E Diel, 1 Nëntor 2026

Bualoti: S‘është festa që ëndërruam, por do të ketë spektakël

Një ceremoni promovuese do t‘i paraprijë natës së parë të edicionit të dhjetë të Festivalit të Butrintit. Muzikë kuarteti dhe një dokumentar do të bëjnë një retrospektivë të këtij aktiviteti ndër vite. Vetëm pak orë nga çelja e festivalit, drejtori Alfred Bualoti tregon për risitë e këtij viti jubilar.

Zoti Bualoti, vetëm disa orë na ndajnë nga veprimtaritë promovuese të edicionit jubilar. Si do të nisë ai?

Gjendemi fare pranë çeljes së edicionit të dhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Butrinti 2000. Ai vjen për të sjellë plot kënaqësira për këto vite që kanë kaluar, punë, angazhim, mundim. Por, nga ana tjetër, edhe shumë vështirësi. Nuk ka qenë thjesht një rrugë e shtruar. Sigurisht që do të veçoja ndihmën e shtetit shqiptar, përmes Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që i ka dhënë çdo vit festivalit, përveç këtyre dy viteve të fundit, që buxheti na u përgjysmua. Nga ana tjetër, në këtë vit jubilar dua të shpreh se kjo punë jo vetëm që do të vazhdojë, por do të vijë në një rritje artistike.

Çfarë do të veçonit nga kalendari i edicionit të dhjetë?

Ky edicion nuk erdhi siç ne kishim ëndërruar, menduar dhe siç kishim dëshirë të vinte. Ne premtuam që do të bënim dhe një paketë me dhjetë spektakle, për të festuar ashtu siç duhet. Por për mbështetjen e kufizuar që pati festivali, arritëm të bëjmë një program me pesë spektakle teatrorë dhe me një hapje të veçantë. Sonte në mjediset e hotel "Butrinti", ku do të jenë të ftuar intelektualë, dashamirës të teatrit nga Saranda, Tirana e gjithë vendi do të shfaqet një dokumentar që do të pasohet me koncertin i kuintetit "Imperial", që vjen nga Korfuzi, me drejtuesin e mirënjohur, kompozitorin shqiptar Vladimir Kotani.

Çfarë trupash do të ngjiten në skenën e Butrintit?

Si çdo vit, ka gjëra me shumë interes. Dymbëdhjetë korriku do të jetë nata e parë e shfaqjeve. Në teatrin antik vjen trupa italiane, me "Trojanët", por një version krejt ndryshe, me orkestër dal vivo në skenë, e quajtur "Pasioni i grave të Trojës". Nata e dytë vijon me një shfaqje të ardhur nga Athina, një dance-teatër. Një kompani me përmasa europiane, në të cilën interpretojnë edhe pesë shqiptarë, vjen me "Elektrën". Nata e tretë do të ngjisë në skenë trupën e shtetit të ri të Kosovës. Ata prezantohen në Butrint me "Fedrën" e Zhan Rasinit. Regjisori i shquar Fadil Hysa vjen për të prezantuar këtë vepër, që është një produkt artistik i përftuar nga bashkëpunimi mes teatrit "Dodona" të Prishtinës dhe "Sythi". Nata e katërt është krejt e veçantë, pasi për herë të parë në këtë festival vjen një trupë turke. Shfaqja është "Dervishi dhe vdekja", nga romani i një shkrimtari të madh boshnjak, Meisa Selimoviç. Ky roman është bërë shfaqje nëpër Europë, dramatizuar dhe në një version të tij vjen trupa e qytetit të Izmirit në Butrint. Nata e fundit sjell një krijim të Katalina Buzojanu, e cila ka ardhur në edicionin e parë me shfaqjen "Mediterrane", shfaqje që ka bërë emër jo vetëm në Butrint, por edhe në Europë. Kjo autore në edicionin e dhjetë vjen me një krijim të saj nga Bibla, "Kënga e këngëve".

Prisni edhe një prani më të madhe të publikut në këtë edicion?

Si çdo vit presim publikun artdashës sarandjot. Do kemi bileta që do të shiten në zyrat e informacionit turistik në shëtitore. Nuk do të kushtojnë më shumë se 200 lekë, ndërkohë që në dispozicion të spektatorëve do të vihen autobusë. Jam i bindur që bashkia do të mbështesë Butrintin, aq më shumë që është edicioni i dhjetë. Gjithkush që e ndjen, do ta ftoja të jetë në Butrint, në edicionin e dhjetë, duke nisur që nga mbrëmja e çeljes e deri në uljen e siparit, pasi do të ketë kaq gjëra të veçanta që do të mbeten gjatë në kujtesë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›