhe e punës për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm duhet të bëhet në nivel vendor ose kombëtar me pjesëmarrjen e aktorëve të ndryshëm, duke përfshirë mësues, policë të komunitetit, specialistë të shëndetësisë, të rinj punëtorë dhe praktikantë të tjerë. Borisllav Tsekov, kreu i Institutit për Politikat Moderne, me qendër në Sofje, i pa propozimet edhe si në kohë, edhe si të nevojshme. "Fjalimet e urrejtjes dhe mungesa e tolerancës kanë arritur nivele tejet ekstreme në BE," tha ai. "Vetëm hidh një sy në mediat sociale për ta parë këtë. Në rastin e Bullgarisë në veçanti, mediat sociale gëlojnë në grupe që bëjnë thirrje për dhunë, segregacion dhe diskriminim kundër etnive të posaçme apo grupeve fetare; krimi tolerohet e disa veprime kriminale bile edhe përgëzohen. Variante të ndryshme të kësaj, qoftë të drejtuara kundër feve të posaçme apo modelit shumë-kulturor në përgjithësi, mund të shihen në shumë vende të Evropës". Megjithatë, shtoi ai, është kritike që masat e propozuara "të mos kthehen megjithatë në një instrument tjetër burokratik, siç ka qenë rasti me shumë veprime e politika të tjera të BE-së, por të qëndrojnë si në rendin e ditës të KE-së, ashtu edhe në atë të qeverive të vendeve anëtare". Profesori Georgi Bahçevanov i Departamentit Kombëtar dhe Ndërkombëtar të Sigurisë në Universitetin e Ri Bullgar në Sofje, vuri në dukje se masat e propozuara mbështeten e janë në përputhje me strategjinë e sigurisë së brendshme të BE miratuar në mars 2010. "Sistemet për paralajmërimin e hershëm, parandalimin dhe bashkëpunimin shumëpalësh janë elementet kryesore në parandalimin e radikalizmit ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe aktorët vendorë janë ata të vendosur më mirë për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në këtë fushë," tha ai.