“Brukseli vlerësoi konsensusin marrëveshja për reformën zgjedhore zhvillim pozitiv”
Fatos Beja: Kryetari i delegacionit shqiptar në komitetin e Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri
“Brukseli vlerësoi konsensusin për reformat në Shqipëri. Marrëveshja për reformën zgjedhore padyshim që u cilësua si zhvillim pozitiv nga përfaqësuesit e lartë të BE”. Kështu u shpreh deputeti i PD-së, Fatos Beja, njëkohësisht kryetar i delegacionit shqiptar në komitetin e Stabilizim - Asociimit BE-Shqipëri.
Sipas tij, sinjalet nga Bashkimi Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat janë mjaft pozitive. “Klasa politike duhet të vijojë me plotësimin e atyre pak kushteve që kanë mbetur, realizimi i të cilave do të sillte dhe përgjigjen e shumëpritur në vjeshtën e këtij viti. Në takimin e Komitetit të Stabilizim - Asociimit, Brukseli vlerësoi konsensusin për reformat në Shqipëri. Marrëveshja për reformën zgjedhore padyshim që u cilësua si zhvillim pozitiv”, u shpreh Beja.
Ai vuri në dukje se optimizmit të zyrtarëve të Brukselit për progresin reformator të Shqipërisë, përfaqësuesit e Partisë Socialiste i përgjigjeshin me nihilizëm. Beja tha se opozita u bë pengesë për shtimin e një amendamenti në deklaratën e përbashkët, që bënte fjale për, “përmbushjen në përgjithësi të detyrimeve”.
Ne kërkuam që në amendamentet e Komitetit të shtohej se, “Shqipëria i ka përmbushur përgjithësisht detyrimet”.
Por, opozita, përfaqësuesit e saj, e refuzuan këtë amendament. Opozita deklaroi aty se, ne mbështesim marrjen e statusit, ndërkohë që, nuk na mbështeti në amendamentin se, “Shqipëria i ka përmbushur përgjithësisht detyrimet”, tha ai.
Deputeti demokrat tha se tashmë vëmendja e forcave politike, duhet të përqendrohet te nisma e radhës, ajo e heqjes së imunitetit.
Sipas tij, “imuniteti” është një nga rekomandimet parësore të BE-së, si faktor në luftën kundër korrupsionit. “Heqja e imunitetit redukton korrupsionin dhe krimin në vend. Opozita duhet të tregojë vullnet dhe të bashkëveprojë me mazhorancën për heqjen e imunitetit. Të heqim çdo lloj shqetësimi në funksion të interesit publik. Në qoftë se opozita nuk bie dakord, atëherë Kushtetuta nuk mund të ndryshohet. Por, të mos harrojmë se BE kërkon plotësimin e 12 rekomandimeve për statusin kandidat”, tha Beja.
Ai kujtoi edhe njëherë se zgjedhja e Presidentit s’ka qenë pjesë e rekomandimeve të Komisionit Evropian. Sipas deputetit të PD, kreu i shtetit u zgjodh në përputhje me Kushtetutën. “Zgjedhja e Presidentit nuk është pjesë e rekomandimeve të Komisionit Evropian. 12 kriteret nuk flasin për çështjen e kreut të shtetit. Është e vërtetë që Presidenti u bë objekt i një debati politik mes palëve. Kush ishte shqetësimi? Po të ndiqni deklaratat e ndërkombëtarëve ka një apel të qartë për funksionimin e parlamentit dhe mos bllokimin e punës së tij. Deklarata zyrtare nga Brukseli, nga përfaqësuesit e parlamentit evropian dhe komitetit të përbashkët, ishte që presidenti të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën. Padyshim që është e rëndësishme që personi që do të zgjidhet të ketë përkrahje të gjerë, të të dy palëve - me qëllim që të arrihet në qëndrimin se presidenti do bashkëpunojë dhe bashkëveprojë me të dy krahët politik. Unë citova edhe në Bruksel, se Shqipëria ka pasur vetëm një rast të zgjedhjes së Presidentit me konsensus mazhorancë-opozitë, në 5 rastet e tjera kreu i shtetit është zgjedhur nga mazhoranca përkatëse. Prandaj, kjo është një histori e mbyllur. Presidenti s’ka qenë pjesë e 12 rekomandimeve. Kreu i ri i shtetit u zgjodh në përputhje me Kushtetutën, edhe pse s’mund të mohoj se do ishte në interesin e të gjithëve nëse dhe opozita do kishte dhënë votën e saj”.