Brukseli vlerëson kurajon e deputetëve të LMN-së, kërkon thyerjen e shpejtë të bojkotit

Deputetët e LMN-së kanë takuar dje në Bruksel Zëvendëspresidentin e PE-së, Libor Rouçek si dhe kryetaren e Delegacionit për Shqipërinë, eurodeputeten Doris Pack, prej të cilëve kanë marrë inkurajimin që thyerja e bojkotit të kthehet në një linjë zyrtare në PS, pasi vetëm kështu mund të përshpejtohet kursi i reformave, me të cilat po përballet vendiVendimi i deputetëve socialistë të njohur si oponentë të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, për të mbyllur bojkotin parlamentar brenda javës së parë të marsit ka marrë mbështetjen e anëtarëve të parlamentit Evropian, si nga deputetët e djathtë ashtu edhe ata të majtë. Gjatë një takimi që deputetët Blushi, Islami dhe Harasani, kanë zhvilluar në Bruksel me Zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Libor Rouçek, si dhe eurodeputeten Doris Pack, këta të fundit kanë deklaruar se brenda afateve kushtetuese e gjithë Partia Socialiste duhet të jenë në Kuvend. “Do të dëshiroja që vendimi të merret nga e gjithë partia, para mbarimit të afatit, që do të thotë përpara marsit. Mesazhi im është: duhet rikonsideruar situata. Jo vetëm në Shqipëri, por, pa një rregull të përgjithshëm. Bojkoti i parlamentit nuk të çon asgjëkund, kemi shembullin e zgjedhjes së presidentit Bush në SHBA. Shumë demokratë i vunë në dyshim zgjedhjet dhe në fund u arrit në përfundim se u pranua humbja. Kjo, jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por u respektua vendimi. Uroj që sistemi politik në Shqipëri të jetë më i bashkuar, kjo do të thotë që forcat kryesore politike, të bien dakord për një strategji të përbashkët politike dhe mbi të gjitha të punojnë bashkë, për të mirën e popullit shqiptar. Të përqendrohen tek prioritetet. Kryesori në këtë drejtim, është integrimi në Bashkimin Evropian. Pra, nëse doni të bëheni anëtarë, duhet të përmbushni disa kritere dhe kushte të caktuara, kjo do të thotë edhe funksionimi i demokracisë parlamentare”, u shpreh Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rouçek. “Unë respektoj votën e elektoratit në Shqipëri dhe interesat e vendit qëndrojnë më lart se ato të çdo partie. Mendoj se çdo kush në vend, sidomos Partia Socialiste, duhet të dijë rregullat se si funksionon partia, këto rregulla duhet të jenë në të njëjtën linjë me kushtetutën dhe rregullat e saj demokratike. Ata kanë vendosur të hyjnë dhe kjo është diçka, është vështirë në fakt se kjo është në kundërshtim me partinë të cilës i përkasin. është e vështirë të ndërmarrësh këtë hap. Ata nuk po veprojnë kundër Partisë Socialiste, por po ndjekin rregullat, këtë duhet ta bëjnë të gjithë anëtarët e partisë”, u shpreh eurodeputetja Doris Pack. Ndërkaq, deputetët Blushi dhe Harasani kanë konfirmuar se në të gjitha takimet që kanë zhvilluar në Bruksel, kanë marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve për të thyer bojkotin, vendim që deputetët socialistë shprehen optimistë se do të mbështetet nga i gjithë grupi i tyre parlamentar. “Në të gjitha takimet që kemi pasur, hyrja e opozitës në parlament inkurajohet, për të mos thënë që kërkohet si një detyrim i çdo opozite demokratike, për të marrë pjesë në parlamentin e vendit të vet dhe kjo është ajo që do të ndodhi natyrisht”, u shpreh deputeti Ben Blushi. “Jemi të bindur që bashkë me këtë mbështetje, bashkë me bisedën që kemi zhvilluar me kolegët, ne do të arrijmë me shumicën e grupit parlamentar socialist, në një datë të afërt të futen në parlament dhe të ushtrojnë detyrat kushtetuese”, deklaroi Harasani. LMN informon zyrtarët e BE rreth vendimit personal të Ramës për bojkot/Në orët e para të mëngjesit të djeshëm janë nisur për në Bruksel tre deputetë të grupit parlamentarë socialist, përfaqësues të Lëvizjes për Mendim Ndryshe. Të njohur për qëndrimet e tyre kundër klikës malavite të Edvin Kristaq Ramës, Ben Blushi, Kastriot Islami dhe Andis Harasani, kanë nisur një tur takimesh me personalitete të larta të Brukselit për të vënë në dijeni kancelaritë perëndimore rreth zhvillimeve politike në Partinë Socialiste dhe vendimit të marrë nga Edi Rama në kushtet e një rreziku të humbjes së kryesimit të partisë opozitare. Lëvizja për Mendim Ndryshe, përfaqëson në Bruksel një politikë ndryshe nga ajo çka është propaganduar deri më tani nga kryesocialisti Edi Rama, një politikë devalvuese dhe aspak të denjë për vend që ka marrë statusin e vendit kandidat në BE dhe njëherazi vetëm pas 3 muajsh nënshkruan marrëveshjen e liberalizimit të vizave me Komisionin Evropian. Kësisoj, kundërshtarët e Edi Ramës Ben Blushi, Kastriot Islami dhe Andis Harasani po zhvillojnë në Bruksel një seri takimesh, për të kërkuar mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për qëllimin e tyre që deputetet e PS-së të kthehen në Parlament dhe t’i japin fund bojkotit. Sipas burimeve pranë LMN-së në axhendën e tre figurave të rëndësishme të PS-së, janë rreth 10 takime që do të fokusohen pikërisht tek nevoja për të ndërprerë bojkotin dhe për t’iu rikthyer jetës parlamentare. Megjithatë, pas kësaj iniciative të tre deputetëve kundërshtarë të Edvinit, pritet të ketë kosto të rënda politike për këtë të fundit, i ndodhur në kushtet e një braktisjeje të egër nga ana e faktorëve politikë vendas dhe të huaj. Edi Rama, vetëm pak ditë më parë pat njoftuar për një takim të gjatë në SHBA dhe BE, vizitë e mbushur me një anxhendë tepër të ngjeshur me personalitetet më të larta të politikës evropiane dhe asaj amerikane, por shumë shpejt u zbulua se atij ia refuzuan të gjitha takimet dhe veç një referati të mbajtur në një Universitet të ëashingtonit, nuk zhvilloi kurrfarë takimi me rëndësi politike. Kjo braktisje e liderit kryesor të opozitës në vend, vjen si rrjedhojë e sjelljes së tij antiligjore ndaj institucioneve shtetërore, qeverisë dhe organizmave ndërkombëtare që monitorojnë zhvillimet në Shqipëri, në kuadër të plotësimit të detyrimeve politike që vendi ka ndaj institucioneve evropiane. Gjithashtu, deklaratat e Ramës për marrje të pushtetit me dhunë në rast të mos shqyrtimit të kërkesave, si ajo për hapje të kutive, duke dhunuar në mënyrë të hapur ligjin dhe pushtetet e pavarura, alarmuan kancelaritë perëndimore për klasën politike që po kultivohet në Shqipëri, duke ditur se ky brez njihet edhe si trashëgimtar i nomeklaturës komuniste....