E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ecja, çfarë fshihet pas saj

Nuk është vetëm një mënyrë për të lëvizur dhe mbajtur trupin në formë, por përdoret edhe për të joshur, protestuar, mësuar, prodhuar energji dhe bërë revolucione...

Njëra këmbë shkëputet nga toka dhe fillon të ecë përpara, ndërkohë që tjetra përthyhet. Pesha e trupit spostohet duke rënë mbi gjymtyrën e mbështetur në tokë. Pastaj veprimi kalon te thembrat dhe gishtat, por është thjesht çështje sekondash: këmba që ishte ngritur e përfundon hapin dhe "kthehet" për të pushuar, duke ristabilizuar ekuilibrin. Më pas radhën e ka këmba tjetër... e kështu vazhdon procesi, derisa të arrijnë në destinacionin e duhur.

E komplikuar apo jo? Sado e vështirë për t‘u shpjeguar, ecja është një prej akteve më arkaike dhe natyrale të njeriut, që e mëson kur është i vogël, rreth një vjeç dhe më pas e përdor gjatë gjithë jetës. Ecim për të shkuar ndokund, për të mbajtur trupin në formë, për të qartësuar mendimet ose për të takuar njerëzit. Ecim jo vetëm në realitet, por edhe në gjumë e në metaforat linguistike si për shembull: ecën në majë të gishtave, mbi një fije peri, mbi vezë, mbi re etj. Pra, historia e njeriut është një ecje e gjatë. Por kur ka nisur? Sipas shkencëtarëve rreth 6 milionë vite më parë.

Zgjedhje e detyruar për shekuj

Në atë kohë njerëzit kanë ecur shumë në këmbë, madje edhe pasi filluan të përdoreshin kuajt (rreth vitit 4000 para Krishtit). por vetëm njerëzit e pasur e të fuqishëm mund të udhëtonin me kalë, ndërsa për të gjithë të tjerët ecja me këmbë mbeti një zgjedhje e detyruar për shekuj me radhë.

Strasburg-Venecia? Një muaj në këmbë

Që në Antikitet kishte nga ata që e kishin zgjidhur mënyrë e të udhëtuarit, duke përdorur këmbët e skllevërve. Periudha më e madhe e ecjes me këmbë ka qenë Mesjeta. Sipas historianit gjerman Norbert Ohler, një burrë me trup të mbushur mund të ecte 30 kilometra në ditë. "Për 700 km që ndanin Strasburgun nga Venecia, Xhenova, apo Amsterdami, njerëzve u duhej të ecnin plot një muaj". Pa llogaritur kushtet e këqija të rrugëve, shpesh një njeri me këmbë ecte me shpejt se ai që ishte me kalë.

Sharlatanë, studentë, shitës dhe...

"Gjatë shekujve në vazhdim zakonet nuk ndryshuan shumë", thotë një tjetër studiues. "Njerëzit lëviznin sipas mundësive. Të pasurit nuk kanë ecur kurrë në këmbë, ndërsa të varfrit dihet që ecnin pa pushuar". Kishte nga të gjitha kategoritë: shitës, këngëtarë, akrobatë, sharlatanë, prostituta. Por edhe besimtarë, studentë, mësues: një ushtri e vogël udhëtonte nga një qytet në tjetrin, shpesh në kushte jashtëzakonisht të vështira. "Nuk kishte shumë rrugë të shtruara. Pjesa më e madhe e tyre ishin gjithë pluhur dhe kur binte shi shndërroheshin në moçale". Përveç vështirësive të shumta, rruga ishte e mbushur edhe me rreziqe. Një udhëtar që ecte në këmbë kishte shumë gjasa të grabitej ose të vritej. Megjithatë, kishte edhe nga ata që ecnin në këmbë për zgjedhje, sepse kishin një mjet transporti, pelegrinët.

Këmbëzbathur mbi rrugët e besimit

Pelegrinët përballonin prova shumë të vështira, duke ecur për muaj me radhë. Shpesh me këmbë të zbathura, për pendim, përshkonin Europën për të shkuar në vendet e shenjta, duke ndjekur "rrugët e besimit", të cilat u bënë mjeti më i rëndësishëm i komunikimit në atë kohë. Njëra prej tyre ishte rruga "Camino de Santiago", 800 kilometra midis Francës dhe Spanjës. Pelegrinë të tjerë ndiqnin rrugën "Francigena", 1600 kilometra nga Kanterburi në Romë, për të nderuar varrin e Shën Pjetrit. Por sa kohë u duhej të arrinin në destinacionin e duhur? Dëshmia më e vjetër vjen nga Sigeriko, një peshkop britanik, që në vitin 990 e përfundoi udhëtimin e tij për 79 ditë, pra kishte udhëtuar 20 km në ditë.

Por nuk ishin vetëm civilët që ecnin. Udhëtarët më të mëdhenj të historisë janë ushtarët. Deri në shekullin XX këmbësoritë kanë lëvizur gjithmonë në këmbë.

