E Diel, 1 Nëntor 2026

Brusa: Asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit në gjyqësor. Zgjidhni problemin e imunitetit

 Në Shqipëri, korrupsioni mbetet problem në disa fusha. Pengesa sjell moskufizimi i imunitetit të gjyqtarëve dhe deputetëve. Ne përsërisim se kufizimi apo heqja e imunitetit për gjykatësit dhe deputetët është i nevojshëm, u shpreh zv.ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Brusa.

Duke folur në një takim të Grupit Drejtues të Projektit kundër korrupsionit në Shqipëri, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Pollo, zv.ambasadori i BE-së theksoi se në progres-raportin e këtij viti thuhet se nuk është bërë përparim në luftën kundër korrupsionit në gjyqësor, një prej faktorëve kryesorë që pengon hetimin.

Ne besojmë se mesazhi është i qartë. Tani është në dorën e autoriteteve shqiptare për të ndërmarrë masat e nevojshme për të zgjidhur çështjen e imunitetit, sipas standardeve europiane dhe për të hetuar siç duhet aktet korruptive, siç kërkohet në progres-raportin e KE-së. Besueshmëria, angazhimi dhe një nivel i duhur përputhshmërie janë të nevojshme për perspektivën europiane, përfundoi Brusa.
Në fjalën e tij, ministri Pollo u shpreh se maxhoranca është gati për të zgjidhur çështjen e imunitetit, duke përfshirë këtu edhe ndryshimet në Kushtetutë. Por, sipas tij, kjo gjithmonë nëse opozita nuk vendos kushtëzime të tjera si kusht për mbështetjen e kësaj nisme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›