“Përmbushja e reformave, që Shqipëria të marrë statusin”
Presidenti i zgjedhur, Nishani takon kreun e delegacionit të KE në Tiranë, Ettore Sequi
Presidenti i zgjedhur i Republikës, Bujar Nishani priti dje në një takim Kryetarin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi.
Ambasadori Sequi i shprehu Presidentit Nishani urimet më të përzemërta me rastin e zgjedhjes në detyrën e lartë të kreut të shtetit shqiptar.
Gjatë bashkëbisedimit, ambasadori Sequi vlerësoi maksimalisht rolin e Nishani në drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë për funksionimin e një bashkëpunimi të frytshëm me delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë.
Presidenti Nishani falenderoi Ambasadorin Sequi dhe nëpërmjet tij edhe Komisionin Europian për angazhimin dhe kontributin në shërbim të forcimit të institucioneve ligjzbatuese dhe konsolidimit të demokracisë shqiptare.
Presidenti Nishani theksoi me këtë rast se delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian.
Presidenti Nishani dhe Ambasadori Sequi ndanë të njëjtën pikëpamje lidhur me rëndësinë e përmbylljes sa më shpejt të reformave zgjedhore e parlamentare dhe për heqjen ose kufizimin e imunitetit, në mënyrë që në vjeshtën e këtij viti Shqipëria të marrë me meritë statusin e vendit kandidat për anëtar të BE.
Presidenti Nishani dhe Ambasadori Sequi konfirmuan vullnetin e dyanshëm për të ndërtuar dhe zhvilluar një bashkëpunim të ngushtë mes institucionit të Presidentit të Republikës dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë.
Panariti-Sequi: Zhvillimet e fundit pozitive, inkurajuese për reformat
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti zhvilloi dje një takim me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi.
Ministri Panariti vlerësoi mbështetjen që Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare i kanë dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, dhe falënderoi Ambasadorin Sequi për angazhimin e tij maksimal në përparimin e axhendës evropiane të Shqipërisë.
Ministri Panariti nënvizoi zhvillimet e fundit pozitive që lidhen reformën zgjedhore, me çështjen e heqjes së imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët, si dhe siguroi për përparim të mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformës së administratës publike, reformës në gjyqësor, etj.
Ambasadori Sequi vlerësoi arritjet e deritanishme, dhe inkurajoi vazhdimin e punës për realizimin e masës kritike të progresit, që do të kualifikojë Shqipërinë si vend kandidat në BE, dhe në këtë kuadër siguroi për mbështetjen e plotë të Delegacionit të BE -së në Tiranë dhe Komisionit Evropian, në rrugëtimin evropian të Shqipërisë.