Në kontakt me natyrën

Sot për të shkuar në destinacionin që dëshirojmë mund të zgjedhim makinën, trenin ose avionin. Për fat të keq në botën perëndimore, ecja e ka humbur karakterin e nevojës praktike për të marrë atë shpirtëror. I pari që e teorizoi si fakt kulturor ishte filozofi zviceran Jean-Jacques Rousseau, i cili në vitet 1700 e cilësoi ecjen si "vendi i meditimit", përveç kontaktit me natyrën. Për poetët romantikë, si anglezi William Wordsworth, të ecurit dhe "zhytja" në peizazh ishte një eksperiencë artistike, ndërsa në shumë romane të tjerë, vërehet rituali tipik i një shoqërie të shëndetshme.

Në protestë për kripën

Ecja mund të ketë edhe efekt të zhurmshëm, për shembull kur bëhet një akt proteste, ose një provokim. Në Indi, për të protestuar kundër taksës së kripës, që u vu nga qeveria angleze, në vitin 1930 Gandi dhe 78 miqtë e tij organizuan një marshim protestues mbi 300 kilometra nga Ahmedabad në Dandi, duke ecur për 24 ditë. Kur mbërritën në destinacion, numri i protestuesve kishte arritur në disa mijëra. Aty, Mahatma, mblodhi një grusht kripë. Kështu bënë edhe protestuesit, që duke buzëqeshur u ngritën kundër policisë, e cila kishte ndërhyrë për të qetësuar revoltën. Pavarësisht rrahjeve çnjerëzore nga ana e policisë, qytetarët vazhdonin të ecnin pa reaguar. Për kolonializmin anglez kjo ishte një goditje fatale.

Muskujt në lëvizje

Në një botë me makina, motorë dhe trena, sot ecja në këmbë është një nevojë për të mbajtur trupin në formë. "Duke ecur vihen në lëvizje të gjithë muskujt e trupit: abdominalë, kryqo-kërbishtorë, si edhe muskujt e vitheve", shpjegon një doktor. "E mira do të ishte që secili prej nesh ta praktikonte një orë në ditë". Ecja është mjaft e rëndësishme: për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në 2007-ën numri i të vdekurve nga jeta sedentare (që mund të shkaktojë obezitet, patologji kardiovaskulare, artrozë, ulje të mbrojtjes imunitare) arriti në 600 mijë vetëm në Europë. Për këtë arsye, ecja është edhe thelbi i sporteve të ndryshme.

Këshilla për ecjen

1. Të ndihmon të çlirosh mendjen nga stresi, të gjesh zgjidhjen e problemeve të tua dhe të shkarkosh energjinë negative të akumuluar gjatë muajve të punës. Njerëzit duhet të çlirohen nga ankthet e jetës së përditshme dhe ta "braktisin" shtëpinë.

2. Mësoni të jetoni në grup. Pranoni rregullat e grupit ku bëni pjesë. Ka të ketë individë, të cilët mund të mos u pëlqejnë, por tashmë ju jeni pjesë e grupit dhe mësoni të bashkëjetoni. Vini në dispozicion të grupit dijet e gjërat tuaja dhe pyesni të tjerët se çfarë ju mungon (si për gjërat materiale ashtu edhe diturinë).

3. Informojeni grupin për ndjenjat dhe gjendjen tuaj shpirtërore. Duke i mbajtur përbrenda nuk e ndihmoni grupin të kuptojë se çfarë dëshironi. Duke e bërë me dije për problemet që keni, mund të bëjë gjithçka për t‘i zgjidhur.

4. Mësoni të përballoni ngjarjet e papritura. Asgjë nuk është e pandreqshme. Ngjarjet e papritura mund të ndodhin edhe gjatë një udhëtimi. Të humbësh një rrugë, të kthehesh në shtëpi me natë, apo të mos gjesh askënd në takimin që kishe lënë me një mik, janë të gjitha ngjarje të paparashikuara, nga të cilat mund të marrim një mësim.

5. Mos vraponi! Mësoni të ecni me hap të ngadaltë, shihni përreth, sepse ka një lule të re, një insekt, ose një ngjyrë që të tërheq vëmendjen. Udhëtimi nuk është garë, ritmi i grupit duhet t‘i përshtatet ritmit më të ngadaltë.

6. Zbuloni qetësinë. Udhëtimi në grup është i bukur, sepse njeh njerëz të rinj dhe merr eksperienca të reja. Gjatë rrugës zbulojmë edhe bukurinë e qetësisë, ndiejmë hapat tanë, frymëmarrjen, tingujt e natyrës. Shokët që ju shoqërojnë do të t‘ju jenë mirënjohës.

7. Udhëtimet me këmbë janë të gjitha të rëndësishme, sepse mëson të ndash të nevojshmen nga sipërfaqësorja. Në këtë mënyrë do të zbuloni se çfarë është e rëndësishme të hash, çfarë është e nevojshme për higjienën e përditshme, për komoditetin etj. Duke eliminuar gjërat sipërfaqësore nga mendja, gjithçka mund të jetë më e bukur e më e lehtë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›