E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli, Borisov: Me marrjen e statusit Shqipëria përfiton miliona euro investime. Bullgaria mbështet integrimin

06-02-2013 / Gazeta 55

Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov pret në një takim kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli

Në vijim të vizitës zyrtare në Sofje, Bullgari, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u prit në një takim nga Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov.
Mbështetja ndaj Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, jo vetëm me votë pro në strukturat e BE-së, por edhe me dhënien e eksperiencës së qeverisë bullgare, shfrytëzimi i fondeve europiane për realizimin e projekteve të mëdha strategjike, forcimi i bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy vendeve në të gjitha fushat etj ishin temat kryesore që dy personalitetet diskutuan gjatë takimit.
Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë që Bullgaria ka dhënë ndaj vendit tonë për proceset integruese. Ajo vlerësoi rolin dhe rëndësinë që kanë vendet mike anëtare në Bashkimin Europian për të vijuar mbështetjen ndaj përpjekjeve dhe aspiratës së Shqipërisë për t’u bërë në një të ardhme të afërt anëtare me të drejta të plota në BE.
Gjatë takimit, kryeministri Borisov pasi konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e palëkundur të Bullgarisë ndaj integrimit të Shqipërisë njohu Kryetaren e Kuvendit me eksperiencën e qeverisë së tij të fokusuar në një drejtim shumë të rëndësishëm atë të përthithjes dhe zbatimit të projekteve ambicioze të përfituara nga fondet europiane.
“Më lejoni t’iu siguroj se Bullgaria do të jetë përkrah Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Integrimi në BE është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ju, ashtu siç ka qenë dhe është edhe për ne. Ne kemi shndërruar historinë e zhvillimit të Bullgarisë duke zbatuar me korrektësi dhe sukses projekte të mëdha të financuara nga fondet europiane. Kjo është eksperienca jonë”- u shpreh kryeministri Borisov.
Dy personalitetet vlerësuan nxitjen e bashkëpunimit për krijimin e një rrjeti të përbashkët infrastrukturor rajonal. Në këtë drejtim, kryeministri Borisov bëri të ditur se Bullgaria përmes fondeve europiane është duke realizuar projekte gjigande infrastrukturore që parashikojnë ndërtimin e disa autostradave që lidhin Sofjen me kryeqytete të rëndësishme rajonale por edhe më gjerë.
Duke përgëzuar kryeministrin Borisov për suksesin e këtyre projekteve, kryetarja e Kuvendit theksoi se edhe Shqipëria në rrugën e saj të integrimit dhe me marrjen e statusit kandidat do të përfitojë nga këto fonde të cilat përkthehen në miliona e miliona euro investime për infrastrukturë, vende të reja pune, shërbime për qytetarët, bursa, mirëqenie për qytetarët shqiptarë.
Kryetarja e Kuvendit tha se shqiptarët do të ndëshkojnë me votë bllokimin e opozitës për marrjen e statusit, prej të cilit shqiptarët përfitojnë fonde për projekte të mëdha zhvillimi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›