E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE: “Akuzat ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, të pabaza - PS të ndjekë rrugë ligjore”

14-07-2012 / Gazeta 55

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth bën thirrje për të mos i konsideruar polemikat lidhur me tregtinë e armëve, pasi ky proces ishte i kodifikuar sipas një legjislacioni specifik, verifikimi i të cilave mund të kryhet edhe përmes një kontrolli parlamentar

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth ka deklaruar dje nga Gramshi se akuzat e Partisë Socialiste ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, për tregti të paligjshme të armëve, janë të pabaza. Duke folur për mediat, Wollfarth theksoi se PS-ja duhet t’i kërkojë gjërat në rrugë ligjore dhe se i ka mundësitë që të kërkojë në Parlament interpelancë. “Unë e mirëpres faktin që Shqipëria është tani pjesë e një sistemi të rëndësishëm për sigurinë. Unë e kam theksuar edhe më përpara dhe vazhdoj ta theksoj se është i rëndësishëm roli që ka parlamenti për të sqaruar punën e qeverisë. Kjo bëhet zakonisht në komisionet parlamentare. Prandaj unë do të ftoja që të përdorej rregullorja e parashikuar për çështje të tilla, për çështje të rëndësishme do të shtoja, dhe që gjithçka të bëhej në përputhje me procesin zyrtar”, u shpreh Wollfarth.
Komentet e tij, ambasadori Wollfarth i bëri gjatë një vizite në uzinën ushtarake në Gramsh ku dhuroi gjashtë kamera sigurie dhe një video-kamera dixhitale.
Ndërkohë, kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë u ndal në mënyrë të veçantë edhe tek përfundimi me konsensus politik i reformës zgjedhore. Ai e ka cilësuar përfundimin e saj një arritje e madhe, por theksoi se duhet vullneti i të gjitha palëve për zbatimin e marrëveshjes PD-PS për kodin zgjedhor.
“Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore ka punuar me kujdes, duke prodhuar një draft, i cili, në mos të gjitha rekomandimet, përfshin një pjesë të madhe të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve të 2009-s dhe 20011-s. Puna e tyre ka përfshirë përveç Partisë Socialiste dhe Partisë Socialiste edhe parti të tjera, kështu që flasim për një kontekst më të gjerë. Unë e konsideroj si një hap të madh përpara. Sigurisht që pritet finalizimi i këtij procesi dhe shpresoj në një vendimmarrje të mirë në seancë plenare ditën e enjten”, tha ai.
Të enjten në seancë plenare, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami iu përgjigj sulmeve të opozitës për “mos lejimin e kontrollit parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes”, lidhur me akuzat për trafik armësh.
Ministri i Mbrojtjes tha se është i gatshëm t’i nënshtrohet çdo lloj kontrolli parlamentar, i cili është në përputhje me procedurën, por ai theksoi se opozita nuk është e interesuar për kontroll, por për përplasje.
“Nuk do të ketë kontroll punëtor në asnjë shumicë dhe me asnjë opozitë në Shqipëri. Shqipëria është një vend demokratik ku sundon procedura. Në mënyrë të vijueshme, Komisioni Parlamentar e ka ushtruar dhe unë kam pasur gatishmërinë e plotë në respekt të funksionit të Parlamentit, të atij komisioni dhe të deputetëve të të gjitha partive, që të raportoj në vijimësi për të gjitha problematikat e këtij Komisioni. Po ashtu, sikurse i jam përgjigjur me shkrim pyetjeve të veçanta të kryetarit të Grupit Socialist, nënkryetarit dhe anëtarëve socialist të këtij Komisioni. Por, nuk mund të ndërtohet ndryshe kontrolli përveçse mbi bazën e procedurave, mbi bazën e vendimeve. Në qoftë se disa deputetë, të cilësdo parti qofshin, qoftë edhe të Partisë Demokratike, nesër në mëngjes do të dëshirojnë të futen në cilëndo ministri për të ushtruar kontroll, kjo është antikushtetuese, kjo është thelbësisht antikushtetuese”, u shpreh ministri Imami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›