“PS t’i drejtohet Kushtetueses për rregulloren e parlamentit”
Jemin Gjana, deputet i PD-së
“Votimi i fshehtë i dekreteve te presidentit dhe barazia e fjalës mes kryeministrit dhe kryetarit të opozitës në Kuvend, kërkojnë ndryshime kushtetuese”.
Ky është qëndrimi i demokratëve për reformën parlamentare që ka mbetur e bllokuar për shkak të këtyre dy pikave. Anëtari demokrat i grupit të punës për reformën parlamentare, Jemin Gjana, thotë se nëse PS i mëshon këtyre dy kërkesave, duhet ti trajtojë si çështje që kërkojnë ndërhyrje kushtetuese. “Kanë mbetur dy çështje, të cilat ne në grupin e punës e kemi shprehur qartë qëndrimin tonë, janë jashtë mandatit tonë si komision, si grup pune sepse prekin nenet e Kushtetutës. Për fat të mirë ose të keq, duhet të bëjmë të ditur një gjë: mund të jetë nga Kushtetutat e rralla, Kushtetuta e Shqipërisë që, funksionimin e Parlamentit, sistemin zgjedhor, veprimtarinë e procedurave parlamentare e kanë të futur në nene kushtetuese. Pra, diskutimi nuk është një diskutim rregulloreje, është një diskutim i një neni kushtetues. Nëse ne do ti hyjmë çështjes për ta ndryshuar germën e Kushtetutës, është një çështje tjetër, nuk është në mandatin e këtij grupi pune”, deklaron Gjana.
Duke analizuar qëndrimin e palëve, Gjana e sheh të vështirë mbylljen e saj brenda këtij sesioni parlamentar. “Deri tani qëndrimi ka qenë i munguar nga kolegët e opozitës. Mbetet në gjykimin e tyre nëse do ta tejkalojnë”, shprehet deputeti demokrat.