ëndrra e çdo femre? Të jetë e bukur dhe elegante
Bukuria është e barabartë me elegancën. Dieta, ushtrime fizike, pa bark dhe me muskuj të formuar. Kjo nuk është aspak moda e kohëve të fundit, por prej më tepër se një shekull është kthyer në një detyrim për të gjitha femrat që e adhurojnë të bukurën. Në të vërtetë, të jesh e bukur, por edhe elegante, sot është kthyer në një ide fikse për shumicën e grave dhe vajzave. Ndaj edhe dietat apo trajtimet, të cilave iu nënshtrohen, janë vërtet të shumëllojshme. Pikërisht këto "fiksime" tregon edhe autori Georges Vigarello, në librin e tij të fundit "Historia e bukurisë, trupi dhe arti i të zbukuruarit që nga rilindja e deri sot". Le ta nisim nga dietat, të cilat shumë femra pas palestrës i shohin si shpëtimin e vetëm për të arritur formën ideale. Në të vërtetë, historia e tyre është e vjetër, por ato filluan të bëheshin më të "pranishme" në dhjetëvjeçarin e fundit të viteve 1800, kur revistat e specializuara filluan ta vinin gjithmonë e më shumë theksin te këmbët dhe vithet me formë, por elegante. "Enciklopedia e ilustruar e elegancës femërore" në vitin 1982 sugjeronte shtatë metoda (dieta) të ndryshme për të mos u shëndoshur, ndërsa revista tjetër "Jetë parisiene", vetëm një vit më vonë renditi tetë të tilla. Kulmi "arriti" me "Bukuri femërore" në vitin 1903, e cila publikoi dhjetë dieta për një trup perfekt. "Tashmë po shkojmë drejt fesë së trupit, të bukurisë, të joshjes dhe modës", thotë Emil Zola. Një modë që e dizajnon femrën me linja gjithmonë e më të holla dhe elegante. Ndërkohë që kjo mënyrë e të kujdesurit për veten filloi të shndërrohej në një mani. "Po të shohësh me kujdes, të gjitha femrat duken më të reja në moshë se ç‘janë në të vërtetë", shkruante revista prestigjioze e modës "Vogue" në janar të vitit 1934. "Ndërsa pamja e tyre, shkruan në libër Vigarello, ndryshoi vazhdimisht, duke kaluar nga shkronja S tek ajo I". Stilistja Coco Chanel, me lapsin e saj "modern", duket se dizajnonte veshje vetëm për to, ndërsa "tabela" e peshës ideale ka ndryshuar vazhdimisht. Kështu, nëse në vitin 1929 një grua e gjatë 1.60 cm duhej të peshonte 60 kg, dhjetë vjet më vonë kjo peshë do të shkonte në 51.5 kg. 1924-ta është viti kur për herë të parë u quajt me të njëjtin emër celuliti. Mjeku, që për herë të parë flet për "efektin dhe një lëkurë njësoj si ajo e portokallit", quhej Louis Alquier. Në atë kohë revista "Vogue" i dedikoi një artikull, ku e cilësonte si "rrezikun kryesor". Në të vërtetë, celuliti na detyron të përdorim metoda të ndryshme për t‘u dobësuar, duke nisur që nga ushtrimet fizike, masazhet, aplikacionet elektrike, algat, parafinoterapitë dhe shumë mënyra të tjera që shpesh i lexojmë nëpër revistat femërore. Po ashtu, të mbash peshën tënde nën kontroll është konsideruar si një tregues i shëndetit, përveçse një detyrim estetik. Edhe në atë kohë divat e Hollivudit përdornin dieta, ose ndiqnin rrugë të ndryshme për të ruajtur peshën e tyre ideale. Megjithatë, shumë pak e pranojnë. Joan Crawford është një përjashtim, kur tregon që bënte ushtrime fizike në mënyrë të vazhdueshme dhe të gjitha mundimet që kishte bërë për të arritur peshën e saj ideale. Po ashtu edhe Marlen Dietrich, që ra menjëherë 15 kilogramë dhe hoqi katër dhëmballë në mënyrë që faqet e saj të dukeshin më të "dobëta", ndërsa fytyra perfekte. Triumfi estetik shkruan në librin e tij kushtuar bukurisë femërore, Geroges Vigarell, është një fitore e vullnetit dhe fryt i bindjes e këmbënguljes. "Trupi është si një argjilë që modelohet me gjimnastikë dhe kura bukurie", shkruhej në një revistë të asaj kohe. Gjatë periudhës së luftërave duket se u kthye në modë modeli i grave të shëndosha, megjithatë bëhej fjalë vetëm për një modë kalimtare. Burrave edhe mund t‘ju pëlqejnë linjat në formë S-je, por ato që duhen arritur dhe admiruar janë linjat në formë I-je, që do të shfaqen nga modelja Twiggy në vitet ‘60. "Kurrë nuk jemi aq të pasur dhe aq elegante sa do të donim", kishte deklaruar stilistja Coco Chanel. Një fjali kjo, e thënë pikërisht nga një prej zonjave më elegante të shekullit 20, Wallis Simpason. "Të dobësohesh është një detyrim rigoroz që do të vazhdojnë ta ndjekin të gjithë brezat", konstaton autori gjatë përfundimeve që nxjerr në librin e tij. "Eleganca, vazhdon më tej ai, është garanci e dominimit". Megjithatë, kjo është vërtet e tmerrshme. Në libër tregohet gjithashtu se përqindja e dështimit për t‘u dobësuar përmes dietave është shumë e lartë. Suksesi arrihet vetëm në 43 për qind të rasteve. Në fund aty tregohet se është e vërtetë që po të jesh elegante, je edhe e bukur, por gjithçka duhet të bëhet me kujdes, pa arritur të ndiqet shembulli i modeleve që vdesin në pasarelë, pasi për vite me radhë ushqehen vetëm me një frut në ditë, apo pa arritur te fiksimi që kanë sot shumë femra: për të qenë elegante nuk ndalen para asgjëje.